Rritja e çmimeve të konsumit gjatë tetorit, sipas metodologjisë së Eurostat fiksohet në 2,5% në terma vjetorë, nga 2,4% që tregonte metodologjia e Instat. Kështu, rritja më e madhe e çmimeve, prej 3,9% vërehet në grupet “Ushqime dhe pije joalkoolike” dhe “Transporti”, pasuar nga grupet “Komunikimi” me 3,0 %, “Argëtim dhe kulturë” me 2,3%, “Hotele, kafene dhe restorante” me 2,0%, “Pije alkoolike dhe duhan” dhe “Qira, ujë, lëndë djegëse dhe energji” me 1,6% secili, “Veshje dhe këpucë” me 1,2%, “Shëndeti” me 1,0%, “Mobilim, pajisje shtëpie dhe mirëmbajtje” me 0,4%.
Sa i përket krahasimit me vendet e tjera të Bashkimit Europian, Shqipëria figuron në fund të listës, si një prej 4 vendeve me rritjen më të ulët të çmimeve. Mesatarja e Bashkimit Europian për tetorin fiksohet në 4,4%. Vetëm Portugalia, Malta dhe Zvicra raportojnë një rritje çmimesh më të ulët se Shqipëria gjatë tetorit. Në anën tjetër, Lituania qëndron në vend të parë të renditjes, me rritjen vjetore të çmimeve mbi 8% sipas indeksit të harmonizuar.
