Zhvendosja e vendeve të punës jashtë vendit kursen para, por njëkohësisht nënkupton humbjen e dhjetëra mijëra pozicioneve vendase. Cilat vende kanë çekuilibrin më të madh?
Shumica dërrmuese e bizneseve me bazë në Bashkimin Evropian kanë zhvendosur vende pune jashtë, me Indinë si destinacionin më të preferuar jashtë bllokut.
Outsourcing-u (zhvendosja e fuqisë punëtore jashtë vendit) është një mënyrë për dhjetëra mijëra sipërmarrës për të kursyer para — dhe ndoshta për të mbijetuar. Megjithatë, ai nënkupton edhe shkurtime të vendeve të punës brenda vendit, të cilat, në shumicën e rasteve, nuk zëvendësohen.
Në fakt, bilanci i tregtisë së vendeve të punës është negativ.
Si pasojë e outsourcing-ut, vendet e BE-së humbën rreth 150,000 vende pune, afërsisht tre herë më shumë sesa ato që u krijuan përmes të njëjtit proces midis viteve 2021 dhe 2023, sipas një raporti të fundit të Eurostat.
Cilat vende kanë humbjet më të mëdha të vendeve të punës nga outsourcing-u?
Disa nga deficitët më të mëdhenj u regjistruan në Evropën Qendrore.
Në Poloni dhe Hungari, outsourcing-u eliminoi rreth dhjetë herë më shumë vende pune sesa krijoi, sipas një analize të Europe in Motion bazuar në të dhënat e Eurostat.
Duke përjashtuar Maltën, vetëm Finlanda regjistroi një çekuilibër më të keq, me 15 herë më shumë pozicione të humbura sesa të krijuara.
Megjithatë, në shifra absolute, Gjermania dallohet me humbjen neto më të madhe të vendeve të punës — 50,000 — shumë më tepër se ekonomitë e tjera të mëdha si Franca (rreth 5,000) dhe Italia (pak mbi 1,000).
Ka vetëm tre përjashtime në BE ku numri i vendeve të punës të krijuara përmes zhvendosjes është më i lartë se ai i vendeve të humbura.
Irlanda është bindshëm lider në këtë drejtim me një bilanc neto prej afro 5,000 vendesh pune. Pas saj vijnë Republika Çeke me pak mbi 800 dhe Spanja me gati 300.
Megjithatë, Irlanda është gjithashtu një nga vendet me përqindjen më të lartë të bizneseve që furnizohen nga jashtë.
“Përqindja më e lartë e furnizimit ndërkombëtar gjendet në ekonomi të vogla dhe të hapura, me kosto të larta pune,” thotë Eurostat.
Sllovakia kryeson listën me 11%, e ndjekur nga Irlanda me 10% dhe Danimarka me 9%.
Cilët sektorë preken më shumë nga zhvendosja e vendeve të punës?
Sektori më i goditur është prodhimi — prodhimi i mallrave dhe materialeve — me më shumë se 53,000 vende pune të humbura vetëm në këto dy vite, i ndjekur nga puna administrative dhe menaxheriale me rreth 34,000.
Por, proporcionalisht, sektori i IT-së vuan më shumë — duke humbur mbi 15,000 role, ose rreth 0.5% të punësimit total — i ndjekur nga vendet e punës në kërkim dhe zhvillim (R&D) me 0.4%.
Në përgjithësi, arsyeja kryesore e zhvendosjes është kursimi i kostove të punës (34%), e ndjekur nga ulja e kostove të tjera (28%) ose përqendrimi në aktivitetin bazë të biznesit (20%).
Sa i përket destinacionit të këtyre vendeve të punës, destinacioni kryesor jashtë BE-së është India, e ndjekur nga Mbretëria e Bashkuar, Kanadaja dhe SHBA-ja së bashku, si dhe Kina, sipas Eurostat.


