Miratimi i paketës fiskale për vitin 2027 nga Kuvendi pritet të sjellë ndryshime të rëndësishme në barrën tatimore të sipërmarrjeve shqiptare, ndërsa përfaqësuesit e industrisë prodhuese shprehin shqetësime për ndikimin në kostot e aktivitetit ekonomik dhe konkurrueshmërinë e prodhimit vendas.
Bashkimi i Prodhuesve Shqiptarë vlerëson se, pavarësisht reflektimit të disa prej kërkesave të komunitetit të biznesit në variantin përfundimtar të paketës fiskale, ndryshimet e miratuara mund të ushtrojnë presion shtesë mbi sipërmarrjet.
Kuvendi miratoi pesë ligjet e paketës fiskale për vitin 2027, të cilat do të nisin të zbatohen nga janari i vitit të ardhshëm. Ndër ndryshimet kryesore janë rritja e tatimit mbi dividendin nga 8% në 15%, rritja e normës standarde të TVSH-së nga 20% në 21%, si dhe ulja e pragut të regjistrimit të detyrueshëm në TVSH nga 10 milionë në 5 milionë lekë xhiro vjetore.
Rritja e tatimit mbi dividendin me 7 pikë përqindjeje përkthehet në një rritje prej 87.5% të detyrimit tatimor mbi fitimin e shpërndarë tek aksionerët, ndërsa ulja e pragut të TVSH-së zgjeron numrin e bizneseve që do të përfshihen në këtë regjim tatimor, duke shtuar edhe detyrimet administrative për to.
Megjithatë, paketa e miratuar pasqyron disa prej kërkesave të Bashkimit të Prodhuesve Shqiptarë dhe organizatave të tjera të biznesit, të adresuara gjatë procesit të konsultimit.
Tatimi mbi fitimin do të mbetet në nivelin 15%, duke mos u rritur në 17% siç ishte propozuar fillimisht. Gjithashtu, produktet e bulmetit janë përfshirë në listën e produkteve që do të përfitojnë nga norma e reduktuar e TVSH-së prej 6%, ndërsa duhani i prodhuar në vend do të vijojë të ruajë trajtimin e diferencuar në akcizë.
Pavarësisht këtyre ndryshimeve, Bashkimi i Prodhuesve Shqiptarë shpreh shqetësimin se masat e reja fiskale mund të ndikojnë negativisht në kostot e sipërmarrjeve dhe në aftësinë konkurruese të prodhimit vendas.
Ndryshimet fiskale vijnë në një periudhë kur industria prodhuese shqiptare përballet me sfida të shumta, nga rritja e kostove të punës dhe mungesa e fuqisë punëtore, te forcimi i lekut ndaj euros dhe konkurrenca e produkteve të importuara.
Në këto kushte, rritja e barrës tatimore mund të kufizojë hapësirat financiare të sipërmarrjeve për investime, modernizim teknologjik, zgjerim të kapaciteteve prodhuese dhe rritje të produktivitetit.
Sfida mbetet gjetja e një ekuilibri ndërmjet objektivave të qeverisë për rritjen e të ardhurave buxhetore dhe nevojës për të mbështetur konkurrueshmërinë e ekonomisë, investimet private dhe zhvillimin e prodhimit vendas. /ekofin.al

