Këshilli i Ministrave ka miratuar disa ndryshime në VKM nr. 54, datë 05.02.2014, që ndryshon rregullat për dhënien me qira apo enfiteozë të pronave shtetërore.
Sipas relacionit që disponon ekofin.al, bizneset dhe subjektet që aplikojnë për të marrë me qira prona shtetërore nuk do të dorëzojnë më dokumentet fizikisht, por vetëm në adresën elektronike zyrtare të institucionit. Ministria argumenton se kjo do të shmangë vonesat, do të ulë kostot administrative dhe do të rrisë transparencën, pasi çdo dokument do të mbetet i regjistruar elektronikisht.
Megjithatë, pas shpalljes së fituesit, subjekti do të duhet të dorëzojë fizikisht dokumentet origjinale për verifikim. Me këtë synohet të shmangen abuzimet me dokumentacionin elektronik dhe të rrisë sigurinë juridike të procedurës.
Vendimi ndryshon edhe mënyrën si do të funksionojnë komisionet që shqyrtojnë ofertat. Përveç përfaqësuesve administrativë, në komisione do të përfshihen edhe specialistë ligjorë dhe teknikë, me qëllim që vendimet të jenë më profesionale dhe të shmangen interpretimet subjektive. Drafti përcakton gjithashtu afate të qarta për shqyrtimin e ofertave, publikimin e fituesve dhe trajtimin e ankesave.
Vendimi saktëson gjithashtu terminologjinë për tokat shtetërore. Në vend të termit “tokë e pafrytshme”, vendimi përdor termin “tokë inproduktive”, për ta përshtatur me legjislacionin për administrimin dhe mbrojtjen e tokës dhe për të shmangur paqartësitë në interpretim.
Vendimi parashikon edhe rregulla më të forta për ofertat e pakërkuara dhe procedurat pa garë. Sipas tij, pronat shtetërore mund të jepen drejtpërdrejt vetëm në rastet e parashikuara qartë në vendim dhe çdo përjashtim nga gara duhet të shoqërohet me argumentim të detajuar nga institucionet përgjegjëse.
Një risi tjetër lidhet me kontratat simbolike 1 euro. Në rastet kur pronat shtetërore ndodhen në zona turistike ose në zona të mbrojtura mjedisore, vendimi do të duhet të propozohet bashkërisht nga institucioni që administron pronën dhe institucioni përgjegjës për turizmin apo mjedisin. Sipas relacionit, kjo synon të rrisë koordinimin dhe kontrollin mbi zhvillimin e këtyre zonave.
Vendimi trajton edhe problematikat me monitorimin e kontratave ekzistuese. Në rastet kur bizneset nuk bashkëpunojnë gjatë kontrollit të zbatimit të kontratës, njësitë monitoruese do të kenë të drejtë të propozojnë ndërprerjen e saj.
Një ndryshim i rëndësishëm prek edhe subjektet që kanë investuar për vite në prona shtetërore. Projektvendimi parashikon që qiramarrësit apo enfiteozmarrësit, që kanë investuar dhe rritur vlerën e pronës, të kenë të drejtë parablerjeje në rast privatizimi.
Përmes dispozitave ligjore synonet gjithashtu të zgjerohet mundësia e kalimit të kontratave ekzistuese në kontrata me tarifë simbolike 1 euro edhe për kontratat e lidhura nga bashkitë dhe njësitë vendore, pasi të verifikohen kushtet nga ministria përgjegjëse për ekonominë.
Në relacion thuhet se vendimi nuk krijon kosto shtesë për buxhetin e shtetit. Megjithatë, vendimi parashikon që 20% e të ardhurave nga kontratat e qirasë dhe enfiteozës të lidhura nga ministria t’i kalojnë vetë Ministrisë së Ekonomisë./ekofin.al
Artikull i Ekofin.al
Ky artikull gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”. Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke
cituar “Ekofin.al”, shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.

