Dërgesat e emigrantëve drejt Shqipërisë shënuan një tjetër rekord në 6-mujorin e parë 2026.
Sipas të dhënave të Bankës së Shqipërisë, emigrantët dërguan në Shqipëri 621 milionë euro, ose 16.7% më shumë krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë. Kjo është një nga nivelet më të larta historike të regjistruara për gjysmën e parë të vitit.
Përshpejtimi i remitancave është bërë veçanërisht i dukshëm gjatë tremujorit të dytë. Vetëm në periudhën prill-qershor, prurjet e emigrantëve arritën në 347 milionë euro, duke u rritur me rreth 24% në krahasim me të njëjtin tremujor të vitit të kaluar.
Të dhënat tregojnë se ritmi i rritjes është shumë më i fortë se ai i regjistruar një vit më parë. Në gjashtëmujorin e parë të vitit 2025, emigrantët shqiptarë kishin dërguar në vend 532 milionë euro, me një rritje prej vetëm 4.3% krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2024.
Kjo do të thotë se brenda vetëm një viti, ekonomisë shqiptare i janë shtuar rreth 89 milionë euro më shumë nga dërgesat e emigrantëve.
Pas shifrave të larta qëndron edhe ndryshimi i hartës së emigracionit shqiptar. Italia dhe Greqia vazhdojnë të kenë një rol të rëndësishëm, për shkak të komuniteteve të mëdha shqiptare të krijuara atje gjatë më shumë se tri dekadave. Por vitet e fundit pesha e vendeve të tjera europiane është rritur, paralelisht me një valë të re largimesh nga Shqipëria.
Britania e Madhe dhe Gjermania janë ndër destinacionet ku prania e emigrantëve shqiptarë është zgjeruar ndjeshëm. Në dallim nga valët e para të emigracionit, që u përqendruan kryesisht në Itali dhe Greqi, emigracioni i viteve të fundit është shpërndarë në një numër më të madh ekonomish europiane.
Kjo tendencë po reflektohet gradualisht edhe te remitancat. Sa më shumë shqiptarë hyjnë në tregjet e punës të vendeve me paga më të larta, aq më i madh bëhet potenciali i transfertave drejt familjeve të mbetura në Shqipëri.
Për ekonominë shqiptare, remitancat vazhdojnë të kenë një rëndësi që shkon përtej vetë shumës së transferuar. Për mijëra familje ato janë një burim i drejtpërdrejtë të ardhurash, që përdoret për shpenzimet e përditshme, ushqimin, arsimin, kujdesin shëndetësor, përmirësimin e banesave apo investime të vogla familjare.
Rëndësia e tyre është veçanërisht e madhe për familjet me të ardhura më të ulëta dhe për zonat ku mundësitë e punësimit janë më të kufizuara. Në këtë kuptim, paratë e emigrantëve vazhdojnë të funksionojnë si një lloj “oksigjeni” financiar për një pjesë të ekonomisë familjare shqiptare.
Por ndikimi ndihet edhe në nivel makroekonomik. Flukset e larta të valutës nga emigrantët, së bashku me të ardhurat nga turizmi dhe investimet e huaja, shtojnë ofertën e euros në tregun vendas. Remitancat ndihmojnë gjithashtu në financimin e konsumit dhe, në mënyrë indirekte, të një pjese të importeve të ekonomisë shqiptare.
Rekordi i ri ka megjithatë edhe një lexim tjetër. Rritja e remitancave është pozitive për familjet dhe për flukset valutore të ekonomisë, por një pjesë e saj lidhet me zgjerimin e diasporës përmes emigracionit të viteve të fundit.
Në këtë mënyrë, Shqipëria po përfiton sot më shumë të ardhura nga qytetarët e saj jashtë vendit, ndërsa njëkohësisht përballet me kostot ekonomike dhe demografike të largimit të fuqisë punëtore.

