Nga Florian Zekja
Kur flasim për 35 vitet e kapitalizmit në Shqipëri, nuk flasim vetëm për statistika ekonomike apo grafikë. Flasim për historinë e një transformimi të jashtëzakonshëm ekonomik dhe shoqëror, të ndërtuar mbi guximin e sipërmarrësve dhe sakrificën e mijëra punëtorëve shqiptarë.
Pas vitit 1991, Shqipëria nuk kaloi thjesht nga një sistem ekonomik në një tjetër. Ajo u hodh nga një ekonomi e izoluar dhe e centralizuar drejt ekonomisë së tregut, pa institucione të konsoliduara, pa kapital, pa përvojë dhe pa një strategji zhvillimi. Në pak vite duhej të ndërtoheshin bizneset private, sistemi bankar, tregu i lirë dhe vetë kultura e sipërmarrjes.
Ndërsa industria e rëndë u shpërbë dhe shumë fabrika përfunduan në skrap, ishte një sektor që arriti të mbijetojë dhe të ndërtojë urën mes dy sistemeve ekonomike: manifaktura.
Ky sektor nuk trashëgoi teknologji moderne. Trashëgoi diçka shumë më të rëndësishme: kulturën e punës, disiplinën profesionale dhe aftësitë teknike të mijëra grave dhe burrave shqiptarë. Mbi këtë bazë, sipërmarrësit e rinj të viteve ’90, mes vështirësive të pafundme, krijuan lidhjet e para me partnerët italianë dhe europianë, duke bindur markat ndërkombëtare se edhe Shqipëria mund të prodhonte cilësi.
Në vitet e para të tranzicionit ndodhi një fenomen që sot duket pothuajse i pabesueshëm: një rrobaqepëse fitonte më shumë se një ministër. Ishte momenti kur ekonomia e tregut filloi të shpërblente produktivitetin, profesionalizmin dhe punën.
Manifaktura u bë shkolla e parë e standardeve europiane në Shqipëri. Ajo solli kulturën e kontratës, respektimin e afateve, kontrollin e cilësisë dhe disiplinën e prodhimit shumë kohë përpara se Shqipëria të niste negociatat për anëtarësim në Bashkimin Evropian.
Për më shumë se dy dekada, ky sektor ishte motori i eksporteve shqiptare, duke përfaqësuar deri në 40% të eksporteve totale të vendit. Në një kohë kur Shqipëria përmendej në mediat europiane kryesisht për emigracionin apo kriminalitetin, produktet “Made in Albania” ishin ambasadorët më të mirë të vendit tonë.
Sot, rreth 70 mijë familje vazhdojnë ta kenë jetesën të lidhur drejtpërdrejt me këtë industri. Për më shumë se tri dekada, manifaktura ka sjellë miliarda euro valutë në ekonominë shqiptare, duke kontribuar në stabilitetin financiar të vendit dhe në punësimin e dhjetëra mijëra qytetarëve.
Por sot ky sektor po kalon ndoshta krizën më të vështirë të historisë së tij.
Shifrat flasin vetë. Eksportet e industrisë së tekstileve dhe këpucëve kanë rënë nga 135.2 miliardë lekë në vitin 2022, në 126.3 miliardë lekë në vitin 2023, 105.1 miliardë lekë në vitin 2024 dhe rreth 96.6 miliardë lekë në vitin 2025. Brenda vetëm tre vitesh, sektori ka humbur gati 40 miliardë lekë eksporte, ndërsa mijëra vende pune janë mbyllur ose janë vënë në rrezik.
Kjo nuk është thjesht një krizë e manifakturës. Është një sinjal alarmi për të gjithë ekonominë shqiptare.
Megjithatë, problemi nuk lidhet vetëm me zhvlerësimin e euros apo me rënien e kërkesës në tregjet evropiane.
Problemi është shumë më i thellë.
Për më shumë se tridhjetë vjet, shumica e kompanive shqiptare mbetën të përqendruara në modelin fason, duke prodhuar për markat e huaja, pa krijuar marka shqiptare dhe pa përfituar nga vlera e shtuar që krijojnë dizajni, inovacioni, marketingu dhe pronësia intelektuale.
Ekonomistët e shpjegojnë këtë përmes teorisë së njohur si “Smile Curve”. Në njërin skaj ndodhen kërkimi, dizajni dhe zhvillimi. Në skajin tjetër marketingu, marka dhe shpërndarja. Në mes ndodhet prodhimi, pikërisht aty ku fitimi është më i ulët.
Fatkeqësisht, Shqipëria ka mbetur pikërisht në këtë pikë.
Një xhaketë që prodhohet në Shqipëri me një kosto pune prej rreth 10 eurosh, shitet më pas në Milano apo Paris për 200 euro. Diferenca nuk krijohet nga qepja, por nga marka, dizajni dhe pronësia intelektuale.
Për fat të keq, gjatë këtyre 35 viteve, asnjë strategji kombëtare nuk e trajtoi manifakturën si një sektor strategjik të zhvillimit industrial. Prioritet morën ndërtimi, tregtia dhe konsumi, ndërsa prodhimi u la të zhvillohej pothuajse vetëm. Edhe sistemi financiar mbeti konservator, duke financuar shumë më tepër betonin sesa teknologjinë industriale.
Ndërkohë, bota ka ndryshuar.
Pandemia, lufta në Ukrainë, tensionet në Lindjen e Mesme dhe krizat në zinxhirët globalë të furnizimit kanë ndryshuar filozofinë ekonomike të Bashkimit Evropian.
Sot Evropa nuk kërkon vetëm mallra me çmim të lirë. Ajo kërkon siguri industriale.
Për këtë arsye, prodhimi po rikthehet gjithnjë e më pranë tregut europian përmes strategjisë së near-shoring.
Dhe pikërisht këtu Shqipëria ka një mundësi historike.
Me pozicionin e saj gjeografik, me eksperiencën shumëvjeçare të bashkëpunimit me markat europiane dhe me fleksibilitetin e industrisë së saj, Shqipëria mund të bëhet një nga bazat më konkurruese të prodhimit në Europën Juglindore.
Prandaj, sot mund të thuhet me bindje:
Shqipëria ka nevojë për Evropën. Por sot, më shumë se kurrë, edhe Evropa ka nevojë për Shqipërinë.
Ka nevojë për një partner të besueshëm prodhues. Ka nevojë për një industri që garanton cilësi, shpejtësi dhe fleksibilitet. Ka nevojë për një bazë prodhimi të sigurt pranë tregjeve të saj.
Por integrimi evropian nuk do të jetë një rrugë e lehtë.
Kur të bëhemi pjesë e tregut të përbashkët, nuk do të konkurrojmë më me paga të ulëta. Do të konkurrojmë me teknologji, inovacion, automatizim, standarde mjedisore, digjitalizim dhe kapital njerëzor.
Prandaj Shqipëria ka nevojë urgjente për një Pakt Kombëtar për Industrinë.
Së pari, manifaktura duhet të konsiderohet sektor strategjik i sigurisë ekonomike kombëtare.
Së dyti, duhet të krijohen mekanizma financimi dhe fonde garancie që mundësojnë modernizimin teknologjik të ndërmarrjeve shqiptare.
Së treti, sistemi bankar duhet të financojë më shumë investimet prodhuese sesa ndërtimin spekulativ.
Së katërti, universitetet dhe arsimi profesional duhet të lidhen drejtpërdrejt me nevojat e Industrisë 4.0, duke përgatitur brezin e ri të inxhinierëve, dizajnerëve dhe specialistëve të prodhimit.
Integrimi në Bashkimin Evropian nuk mund të jetë vetëm një proces diplomatik apo ligjor.
Ai duhet të jetë edhe një projekt industrial.
Sepse pa një industri të fortë nuk mund të ketë ekonomi të fortë.
Pa eksporte nuk mund të ketë valutë.
Pa prodhim nuk mund të ketë mirëqenie të qëndrueshme.
Historia e 35 viteve të fundit na mëson një gjë të vetme.
Manifaktura shqiptare nuk kërkon privilegje. Ajo kërkon vetëm mundësinë për të konkurruar.
Ajo mbijetoi pa strategji.
Mbijetoi pa politika industriale.
Mbijetoi shpesh edhe pa mbështetje financiare.
Imagjinoni se çfarë mund të arrijë nëse, për herë të parë, Shqipëria vendos ta trajtojë industrinë prodhuese si një prioritet kombëtar.
Nëse vazhdojmë të eksportojmë vetëm krah pune, do të vazhdojmë të eksportojmë edhe njerëzit tanë më të mirë.
Por nëse investojmë te teknologjia, inovacioni dhe marka “Made in Albania”, atëherë do të ndërtojmë një ekonomi që krijon vlerë, mban të rinjtë në vend dhe e bën Shqipërinë një partner strategjik të Bashkimit Evropian.
Sepse Shqipëria ka nevojë për Evropën për të rritur standardet e saj. Por sot, më shumë se kurrë, edhe Evropa ka nevojë për një Shqipëri që prodhon, inovon dhe krijon vlerë. Dhe zemra e këtij transformimi është manifaktura shqiptare.

