Aeroporti Ndërkombëtar i Tiranës (TIA) planifikon të krijojë deri në 300 vende të reja pune gjatë vitit 2027, në kuadër të strategjisë së zgjerimit të kapaciteteve dhe investimeve për të përballuar rritjen e vazhdueshme të numrit të pasagjerëve dhe fluturimeve.
Planet për zgjerimin e punësimit janë konfirmuar për ekofin.al nga drejtues të Aeroportit Ndërkombëtar të Tiranës, ndërsa kompania ka hapur aktualisht një numër të konsiderueshëm pozicionesh pune në departamente të ndryshme, duke ofruar mundësi punësimi si për profesionistë me përvojë, ashtu edhe për kandidatë që synojnë të nisin karrierën në industrinë e aviacionit.
Sipas platformës zyrtare të rekrutimit të TIA-s, janë publikuar pozicione pune në shërbimet aeroportuale, sigurinë, asistencën ndaj pasagjerëve, përpunimin e bagazheve, teknologjinë e informacionit, administrimin e infrastrukturës dhe shërbimet tregtare.
Cilat janë vendet aktuale të punës?
Një pjesë e rëndësishme e vendeve të lira lidhet me operacionet e përditshme të aeroportit dhe shërbimet ndaj pasagjerëve.
TIA kërkon punonjës për përpunimin e bagazheve (Baggage Handler), agjentë të shërbimit ndaj pasagjerëve (Passenger Customer Service Agent), agjentë të operacioneve në pistë (Ramp Agent), specialistë të shërbimeve tokësore (Ground Handling Specialist), si dhe përgjegjës dhe drejtues ekipesh në terminal.
Në fushën e sigurisë janë të hapura pozicione për agjentë kontrolli (Screening Agent), agjentë të sigurisë së trafikut dhe agjentë të kontrollit të hyrjeve.
Mundësi punësimi ofrohen gjithashtu për specialistë të biletarisë, agjentë të portave elektronike E-Gate, asistentë për pasagjerët me lëvizshmëri të kufizuar, punonjës të ndihmës së parë, drejtues automjetesh për shërbimet CIP dhe personel të pastrimit.
Ndërkohë, për profesionistët me kualifikime të specializuara, aeroporti ka shpallur vende pune për inxhinier gjeodet, arkitekt kantieri, analist të sigurisë së informacionit, specialist të analizës së të dhënave dhe raportimit, specialist tregtar për sektorin e shitjeve me pakicë, si dhe specialist për trajnimin dhe përputhshmërinë me standardet.
Lista përfshin edhe pozicione në shërbimet e magazinimit dhe mundësi praktike për të rinjtë.
Zgjerimi i punësimit, pjesë e investimeve për rritjen e kapaciteteve
Perspektiva për krijimin e deri në 300 vendeve të reja të punës gjatë vitit të ardhshëm lidhet me zhvillimin e shpejtë që ka njohur Aeroporti Ndërkombëtar i Tiranës gjatë viteve të fundit.
Rritja e trafikut ajror, shtimi i destinacioneve ndërkombëtare dhe zgjerimi i operacioneve të kompanive ajrore kanë rritur nevojën për kapacitete të reja infrastrukturore, teknologjike dhe njerëzore.
Sipas të dhënave të publikuara nga TIA, aeroporti përpunoi 11.6 milionë pasagjerë gjatë vitit 2025, ndërsa për vitin 2026 parashikohet që trafiku të kalojë mbi 13 milionë pasagjerë. Kjo rritje është shoqëruar me investime të konsiderueshme nga Grupi Kastrati, që administron aeroportin që prej vitit 2020.
Terminali i pasagjerëve është trefishuar në sipërfaqe, janë shtuar kapacitetet e check-in dhe portat e imbarkimit, ndërsa pista është zgjatur në 3,000 metra. Kapaciteti i parkimit të avionëve është rritur nga 7 në 31 pozicione.
Investimet kanë përfshirë gjithashtu teknologji të reja për kontrollin e sigurisë, sistemet biometrike të identifikimit dhe përmirësimin e shërbimeve për pasagjerët.
Vetëm në shtator 2026, TIA njoftoi një investim prej 2 milionë eurosh për blerjen e 46 mjeteve dhe pajisjeve të reja për shërbimet tokësore, përfshirë pajisje për ngarkimin dhe shkarkimin e bagazheve, transportin e tyre dhe shërbimin e avionëve.
Paralelisht, aeroporti po investon edhe në digjitalizimin e proceseve, përmes një sistemi të ri të integruar të menaxhimit aeroportual, i cili synon koordinimin më efikas të operacioneve, kompanive ajrore dhe shërbimeve mbështetëse.
Si mund të aplikojnë kandidatët?
Të interesuarit mund të aplikojnë përmes platformës zyrtare të punësimit të Aeroportit Ndërkombëtar të Tiranës:
https://jobs.tirana-airport.com/
Kandidatët duhet të përzgjedhin pozicionin për të cilin janë të interesuar, të plotësojnë formularin elektronik dhe të ngarkojnë CV-në brenda afatit të përcaktuar për secilin njoftim.
TIA sqaron se aplikimet pranohen vetëm përmes platformës online dhe jo fizikisht. Kandidatët mund të aplikojnë për më shumë se një pozicion, nëse plotësojnë kriteret përkatëse.
Për disa role nuk kërkohet domosdoshmërisht përvojë e mëparshme në aviacion, pasi kompania ofron edhe mundësi trajnimi dhe zhvillimi profesional.
Përveç vendeve të shpallura, platforma ofron edhe mundësinë e aplikimit të hapur, përmes së cilës kandidatët mund të paraqesin interesin për pozicione që mund të krijohen në të ardhmen. /ekofin.al
