Qeveria ka miratuar kriteret e reja për certifikimin e agroturizmeve dhe ndërtimin e strukturave në funksion të tyre, duke përcaktuar sipërfaqet minimale të fermave, kapacitetet akomoduese, origjinën e produkteve ushqimore dhe procedurat për marrjen e lejeve të ndërtimit.
Subjektet që ofrojnë akomodim do të mund të kenë deri në 60 shtretër, ndërsa të paktën 70% e produkteve ushqimore dhe pijeve të ofruara duhet të sigurohen nga ferma e vetë subjektit dhe prodhuesit lokalë.
Vendimi parashikon gjithashtu rikuperimin e granteve dhe përfitimeve fiskale në rastet kur subjektet kanë përdorur certifikimin për të përfituar mbështetje publike, pa ushtruar realisht aktivitetin e agroturizmit.
Vetëm subjektet e certifikuara do të kenë të drejtë të përdorin emërtimin “Agroturizëm” në emrin e tyre tregtar ose në ambientet ku ushtrojnë aktivitetin.
Kriteret minimale për fermat
Për t’u certifikuar si agroturizëm, një fermë bujqësore duhet të disponojë të paktën 1 hektar tokë në pronësi ose përdorim, të mbjellë me kultura bujqësore.
Për fermat blegtorale, sipërfaqja minimale e kërkuar është 0,5 hektarë, ndërsa numri minimal i kafshëve ndryshon sipas kategorisë së aktivitetit.
Vendimi lejon edhe kombinimin e të paktën dy kategorive të kafshëve, me kusht që secila prej tyre të plotësojë të paktën 50% të pragut minimal përkatës.
Në rastin e njësive të akuakulturës, kërkohet një sipërfaqe ujore prej të paktën 3.000 metrash katrorë, e përdorur për kultivimin e peshkut, midhjeve apo organizmave të tjerë ujorë.
Subjektet duhet të ofrojnë shërbimin e ushqimit dhe pijeve, si dhe aktivitete argëtuese ose edukative të lidhura me fermën dhe mjedisin përreth. Akomodimi mbetet një shërbim jo i detyrueshëm, por në rastet kur ofrohet, kapaciteti nuk mund të tejkalojë 60 shtretër.
Origjina e ushqimeve, furnizimet do të kontrollohen përmes faturave
Vendimi përcakton detyrime për origjinën e produkteve që agroturizmet u ofrojnë klientëve.
Përmbushja e këtyre kritereve do të vlerësohet në nivel vjetor dhe jo për çdo furnizim apo produkt individual.
Për të provuar origjinën e produkteve të fermës, subjektet duhet të disponojnë regjistrat e prodhimit, dokumentacionin e aktivitetit bujqësor ose blegtoral dhe faturat e shitjes së produkteve të prodhuara.
Për furnizimet nga prodhuesit lokalë kërkohen kontrata ose marrëdhënie të dokumentuara tregtare, të shoqëruara me faturat tatimore dhe regjistrin e furnitorëve.
Edhe produktet me origjinë tjetër duhet të shoqërohen me dokumentacion që provon origjinën, përfshirë faturat tatimore, certifikatat veterinare, fitosanitare dhe dokumentet doganore, sipas kategorisë së produktit.
Këto kërkesa e lidhin ruajtjen e statusit të agroturizmit jo vetëm me ekzistencën e një ferme, por edhe me aktivitetin real prodhues dhe marrëdhëniet tregtare me fermerët lokalë.
Ndërtimet në bregdet, lejet do të miratohen nga KKTU
Lejet e zhvillimit dhe të ndërtimit për strukturat në funksion të agroturizmit do të lëshohen nga bashkitë, në përputhje me dokumentet e planifikimit vendor.
Për investimet brenda brezit bregdetar, kompetenca për miratimin e lejeve i takon Këshillit Kombëtar të Territorit dhe Ujit (KKTU).
Pas marrjes së lejes së zhvillimit, investitori duhet të pajiset me certifikatë paraprake për veprimtari në agroturizëm nga ministria përgjegjëse për turizmin. Pa këtë dokument, subjekti nuk mund të pajiset me leje ndërtimi, ndërsa leja e zhvillimit konsiderohet e shfuqizuar.
Për projektet e miratuara nga KKTU-ja, regjistrimi i vendimit në regjistrat e Agjencisë Shtetërore të Kadastrës mundëson konvertimin e zërit kadastral nga “arë” në “truall”.
Vendimi parashikon procedura edhe për zonat ku mungon plani i përgjithshëm vendor. Në këto raste, bashkitë duhet të marrin mendim nga Agjencia e Zhvillimit të Territorit dhe ministria përgjegjëse për turizmin, të cilat kanë 15 ditë pune për të njoftuar rezultatin e kontrollit.
Kryetari i bashkisë vendos brenda 7 ditëve pune për miratimin e lejes së zhvillimit. Ndryshimi i zërit kadastral nga “arë” në “truall”, për rastet në kompetencë të bashkive, kryhet vetëm pas regjistrimit të lejes së ndërtimit.
Kthim i granteve dhe përfitimeve fiskale për agroturizmet fiktive
Një nga dispozitat me ndikim financiar për investitorët lidhet me përdorimin e statusit të agroturizmit për përfitimin e fondeve publike apo lehtësive fiskale.
Nëse konstatohet se një subjekt ka përfituar grante, përjashtime ose reduktime të taksave vendore, por nuk ushtron realisht aktivitetin agroturistik ose e ndërpret atë menjëherë pas marrjes së mbështetjes publike, shfuqizimi i certifikatës do të përbëjë shkak për humbjen e së drejtës së përfitimit dhe nisjen e procedurave për rikuperimin e fondeve dhe përfitimeve të marra.
Vendimi për shfuqizimin do t’u komunikohet bashkive dhe institucioneve që kanë akorduar mbështetjen financiare, për të ndërmarrë procedurat përkatëse.
Certifikata mund të shfuqizohet gjithashtu kur konstatohen të dhëna të rreme në dokumentacionin e aplikimit, shkelje të përsëritura të kritereve apo mosplotësim të kushteve edhe pas pezullimit të saj.
Monitorimi i subjekteve do të kryhet nga inspektorati përgjegjës për turizmin, në bashkëpunim me organet tatimore, institucionet e sigurisë ushqimore dhe autoritetet e tjera kompetente.
Certifikata me vlefshmëri pesëvjeçare
Aplikimet për certifikimin e agroturizmeve do të kryhen nëpërmjet portalit e-Albania dhe do të shqyrtohen nga një komision me pesë anëtarë, tre përfaqësues të ministrisë përgjegjëse për turizmin dhe dy të ministrisë përgjegjëse për bujqësinë.
Kur dokumentacioni është i paplotë, aplikanti do të ketë 15 ditë pune nga njoftimi për plotësimin e tij. Komisioni shqyrton dokumentacionin brenda 15 ditëve pune nga plotësimi, ndërsa mund të kërkojë edhe verifikime në terren.
Certifikata përfundimtare do të ketë vlefshmëri pesëvjeçare, me të drejtë ripërtëritjeje. Ndërkohë, vlefshmëria e certifikatës paraprake do të lidhet me afatin e lejes së ndërtimit.
Për kërkesat e paraqitura përpara hyrjes në fuqi të vendimit, për të cilat nuk është marrë ende një vendim përfundimtar, kriteret e certifikimit do të vlerësohen sipas rregullave që kanë qenë në fuqi në datën e aplikimit, ndërsa procedurat e shqyrtimit do të zhvillohen sipas vendimit të ri.
Vendimi hyn në fuqi pas botimit në Fletoren Zyrtare dhe shfuqizon vendimin nr. 22, datë 12 janar 2018, të ndryshuar, që rregullonte deri më tani certifikimin e agroturizmeve dhe ndërtimin e strukturave në funksion të tyre./ekofin.al

