Shqipëria po bën progres në luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, kjo sipas raportit më të fundit për institucionet e posaçme të drejtësisës, publikuar nga Qendra për Studimin e Demokracisë dhe Qeverisjes (CSDG).
Përveç përmirësimeve të reflektuara në raportin e vitit 2024 të Komisionit Evropian për Shqipërinë, ku niveli i përgatitjes së vendit në luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar u rrit në njëfarë/moderuar, Shqipëria ka shënuar gjithashtu një vlerësim pozitiv në Indeksin e Perceptimit të Korrupsionit (CPI).
Sipas të dhënave më të fundit të publikuara nga Transparency International më 11 shkurt 2025, Shqipëria është renditur në vendin e 80-të nga 180 shtete, duke u ngjitur me 18 vende krahasuar me vitin e kaluar dhe duke shënuar një rritje prej 5 pikësh në indeks.
Ky progres reflekton përpjekjet e intensifikuara të institucioneve të posaçme, të SPAK dhe Gjykatave të Posaçme, në adresimin e rasteve të korrupsionit në nivelet e larta të qeverisjes.
Sipas të dhënave në raport, gjatë vitit 2024 Prokuroria e Posaçme regjistroi 186 procedime për korrupsion dhe 41 prej këtyre çështjeve i çoi për gjykim në GJKKO, që janë sa dyfishi (22%) i mesatares së katër viteve të fundit (11%).
Po kështu, të dhënat tregojnë se në procedimet e regjistruara për korrupsion gjatë vitit të kaluar janë përfshirë 194 persona, nga të cilët treçereku (141) i tyre u dërguan për gjykim dhe 134 persona, ose pothuaj të gjithë (95%), u dënuan, ndërsa shumica dërrmuese e çështjeve kanë përfunduar me vendime dënimi.
Në raport vërehet një shtim i çështjeve për krim të organizuar në Prokurorinë e Posaçme të dërguara për gjykim gjatë vitit 2024. Nga 101 procedime të regjistruara, 21 u dërguan për gjykim, ose sa një e pesta e tyre. Kjo përqindje është gati tri herë më e lartë se mesatarja e katër viteve (7.3%). Gjithsesi mbetet një diferencë e ndjeshme midis procedimeve të regjistruara dhe atyre të çuara në gjykim, ndërsa katër të pestat e çështjeve janë në fazë hetimi.
Në çështjet e regjistruara për gjykim nën dyshimet për krim të organizuar janë përfshirë 262 persona, dhe më shumë se gjysma e tyre, 134 vetë (51%), janë dërguar për gjykim, shifër kjo po ashtu më e lartë se mesatarja e katër viteve (44%). Nga këta 134 të pandehur të dërguar për gjykim, 88 (ose 66% e tyre) janë dënuar, një shifër gjithashtu më e lartë se mesatarja e katër viteve (61.8%). Raporti thekson se norma e dënimeve për krim të organizuar (66%) është më e ulët se ajo e çështjeve të korrupsionit (95%).
Shpërdorimi i detyrës kryeson rastet e hetimeve
Të dhënat për vitin 2024 tregojnë se shumica e dënimeve për korrupsion të zyrtarëve të nivelit të lartë lidhen me veprat penale të shpërdorimit të detyrës dhe përfitimit të paligjshëm të interesave.
Nga 8 vendime për korrupsion të nivelit të lartë gjatë vitit 2024, shtatë përfshijnë kryetarë bashkish, ndërsa vetëm një rast lidhet me sistemin e drejtësisë.
Analiza e vendimeve të vitit 2024 tregon se shumica e rasteve përfshijnë abuzime me kontrata publike dhe prokurime lokale me një ndikim financiar të kufizuar në nivel rajonal apo bashkiak dhe mungesë të skemave komplekse të pastrimit të parave.
Dominimi i korrupsionit të thjeshtë dhe lokal mbi format më të sofistikuara: Shumica e rasteve të ndjekura përfshijnë transaksione të vogla financiare, pagesa të drejtpërdrejta dhe keqpërdorim të fondeve publike, pa mekanizma të ndërlikuar të fshehjes financiare. Skemat më të sofistikuara janë më të rralla.
Referimet e Vetting-ut
Në shtator 2024, Komisioni i Pavarur i Kualifikimit (KPK) referoi 19 raste me indikacione penale për hetim në prokurori, duke ndjekur një nga rekomandimet kryesore të Bashkimit Evropian për forcimin e llogaridhënies në drejtësi. Ky zhvillim tregon se ka nisur një përpjekje më e strukturuar për të garantuar që veprimet e paligjshme të zbuluara gjatë procesit të vetingut të mos mbeten pa ndëshkim penal.
Edhe pse është bërë referimi i 19 rasteve për hetim, deri më tani nuk ka pasur vendime përfundimtare për ndjekje penale ose konfiskim të pasurive të përfituara në mënyrë të paligjshme nga magjistratët e shkarkuar.
Një tjetër aspekt i rëndësishëm është fakti se referimet për hetim penal kanë ardhur kryesisht në fazën e fundit të procesit të vetingut. Për një kohë të gjatë, megjithëse shumë magjistratë u larguan nga detyra për pasuri të pajustifikuara ose lidhje të dyshimta me elementë kriminalë, referimet për ndjekje penale mbeten të pakta dhe sporadike, thuhet në raport./ekofin.al


