Shqiptarët nuk janë ndër qytetarët më të kënaqur me jetën e tyre në Ballkanin Perëndimor, por kur pyeten për të ardhmen financiare, panorama ndryshon ndjeshëm. Shqipëria ka nivelin më të lartë të optimizmit në rajon për gjendjen financiare gjatë 12 muajve të ardhshëm, me një vlerësim mesatar prej 3.4 pikësh nga 5, ndërsa kënaqësia e përgjithshme me jetën vlerësohet vetëm me 6.7 pikë nga 10, nën mesataren rajonale prej 7 pikësh.
Ky është kontrasti që del nga Barometri i Ballkanit 2025- Opinioni i Publikut, raporti i Këshillit të Bashkëpunimit Rajonal, i cili mat perceptimet e qytetarëve në Shqipëri, Bosnjë-Hercegovinë, Kosovë, Mal të Zi, Maqedoni të Veriut dhe Serbi.
Në vlerësimin e përgjithshëm të jetës, Shqipëria renditet në pjesën e poshtme të rajonit. Mesatarja prej 6.7 pikësh është më e ulët se ajo e Bosnjë-Hercegovinës, e cila kryeson me 7.4 pikë, Malit të Zi me 7.3, si edhe Kosovës dhe Serbisë me nga 7.0 pikë. Vetëm Maqedonia e Veriut ka një vlerësim më të ulët, me 6.4 pikë. Mesatarja për të gjashtë ekonomitë e Ballkanit Perëndimor është 7.0 pikë.

Diferenca nuk është shumë e madhe në pikë, por bëhet më domethënëse kur krahasohet me perceptimin për të ardhmen. Në pyetjen se si presin të ndryshojë gjendja e tyre financiare gjatë 12 muajve të ardhshëm, Shqipëria merr 3.4 pikë nga 5, rezultati më i lartë në Ballkanin Perëndimor. Pas saj renditen Kosova dhe Mali i Zi me nga 3.3 pikë, Bosnjë-Hercegovina dhe Maqedonia e Veriut me nga 3.1, ndërsa Serbia ka rezultatin më të ulët, me 3.0 pikë. Mesatarja e rajonit është 3.2 pikë.
Tendenca është përmirësuar edhe në nivel rajonal krahasuar me një vit më parë. Në të gjithë Ballkanin Perëndimor, 36% e qytetarëve presin që gjendja e tyre financiare të përmirësohet, nga 26% që jepnin këtë përgjigje në 2024. Në të njëjtën kohë, pjesa që pret përkeqësim ka rënë në 17%, nga 24% një vit më parë, ndërsa 45% presin që situata të mbetet e pandryshuar. Raporti veçon pikërisht Shqipërinë si vendin me optimizmin më të lartë financiar.
Ky optimizëm për të ardhmen nuk buron nga një nivel veçanërisht i lartë kënaqësie me financat aktuale. Kur pyeten për gjendjen financiare të familjes së tyre, shqiptarët japin një vlerësim mesatar prej 6.1 pikësh nga 10, saktësisht sa mesatarja e Ballkanit Perëndimor. Bosnjë-Hercegovina ka rezultatin më të lartë, me 6.7 pikë, e ndjekur nga Mali i Zi me 6.4. Kosova është në 6.0, Serbia në 5.9 dhe Maqedonia e Veriut në 5.8 pikë. Në nivel rajonal, kënaqësia me financat e familjeve ka mbetur përgjithësisht e pandryshuar nga viti 2024.
Edhe në tregun e punës Shqipëria nuk shkëputet nga mesatarja. Kënaqësia me punën vlerësohet me 6.4 pikë nga 10 në Shqipëri, po aq sa mesatarja e rajonit. Kosova arrin në 7.0 pikë, Bosnjë-Hercegovina në 6.8 dhe Mali i Zi në 6.7, ndërsa rezultatet janë më të ulëta në Serbi me 6.1 dhe në Maqedoninë e Veriut me 5.8 pikë.
Megjithatë, perceptimi më pozitiv për atë që mund të vijë duket edhe në një tregues më të gjerë të raportit. Indeksi i Sentimentit Publik Ballkanik (BPSI) për Shqipërinë arriti në 57 pikë në vitin 2025, rezultati më i lartë i regjistruar për vendin që nga fillimi i serisë së Barometrit. Në të gjithë Ballkanin Perëndimor, indeksi u rrit nga 49 pikë në 2024 në 53 pikë në 2025.
Përmirësimi nuk lidhet vetëm me pritshmëritë. Nënindeksi që mat perceptimin e situatës aktuale në Shqipëri u rrit me 6 pikë, duke arritur në 56 pikë në 2025. Për Ballkanin Perëndimor në tërësi, ky tregues u rrit nga 46 në 52 pikë. Mali i Zi shënoi rritjen më të madhe, me 8 pikë, në 55, ndërsa Shqipëria dhe Bosnjë-Hercegovina patën nga 6 pikë përmirësim.
Megjithatë, e njëjta prirje shfaqet kur qytetarët pyeten drejtpërdrejt për ekonominë. Shqipëria ka vlerësimin mesatar më të lartë në rajon për gjendjen e përgjithshme ekonomike, me 2.9 pikë nga 5, ndërsa mesatarja e rajonit është vetëm 2.6 pikë. Pas Shqipërisë vjen Mali i Zi me 2.7, Kosova dhe Serbia me 2.6, Maqedonia e Veriut me 2.5 dhe Bosnjë-Hercegovina me 2.1 pikë.
Megjithatë shqetësimet ekonomike janë të forta. 72% e shqiptarëve e rendisin rritjen e çmimeve, inflacionin dhe koston e jetesës ndër tri problemet kryesore të vendit, më shumë se mesatarja rajonale prej 66%. Po ashtu, 56% përmendin gjendjen e përgjithshme ekonomike, kundrejt 44% në Ballkanin Perëndimor.
Kjo do të thotë se optimizmi për 12 muajt e ardhshëm bashkëjeton me një perceptim ende të fortë të presionit ekonomik aktual. Qytetarët shqiptarë shprehen më pozitivisht për perspektivën e financave të tyre sesa qytetarët e vendeve të tjera të rajonit, por në të njëjtën kohë kostoja e jetesës dhe gjendja e ekonomisë janë ndër shqetësimet e tyre më të mëdha./ekofin.al

