Muaji korrik shënoi vlerën më të lartë të rezervës valutore, duke u rritur me 3.3% krahasuar me qershorin e këtij viti. Kjo ka ndodhur edhe për shkak të operacioneve dhe ndërhyrjeve të shpeshta të Bankës së Shqipërisë, me qëllim mbajtjen nën kontroll të kursit të këmbimit të euros.
Sipas të dhënave zyrtare të Bankës së Shqipërisë rezerva valutore ka arritur në gati 5.7 miliardë euro në korrik nga 5.5 miliardë që ishte në muajin paraardhës, shumë e cila ishte e mjaftueshme për mbulimin e 6.4 muaj importe mesatare vjetore në mallra dhe shërbime dhe rreth 440% të borxhit të jashtëm afatshkurtër.
Pjesa më e madhe e rezervave mbahen në investime afatgjata si letrat me vlerë të borxhit, me shuma relativisht më të vogla në forma të tjera si ari monetar dhe SDR, që nënkuptojnë të drejtat speciale të tërheqjes. Ndërkohë 75.78% të rezervës e përbëjnë titujt e borxhit.
Në tremujorin e parë të këtij viti, Banka e Shqipërisë ka blerë 32.60 milionë euro, me qëllim rritjen e rezervës valutore për stabilizimin e kursit të këmbimit. Deri në fund të këtij viti, Banka synon të blejë përmes ankandeve rreth 250-330 milionë euro.
Rezerva valutore përfshin të gjitha aktivet e shprehura në monedhë të huaj dhe shërben për të përmbushur nevojat e qeverisë për valutë në shlyerjen e borxhit të jashtëm, për të mbështetur tregtinë ndërkombëtare, si dhe për të përmbushur kërkesën për valutë që buron nga importuesit dhe mundëson ndërhyrjen e Bankës së Shqipërisë në treg.
