Të rinjtë po i drejtohen gjithnjë e më shumë rrjeteve sociale për informacion dhe këshilla financiare, mes një morie sugjerimesh të dyshimta. Çfarë thonë ekspertët se duhet të vëzhgojmë?
“Aksionet e kompanive të mbrojtjes i bëjnë njerëzit milionerë në 95% të rasteve”, thotë një burrë në një video në TikTok, përpara se t’u drejtojë ndjekësve të tij vëmendjen te disa kompani të sektorit të mbrojtjes.
Kjo është vetëm një nga videot që ofrojnë këshilla investimi. Disa prej tyre shfaqin krijuesit e përmbajtjes, ndërsa të tjera përdorin persona të gjeneruar nga inteligjenca artificiale për t’u ofruar përdoruesve sugjerime mbi aksionet dhe këshilla financiare ndërsa lundrojnë në rrjetet sociale në Evropë.
Por sa duhet t’u besoni realisht këtyre këshillave?
Një analizë e re e 150 videove të njohura në TikTok që lidhen me financat, e kryer nga faqja e krahasimit të brokerëve BrokerListings.com, sugjeron se shikuesit duhet të jenë të kujdesshëm.
Videot e analizuara kishin marrë të paktën 100 mijë shikime secila dhe trajtonin tema që varionin nga aksionet dhe kriptomonedhat deri te borxhet dhe financat personale.
Platforma zbuloi se më shumë se 70% e krijuesve të këtyre videove nuk kishin një profil të qartë profesional në shërbimet financiare apo kualifikime të përshtatshme për të ofruar këshilla të besueshme për publikun.
Për më tepër, më shumë se 60% e videove nuk shpjegonin në mënyrë të mjaftueshme rreziqet ose anët negative të produkteve financiare apo situatave që trajtonin.
Gjetjet vijnë në një kohë kur rregullatorët po përballen gjithnjë e më shumë me ndikimin e rrjeteve sociale te investitorët e rinj.
Ulf Linke, ekspert për mbrojtjen e konsumatorit në rregullatorin financiar gjerman BaFin, tha për The Cube, ekipin e verifikimit të fakteve të Euronews, se autoriteti sheh një “trend të qartë” drejt këshillave për investime në rrjetet sociale, veçanërisht te të rinjtë.
Një sondazh i BaFin në vitin 2024 zbuloi se më shumë se gjysma e investitorëve Millennials dhe të Gjeneratës Z e konsideronin rrjetet sociale si burim të besueshëm informacioni financiar, ndërsa 60% e shihnin atë si një alternativë të mirë ndaj këshillimit profesional financiar.
Në prill, Parlamenti Evropian mbështeti kërkesat për standarde minimale për të ashtuquajturit “finfluencers” – influencerë që japin këshilla financiare në rrjetet sociale – duke përmendur veçanërisht rreziqe si reklamat e fshehura, pretendimet mashtruese, mashtrimet dhe përmbajtjet financiare të krijuara nga inteligjenca artificiale.
Sipas eurodeputetëve, rrjetet sociale janë bërë një burim “kryesor” i informacionit financiar për shumë të rinj.
Autoriteti Evropian i Letrave me Vlerë dhe Tregjeve (ESMA) ka publikuar gjithashtu udhëzime për finfluencerët, duke paralajmëruar se rregullat për rekomandimet e investimeve mund të zbatohen edhe për përmbajtjet financiare të publikuara në rrjetet sociale.
Sipas këtyre rregullave, një person që rekomandon një investim mund të jetë i detyruar të bëjë të qartë se kush është, të ndajë faktet nga opinionet dhe të deklarojë nëse mund të përfitojë financiarisht nga ajo që po promovon.
Edhe shprehja publike e një opinioni se një aksion ose kriptomonedhë do të rritet apo do të bjerë mund të konsiderohet, në rrethana të caktuara, rekomandim investimi.
ESMA thekson se një deklaratë si “Ky nuk është këshillim investimi” nuk të mbron domosdoshmërisht në këto raste.
Pse këshillat financiare në TikTok mund të jenë të rrezikshme?
Formati i videove të shkurtra është një nga arsyet kryesore pse rrjetet sociale mund të jenë burim problematik për informacion financiar apo këshilla mbi menaxhimin e parave. Kohëzgjatja e shkurtër mund të bëjë që shumë informacione të rëndësishme të mos përfshihen.
Sipas James Barra, drejtues i përmbajtjes dhe kërkimit në BrokerListings, videot e shkurtra në platforma si TikTok dhe Instagram nuk janë gjithmonë të përshtatshme për shpjegimet e gjata dhe të balancuara që kërkojnë disa produkte financiare.
Një video e shkurtër që promovon një mënyrë për të fituar para shtesë ose një skemë për t’u pasuruar shpejt mund të jetë më tërheqëse sesa një shpjegim i gjatë që analizon si përfitimet, ashtu edhe rreziqet.
Këshillat mund të arrijnë gjithashtu te njerëz me nivele shumë të ndryshme njohurish dhe përvoje financiare.
Për shembull, një investim mund të përbëjë vetëm një pjesë të vogël të portofolit të një investitori me përvojë, por mund të jetë shumë më i rrezikshëm për një të ri që vendos një pjesë të madhe të kursimeve të tij në të.
“Dhe kjo lloj nuance… nuk ke domosdoshmërisht hapësirë për ta shpjeguar në videot e shkurtra në TikTok”, tha Barra.
BrokerListings zbuloi gjithashtu se përmbajtjet më shqetësuese nuk vinin domosdoshmërisht nga influencerët financiarë më të mëdhenj.
Barra tha se influencerët e mëdhenj dhe partneritetet tregtare kanë tërhequr më shumë vëmendjen e rregullatorëve dhe platformave sociale, ndërsa krijuesit më të vegjël mund të prodhojnë gjithashtu përmbajtje që arrin një audiencë të konsiderueshme, por që përballet me më pak kontroll.
TikTok tha se udhëzimet e tij për mallrat, shërbimet dhe aktivitetet tregtare të rregulluara përcaktojnë rregullat që zbatohen për këtë lloj përmbajtjeje. Platforma tha se merr masa, përfshirë heqjen e përmbajtjeve, kur ato shkelin këto rregulla.
TikTok gjithashtu ndalon mashtrimet financiare dhe tha se 99% e videove që hoqi për shkelje të politikave kundër mashtrimeve në tremujorin e parë të vitit 2026 u identifikuan dhe u hoqën në mënyrë proaktive, përpara se të raportoheshin nga përdoruesit.
A është e gjithë përmbajtja financiare në rrjetet sociale e pabesueshme?
Jo. Pavarësisht shqetësimeve, jo çdo përmbajtje financiare në rrjetet sociale është e pabesueshme.
BrokerListings thotë se studiuesit e saj gjetën gjithashtu krijues që ndanin informacion të dobishëm për tema si menaxhimi i buxhetit, shlyerja e borxheve, krijimi i një fondi emergjence dhe investimi afatgjatë.
Rrjetet sociale mund të jenë gjithashtu një mënyrë alternative për të rinjtë që duan të mësojnë rreth financave personale.
“Ti nuk i mëson këto gjëra në shkollë, nuk i mëson në universitet. Shumë njerëz nuk i mësojnë as nga prindërit”, tha Barra.
Ekzistojnë gjithashtu kanale të konsoliduara të edukimit financiar që ndjekin një qasje krejt tjetër nga rekomandimet e shpejta për aksione dhe premtimet për fitime të larta.
Për shembull, kanali gjerman Finanzfluss, i prezantuar nga ish-analisti i investimeve bankare Thomas Kehl, ka krijuar një audiencë të madhe online për edukimin financiar, duke prodhuar përmbajtje mbi ETF-të, bazat e investimit, kursimet dhe planifikimin e pensionit.
Në një video të fundit në TikTok, kanali diskuton rritjen e ETF-ve të menaxhuara në mënyrë aktive në SHBA dhe Evropë, duke shpjeguar produktin dhe zhvillimet e tregut, në vend që të drejtojë shikuesit drejt një aksioni të caktuar dhe t’u premtojë atyre fitime.
Si të dalloni këshillat financiare të pabesueshme online?
Ekspertët paralajmërojnë se përdoruesit duhet të kontrollojnë me kujdes kush qëndron pas përmbajtjes financiare që po shohin.
Sipas Linke, krijuesit e besueshëm duhet të identifikojnë qartë veten; të ofrojnë të dhëna kontakti të verifikueshme; të deklarojnë konfliktet e mundshme të interesit; të shpjegojnë formimin dhe përvojën profesionale që i kualifikon për të folur rreth investimeve.
Nëse këto informacione mungojnë, investitorët nuk duhet t’u besojnë këshillave për investime, tha ai.
Linke paralajmëroi gjithashtu që përdoruesit të jenë dyshues ndaj këshillave që premtojnë fitime të larta pa shpjeguar rreziqet, si dhe të mos bien pre e presionit apo frikës se mos humbasin një mundësi fitimi.
Një tjetër shenjë paralajmëruese, sipas Barrës, është përmbajtja e bazuar në shfaqjen e pasurisë, si makina të shtrenjta, hotele luksoze ose sugjerime se ndjekja e një strategjie të caktuar investimi mund t’i çojë edhe ata drejt një stili të tillë jetese.
Edhe urgjenca duhet të ngrejë pikëpyetje. Barra përmendi videot që thonë se një aksion do të shpërthejë ose do të rrëzohet së shpejti, apo videot që sugjerojnë se përdoruesit kanë vetëm një periudhë shumë të shkurtër për të blerë një kriptomonedhë të caktuar.
Përdoruesit duhet gjithashtu të kontrollojnë nëse krijuesi përfiton financiarisht nga ajo që promovon. Disa krijues marrin komision kur një shikues regjistrohet në një platformë tregtimi përmes lidhjes së tyre.
Sponsorizimet apo marrëveshjet e afiliimit nuk do të thotë domosdoshmërisht se informacioni është i pabesueshëm, por rregullat evropiane kërkojnë që konfliktet e interesit të bëhen të ditura.
ESMA rekomandon që konsumatorët ta kontrollojnë informacionin e marrë nga rrjetet sociale me burime të tjera përpara se të marrin vendime financiare.
Kjo mund të nënkuptojë kontrollimin e informacionit të publikuar nga rregullatorë financiarë si ESMA apo autoritete kombëtare si BaFin; kontrollimin e raporteve zyrtare të kompanive kur një video bën pretendime për një biznes të caktuar; dhe kërkimin e informacionit në media financiare të njohura.
Investitorët mund të përdorin gjithashtu regjistrat e rregullatorëve kombëtarë për të kontrolluar nëse një kompani apo individ që ofron shërbime financiare është i autorizuar për ta bërë këtë.
Në fund të fundit, shpejtësia me të cilën përdoruesit mund të kalojnë nga shikimi i një TikTok-u te vendosja e parave të tyre në rrezik e bën këtë kontroll edhe më të rëndësishëm.
Barra shpjegoi se dikush mund të shohë një video që rekomandon disa aksione, të pyesë një chatbot me inteligjencë artificiale nëse janë investime të mira dhe më pas të hapë një aplikacion tregtimi për t’i blerë ato — e gjitha brenda pak minutash.
“E gjithë kjo rrugë mund të jetë shumë më e shpejtë se dikur”, tha ai. /Përshtati nga Euronews, ekofin.al
