Fondi Shqiptar i Zhvillimit ka hapur një tender për përmirësimin e sigurisë dhe sinjalistikës rrugore, me një buxhet prej 333.3 milion lekësh. Ndërhyrjet do të përfshijnë katër rajone të vendit, megjithatë akset specifike ende nuk janë bërë të ditura. Qëllimi është të rritet aksesibiliteti në zona turistike dhe ekonomike, në kuadër të programit “100 Fshatrat”.
Sipas dokumenteve të tenderit, është hartuar një listë paraprake e rrugëve që do të trajtohen, ndërsa përzgjedhja finale do të varet nga fondet e disponueshme. Aktualisht, sinjalistika rrugore nuk përmbush standardet e nevojshme dhe shumica e akseve janë jashtë kushteve teknike të projektimit.
Projektet do të synojnë përmirësimin e cilësisë së jetës për komunitetet në zonat urbane dhe lidhjen e vendeve turistike me potencial për zhvillim ekonomik. Ndërhyrjet do të rrisin sigurinë e lëvizjes për automjetet dhe këmbësorët. Tenderi do të qëndrojë i hapur deri më 4 tetor për kompanitë e interesuara.
