Për herë të parë pas 14 muajsh, ku ka patur një trend rënies, treguesi i kredive me probleme është rritur gjatë muajit prill. Sipas të dhënave zyrtare të Bankës së Shqipërisë norma e kredive me probleme është ngjitur në 5.42%, nga 5.24% që ishte në mars. Rritja e treguesit me 0.18 pikë përqindje rezulton të jetë rritja më e lartë e shënuar nga muaji në muaj që prej korrikut të vitit 2016.
Shifrat sugjerojnë se kriza e çmimeve dhe konsumit që ka goditur vendin gjatë muajve të fundit, sidomos shtresat më vulnerabël, pritet të japë efektin e saj edhe te një prej treguesve më të rëndësishëm të shëndetit financiar bankar, siç janë pikërisht kreditë me probleme. Rënia graduale e këtij treguesi gjatë viteve të fundit, ka qenë edhe një prej shtysave kryesore të kreditimit të lartë nga sektori bankar, pavarësisht se në kohë krize gjatë pandemisë. Banka e Shqipërisë dhe shumë institucione të tjera ndërkombëtare kanë vlerësuar vazhdimisht rolin e sektorit bankar në rimëkëmbjen ekonomike të vendit gjatë viteve të fundit.
Pavarësisht rritjes së këtij treguesi gjatë prillit, vijon të qëndrojë pranë niveleve më të ulta që prej nëntorit të vitit 2008. Rritja e ndjeshme e çmimeve, me inflacionin pranë niveleve rekord të 2 dekadave të fundit, dhe sidomos rritja e çmimeve të hidrokarbureve duket se ka sjellë probleme edhe me pagesën e kësteve të kredisë, nga të gjitha segmentet. Aftësia paguese e huamarrësve gjatë prillit është përkeqësuar dhe përkon me situatën ekonomike në tërësi. Në rast se tendenca e kredive me probleme në sektorin bankar do të vijojë rritjen edhe në muajt në vijim, atëherë me shumë gjasa do të përkthehej në kushte dhe standarde të shtrënguara nga bankat për kredi të reja.