Të 13 qytetet e monitoruara në Shqipëri e tejkaluan kufirin referues të zhurmës gjatë ditës në vitin 2025, ndërsa në 11 prej tyre nivelet mbetën mbi normë edhe gjatë natës. Vetëm Lezha dhe Përmeti regjistruan mesatare nate nën kufirin prej 45 decibelësh, duke treguar se ndotja akustike është kthyer në një problem të përhapur në qendrat urbane dhe jo vetëm në qytetet më të mëdha.
Tirana kishte nivelin mesatar më të lartë gjatë ditës, me 63.07 dB, kundrejt normës prej 55 dB të përdorur në raport. Vlora u rendit menjëherë pas saj me 63 dB, ndërsa natën ishte qyteti më i zhurmshëm, me një mesatare prej 53.56 dB, ose 8.56 dB mbi kufirin prej 45 dB.
Në Tiranë, mesatarja e natës arriti në 53.05 dB. Kjo do të thotë se dy qytetet kryesore rezultojnë mbi normë jo vetëm gjatë orareve të aktivitetit ekonomik dhe trafikut të rënduar, por edhe në periudhën nga ora 23:00 deri në orën 06:00, kur niveli i lejuar është më i ulët.
Monitorimi i Agjencisë Kombëtare të Mjedisit është kryer për një periudhë matjeje 24-orëshe. Niveli i ditës është përllogaritur për intervalin 06:00–23:00, ndërsa ai i natës për intervalin 23:00–06:00. Raporti identifikon trafikun rrugor si burimin kryesor të zhurmës në vend, ndërsa lokalet kontribuojnë në ndotjen akustike si ditën, ashtu edhe natën.
Vlora më e zhurmshmja natën
Në Vlorë, të katër stacionet e monitoruara rezultuan mbi normë si gjatë ditës, ashtu edhe gjatë natës. Niveli më i lartë gjatë ditës u regjistrua në Ujin e Ftohtë, me 64.51 dB, ndërsa pika më problematike natën ishte “Xhamia”, me 55.37 dB.
Kjo pikë rezultoi 10.37 dB mbi kufirin e natës. Raporti e shpreh tejkalimin në masën 23.04%. Edhe te Hotel Bolonja, Hyrja e Qytetit dhe Uji i Ftohtë, nivelet gjatë natës lëvizën nga 53.43 në 53.85 dB, duke mbetur dukshëm mbi normë.
Mesatarja e Vlorës arriti në 63 dB gjatë ditës dhe 53.56 dB natën. Qyteti rezultoi i dyti pas Tiranës gjatë ditës, por i pari për nivelin mesatar të zhurmës gjatë natës.
Në Tiranë nuk kishte asnjë stacion brenda normës
Situata paraqitet veçanërisht problematike në Tiranë, ku të 15 stacionet e monitoruara e tejkaluan normën si ditën, ashtu edhe natën.
Niveli më i lartë u regjistrua te Farmacia 10, me 64.73 dB gjatë ditës dhe 56.23 dB gjatë natës. Sipas raportit, tejkalimi në këtë pikë ishte 17.69% ditën dhe 24.9% natën.
Edhe stacioni me nivelin më të ulët gjatë ditës, Stadiumi Dinamo, regjistroi 61.66 dB, ose 6.66 dB mbi kufirin. Natën, vlerat më të ulëta u matën te Selvia dhe Pallati i Kongreseve, me nga 50.1 dB, por edhe këto pika qëndruan 5.1 dB mbi normë.
Nivele të larta u regjistruan gjithashtu pranë Stacionit të Trenit, Laprakës, Drejtorisë së Policisë dhe Shkollës “Edit Durham”. Kjo tregon se tejkalimet në kryeqytet nuk përqendrohen vetëm në një kryqëzim apo zonë të veçantë, por shtrihen në të gjithë rrjetin e pikave të monitoruara.
Saranda dhe Fieri pranë niveleve të Tiranës dhe Vlorës
Pas Tiranës dhe Vlorës, nivelet më të larta mesatare gjatë ditës u regjistruan në Sarandë, me 62.87 dB, dhe në Fier, me 61.67 dB. Natën, Saranda arriti në 52.94 dB dhe Fieri në 52.31 dB.
Në Sarandë, të katër stacionet e monitoruara ishin mbi normë në të dyja periudhat. Pika pranë Bashkisë regjistroi 63.71 dB ditën dhe 55.13 dB natën. Raporti e vlerëson nivelin e natës në këtë pikë 22.5% mbi normën.
Edhe Gjirokastra, Korça, Berati dhe Pogradeci rezultuan dukshëm mbi kufijtë referues. Mesatarja e natës ishte 49.98 dB në Gjirokastër, 49.5 dB në Berat, 48.9 dB në Korçë dhe 47.64 dB në Pogradec.
Shkodra mbi normë vetëm me 0.32 dB natën
Në pjesën e poshtme të renditjes, Shkodra regjistroi një mesatare prej 45.32 dB natën, vetëm 0.32 dB mbi kufirin. Lushnja rezultoi me 46.23 dB, Kukësi me 47.1 dB dhe Pogradeci me 47.64 dB.
Vetëm Lezha, me 44.16 dB, dhe Përmeti, me 44.29 dB, qëndruan brenda normës mesatare të natës. Megjithatë, edhe këto dy qytete e tejkaluan kufirin gjatë ditës. Lezha regjistroi 56.24 dB dhe Përmeti 55.15 dB, vetëm 0.15 dB mbi normë.
Në Përmet, tejkalimi gjatë ditës nuk u evidentua në të dyja pikat. Stacioni pranë urës në hyrje të qytetit regjistroi 54.07 dB, ndërsa pika pranë Bashkisë arriti në 56.23 dB. Natën, të dyja pikat qëndruan nën kufi, përkatësisht me 43.89 dhe 44.69 dB.
Agjencia Kombëtare e Mjedisit e lidh nivelin e lartë të zhurmave kryesisht me trafikun rrugor. Varësia e lartë nga transporti automobilistik, në kushtet kur sistemi hekurudhor është pak i zhvilluar, e përqendron lëvizjen e udhëtarëve dhe mallrave në rrugët urbane./ekofin.al


