Banka Botërore ka realizuar një video promovuese për aderimin e mundshëm të Shqipërisë në Zonën Unike të Pagesave në Euro dhe përfitimet që vijnë nga ky hap.
Ministri i Financave, Ervin Mete, në videomesazh thekson se “në momentin e aderimit të trasfertave euro në BE-në, do të konsiderohen sikur të jenë bërë nga një vend anëtar i BE-së.
“Përmes saj, pagesat dhe transfertat për dhe nga Shqipëria mund të kryhen kudo nga Bashkimi Evropian, duke e bërë procesin më të shpejtë, më të lirë dhe më të lehtë”, theksoi më tej Mete.
Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Gent Sejko tha se, “me SEPA pagesat janë të shpejta, të sigurta dhe më të lira”.
“Pagesat mund të bëhen nga kudo në Europë dhe në çdo kohë. Me SEPA nuk do të ketë më vonesa apo tarifa të larta për transferimet kufitare të euros”, u shpreh Guvernatori, teksa solli në vëmendje se qytetarët mund të dërgojnë para me komoditet të lartë dhe me çmime disa herë më të ulëta nga aktualisht.
Anëtarësimi i Shqipërisë në SEPA shihet pozitivisht edhe nga industria bankare.
Bledar Shella, President i Shoqatës Shqiptare të Bankave u shpreh se, përfitimet e SEPA-s për bankat shqiptare dhe klientët e tyre, individë dhe biznese është një ulje e ndjeshme e kostos së tranfertave në të gjithë europën dhe një lehtësim i ndjeshëm i tyre.
“Bankat shqiptare janë të vendosura për emetimin sa më shpejtë të këtij sistemi në mënyrë që të rrisin më tej transfertat elektronike dhe të ndihmojnë klientët e tyre”, tha Shella.
