Pothuajse një në katër ndërmarrje të vogla dhe të mesme në Shqipëri nuk ka vendosur asnjë masë për mbrojtjen nga sulmet kibernetike, ndërsa një pjesë e konsiderueshme e bizneseve nuk janë as në gjendje të përcaktojnë nëse sistemet e tyre janë sulmuar.
Sipas raportit të OECD-së “Indeksi i Politikave për NVM-të në Ballkanin Perëndimor dhe Turqi 2026 – Profili Ekonomik i Shqipërisë”, rreth 23% e NVM-ve të anketuara nuk përdorin asnjë masë sigurie kibernetike. Për krahasim, mesatarja e kampionit të OECD-së është vetëm 9%.
Të dhënat tregojnë se bizneset shqiptare mbështeten kryesisht te format më bazike të mbrojtjes. Rreth 67% deklarojnë se përdorin fjalëkalime të forta dhe të sigurta, por vetëm 36% kanë aktivizuar autentifikimin me dy faktorë. Programet antivirus dhe kundër programeve keqdashëse përdoren nga rreth 33% e ndërmarrjeve, ndërsa vetëm 22% kanë sisteme “firewall” ose rrjete private virtuale, të njohura si VPN.
Një në pesë biznese nuk e di nëse është sulmuar
Rreth 17% e NVM-ve shqiptare deklarojnë se kanë përjetuar sulm kibernetik, kundrejt 32% në kampionin e OECD-së. Megjithatë, kjo diferencë mund të lidhet me aftësitë e dobëta për zbulimin e incidenteve, pasi 20% e bizneseve nuk e dinë nëse janë sulmuar. Mungesa e stafit të specializuar dhe e sistemeve të monitorimit ul mundësinë për të identifikuar vjedhjen e të dhënave ose programet e dëmshme. OECD paralajmëron se nënvlerësimi i rrezikut pengon investimet dhe krijimin e një kulture parandaluese. Edhe te qytetarët ndërgjegjësimi mbetet i ulët: vetëm 16% i shohin kërcënimet hibride si burim pasigurie, kundrejt 25% në Ballkanin Perëndimor.
Shqipëria përballet me 600-700 incidente në vit
Shqipëria përballet me rreth 600–700 incidente kibernetike në vit, që prekin sektorin publik dhe privat. Vetëm në vitin 2023 u regjistruan 49 sulme ndaj infrastrukturës kritike, 12 prej tyre me ndikim të lartë.
Sulmet ndaj sistemeve shtetërore mund të dëmtojnë edhe bizneset që varen nga shërbimet dhe platformat publike digjitale.
Për NVM-të, një incident mund të sjellë ndërprerje të aktivitetit, humbje të të dhënave, kosto rikuperimi dhe dëmtim të marrëdhënieve me klientët, ndërsa dobësitë në siguri mund t’i pengojnë në tenderë dhe bashkëpunime me kompani të mëdha.
Bizneset varen nga ndihma e jashtme dhe reaktive
Bizneset shqiptare mbështeten kryesisht te ndihma e jashtme dhe reagojnë pasi shfaqen problemet digjitale. Vetëm 28% e NVM-ve synojnë të punësojnë staf të posaçëm IT, ndërsa 42% varen nga mbështetja informale ose reaktive. Ato kanë pak akses në trajnime, mjete të përballueshme sigurie, kontrolle dhe këshillim të përshtatur.
Edhe pse 74% deklarojnë se kanë politikë privatësie, 47% i konsiderojnë kërkesat për mbrojtjen e të dhënave të vështira dhe vetëm 5% e shohin sigurinë e të dhënave si shqetësim të rëndësishëm.
OECD rekomandon një program kombëtar për sigurinë kibernetike të NVM-ve, me masa bazë si autentifikimi i fortë, përditësimi i programeve, kopjet rezervë dhe përdorimi i sigurt i shërbimeve “cloud”./ekofin.al


