Administrata Tatimore ka rimbursuar tatim të mbipaguar për individët që kanë dorëzuar Deklaratën Individuale Vjetore të të Ardhurave (DIVA) për vitin 2025, duke kthyer deri tani rreth 750 mijë euro në llogaritë bankare të 4,535 përfituesve.
Procesi i rimbursimit vijon normalisht edhe për individët e tjerë që rezultojnë me tatim të mbipaguar, ndërsa administrata u bën thirrje qytetarëve të verifikojnë të dhënat e tyre në sistemin elektronik e-Filing për të shmangur vonesat në përfitimin e shumave që u takojnë.
Sipas Administratës Tatimore, gjatë verifikimeve është konstatuar se një numër përfituesish nuk kanë plotësuar të dhënat e llogarisë bankare në sistemin e-Filing. Kjo mungesë e bën të pamundur transferimin e shumës së rimbursimit, edhe pse individët kanë të drejtë ta përfitojnë atë.
Për këtë arsye, Tatimet u kërkojnë të gjithë individëve që rezultojnë përfitues të plotësojnë sa më shpejt informacionin për llogarinë e tyre bankare në platformën e-Filing, në mënyrë që pagesa të kryhet pa pengesa.
Rimbursimi i tatimit të mbipaguar është një mekanizëm që garanton kthimin e shumave të paguara më tepër nga sa detyrohet një individ, pas përpunimit të Deklaratës Individuale Vjetore të të Ardhurave. Përfundimi i saktë i procedurave dhe plotësimi i të dhënave bankare janë kushtet kryesore që fondet të kalojnë automatikisht në llogaritë e përfituesve.
Administrata Tatimore ka publikuar gjithashtu një udhëzues praktik për mënyrën e plotësimit të llogarisë bankare në e-Filing, duke u bërë thirrje qytetarëve të ndjekin hapat e përcaktuar për të përfunduar me sukses procedurën dhe për të marrë rimbursimin që u takon.

