Tirana mirëpriti sot Samitin e Liderëve të Ballkanit Perëndimor për Planin e Rritjes (Growth Plan), me temë “Reforma, Rritje, Integrim – Drejt Europës së bashku”.
Në kuadër të samitit, liderët e vendeve të rajonit dhe Komisionerja e Bashkimit Europian për Zgjerimin, Marta Kos, zhvilluan një tryezë të përbashkët diskutimi mbi zbatimin e Planit të Rritjes, integrimin ekonomik dhe transformimin e rajonit drejt Tregut të Përbashkët Europian.
Gjatë fjalës së saj, Kos theksoi se rajoni po hyn në vitin e fundit të periudhës katërvjeçare të zbatimit të Planit të Rritjes për Ballkanin Perëndimor, i cili synon të mbështesë reforma të rëndësishme, të sjellë përfitime për qytetarët dhe ekonomitë e vendeve pjesëmarrëse, si dhe të përshpejtojë përgatitjet për anëtarësimin në Bashkimin Europian.
“Ky plan u miratua për të mbështetur reforma të rëndësishme, nga të cilat përfitojnë qytetarët dhe ekonomitë tuaja, dhe sigurisht për t’ju ndihmuar të përgatiteni për anëtarësimin në BE”, u shpreh Kos.
Ajo vuri në dukje se rezultatet e vendeve të rajonit janë të ndryshme, duke theksuar se tri shtete kanë bërë përparim të mirë në zbatimin e reformave, ndërsa tri të tjera nuk i kanë shfrytëzuar plotësisht mundësitë e ofruara nga plani.
Duke iu referuar Shqipërisë, Kos deklaroi se, “Shqipëria ka zbatuar 80% të reformave dhe do të marrë 185,6 milionë euro në pagesën e katërt”.
Sipas të dhënave të paraqitura prej saj, Mali i Zi ka zbatuar 94% të reformave dhe do të përfitojë 81 milionë euro në raundin e dytë të pagesave, ndërsa Maqedonia e Veriut ka zbatuar 56% të reformave të kërkuara dhe do të marrë 70,9 milionë euro.
Komisionerja nënvizoi se Plani i Rritjes është ndërtuar mbi parimin e rezultateve, ku disbursimi i fondeve lidhet drejtpërdrejt me përmbushjen e reformave.
“Fondet janë për t’u shpërndarë pikërisht për ato vende që performojnë më mirë”, theksoi Kos, duke shtuar se Mali i Zi dhe Shqipëria do të marrin secili 15% më shumë nga fondet e planit, ndërsa Maqedonia e Veriut do të përfitojë 10% më shumë.
Kos përgëzoi vendet për rezultatet e arritura dhe përpjekjet e bëra në zbatimin e reformave.
Komisionerja Kos u ndal edhe te ecuria e reformave në Serbi dhe Kosovë, duke vënë në dukje problematikat dhe mundësitë për përfitimin e fondeve nga Plani i Rritjes.
Sa i përket Serbisë, ajo tha se agjenda e reformave ishte hartuar së bashku me qeverinë e mëparshme, por nuk kishte sjellë rezultatet e pritshme.
“Komisioni Europian nuk ka kryer asnjë pagesë që nga janari i këtij viti dhe tani ekziston mundësia për një fillim të ri”, u shpreh Kos.

