Çmimet në muajin nëntor kanë shënuar rritje të ndjeshme, duke reflektuan shtrenjtimin e shumë produkteve bazë, kryesisht ushqime dhe pije alkoolike si dhe kostot e transportit.
INSTAT njoftoi se inflacioni, apo Indeksi i Çmimeve të Konsumit të Konsumit, që mat ndryshimin e një shporte bazë mallrash u rrit me 3.1% në nëntor, në krahasim me të njëjtën periudhë të një viti më parë.
Kjo është rritja më e lartë në më shumë se një dekadë, që nga korriku i vitit 2011, kur inflacioni ishte në nivelin e 3.6%.
Për herë të parë në 10 vjet inflacioni ka tejkaluar objektivin e shënjestruar të bankës së Shqipërisë prej 3%. Deri tani Banka e Shqipërisë, e cila ka si objektiv kryesor ruajtjen e stabilitetit të çmimeve, kishte ndjekur një politikë të ndjeshme lehtësuese, duke e ulur normën bazë (instrumentin që ajo ka në dorë për të ndikuar në tregjet financiare dhe ofertën e parasë) në nivele minimale historike prej 0.5%. Banka ka sinjalizuar se mund të ndryshojë kahun e politikës monetare në varësi të ecurisë së inflacionit.
Të gjitha grupet kanë shënuar rritje të çmimeve, por më i fortë ka qenë efekti i ushqimeve dhe pijeve, të cilat zënë dhe peshën më të lartë të shpenzimeve të një familjeje, me rreth 42% që është më e larta në rajon dhe Europë (në bashkimin Europian kjo peshë është rreth 13%). Si rrjedhojë, çdo shtrenjtim i produkteve ushqimore ka efekt të lartë në inflacion.
Sipas INSTAT, Rritja vjetore e çmimeve në muajin Nëntor është ndikuar kryesisht nga grupi “Ushqime dhe pije joalkoolike” me +1,77 pikë përqindje, pasuar nga grupi “Transporti” me +0,47 pikë përqindje. Çmimet e grupit “Qira, ujë, lëndë djegëse dhe energji” me +0,34 pikë përqindje. Çmimet e grupit “Argëtim dhe kulturë” me +0,13 pikë përqindje. Çmimet e grupeve “Komunikimi” dhe “Hotele, kafene dhe restorante” kanë kontribuar me +0,10 pikë përqindje secili. Çmimet e grupit “Mobilje, pajisje shtëpie dhe mirëmbajtje e shtëpisë” kanë kontribuar me +0,09 pikë përqindje. Çmimet e grupit “Veshje dhe këpucë” kanë kontribuar me +0,07 pikë përqindje. Çmimet e grupit “Pije alkoolike dhe duhan” kanë kontribuar me +0,06 pikë përqindje. Çmimet e grupit “Shëndeti” kanë kontribuar me +0,03 pikë përqindje. Çmimet e grupit “Shërbimi arsimor” kanë kontribuar me +0,02 pikë përqindje. Çmimet e grupit “Mallra dhe shërbime të ndryshme” kanë kontribuar me -0,04 pikë përqindje.