Dec 27, 2021
Nga Arben Ramkaj
Çdo krizë e madhe globale ka vënë seriozisht në pikëpyetje tezat ekonomike klasike mbi rritjen ekonomike dhe rishpërndarjen e pasurisë. Kështu, kriza financiare e vitit 2008, e cila nisi në SHBA si një kolaps në tregun e pasurive të paluajtshme dhe u përhap me shpejtësi në mbarë globin, nxori në pah shkallën tronditëse të thellimit të hendekut mes një pakicë të vogël super të pasurish dhe pjesës tjetër të popullsisë. Pagat marramendëse të bankierëve dhe drejtuesve të korporatave të mëdha, kryesisht në formën e bonuseve, shkaktuan protesta dhe trazira të mëdha sociale në SHBA dhe Perëndim. Ato dëshmuan ekzistencën e një lloj sistemi të padrejtë të përfitimeve nga një pjesë e popullatës.
Madje, disa ekonomistë arritën deri aty sa të vënë në pikëpyetje dobinë e globalizmit, aq shumë të trumbetuar të paktën 3 dekadat e fundit, që pas fundit të Luftës së Ftohtë dhe shembjes së bllokut komunist, që bazohej aq shumë tek ideologjia e ngurtë e ekonomive të komanduara, dhe ishte kokëfortësisht kundër tregjeve të hapura. Ekonomisti me ndikimin më të madh global vitet e fundit është francezi Thomas Piketty.
Në librin e tij bestseller të vitit 2014 “Kapitali në shekullin XXI”, ai bën një paralajmërim të zymtë: Ekonomia amerikane ka filluar tatëpjetën dhe mund të bëhet si Europa aristokratike e shekullit XIX, ku puna do të ketë më pak rëndësi, ndërsa pasuria e trashëguar akoma më shumë. Sipas tij, pasuria në duart e pak njerëzve rrezikon të lëkundë themelet e demokracisë liberale. Analizën e tij të detajuar ekonomisti francez e bazoi te 300 vite të dhëna ekonomike.
Për ngushtimin e pabarazive, ai propozoi vendosjen e një takse globale mbi korporatat, gjë që fatmirësisht ndodhi në samitin e fundit të vendeve të G7-ës. Veç hendekut të madh të pagave, një problem tjetër është nepotizmi shumë i theksuar në vendet me një prapambetje të theksuar demokratike si Shqipëria. Shpesh, njerëz që janë në poste të larta drejtuese, u japin hapësirë njerëzve apo ekspertëve që kanë lidhje të ngushta familjare me ta. Kjo lidhje e blen shpesh heshtjen e tyre mbi skandale, për të cilat ata mund të kenë dijeni, në këmbim të promovimit të tyre në publik.
Rrjedhja dhe publikimi në rrjetet sociale dhe pjesërisht edhe në media i listës së pagave për figurat më të njohura publike në Shqipëri dhe jo vetëm, po shkakton një pakënaqësi të madhe te grupet e interesit, të cilat janë të angazhuara në të njëjtën fushë, si për shembull tek grupet komunitare, kompanive private, organizatat joqeveritare apo edhe komunitetet fetare. Kjo, pasi zbulimi i pagave shumë të larta të disa titullarëve të institucioneve apo kompanive private, po gjeneron dallime të forta midis lidershipit edhe punonjësve të thjeshtë.
Ai priret të ndikojë jo pak në kohezionin brenda shumë kompanive, dhe për pasojë edhe në përqasjen e tyre në të ardhmen mbi mënyrën e të bërit biznes. Akoma më e rëndësishme: kjo rrjedhje informacionesh, të cilat ishin deri dje konfidenciale dhe duhej të mbeteshin të tilla konform përcaktimeve ligjore, po shkakton shumë irritim edhe te familje shqiptare që jetojnë në varfëri ekstreme apo që mezi mbajnë frymën gjallë me ndihmën ekonomike modeste që u jep shteti.
Dhe indinjata e tyre është më se e kuptueshme. Kur ata shohin këto rroga marramendëse dhe kur mendojnë se vetë nuk kanë mundësi që t’u blejnë as ilaçe apo ushqime për fëmijët e tyre, ky kontrast i madh u shkakton natyrshëm shumë zemërim, por edhe revoltë ndaj elitave. Për më tepër, kjo situatë e çimenton de fakto modelin sipas të cilit kur është fjala për pasurimin e tyre, elitat politike kanë në thelb të njëjtën qasje. Nga ana tjetër, ajo demaskon çdolloj retorike boshe mbi barazinë e shanseve, rishpërndarjen e pasurisë dhe kultivimin e një shoqërie që ka në themel solidaritetin për më të dobëtin dhe të pamundurin.
Sot një pjesë e elitës rezulton të ketë shumë prona, të cilat nuk i kanë trashëguar nga familjarët e tyre dhe as sepse kanë ndonjë profesion të veçantë, që u shërben atyre për këtë pasurim me ritme galopante. Pra, duket se përfaqësuesit e kësaj elite e lidhin angazhimin në politikë me vendosjen e një standardi jetese, i cili është shumë i ndryshëm nga shumica e popullsisë.
Një standard që ka një diferencë të madhe nga pjesa tjetër. Mjerisht, kjo dukuri shqetësuese nuk vërehet vetëm në politikë, por edhe në botën universitare. Ndodh shpesh që në universitete dhe katedrat akademike, pedagogë, profesorë apo edhe rektorët, të kërkojnë bonuse të veçanta për njerëz të veçantë që i përkasin rrethit të tyre elitar, duke injoruar meritat e pjesës tjetër të stafit akademik.
Nepotizmi dhe klientelizmi e dëmton seriozisht edhe procesin e shpërndarjen e barabartë të fondeve për kërkime shkencore apo për zhvillimin e jetës studentore në përgjithësi. Së fundmi, por jo më pak e rëndësishme, kjo rrjedhje informacionesh konfidenciale, e rrezikon haptazi sigurinë tonë kombëtare. Shumë njerëzve u dihen tashmë publikisht të ardhurat që fitojnë nga pagat, adresa e shtëpisë, numri i telefonit, llogaria bankare etj. Kjo gjë i bën ata të shantazhueshëm, jo vetëm nga ana e grupeve kriminale, por edhe nga pjesa keqdashëse dhe keqbërëse e politikës, si edhe e njerëzve që punojnë në administratën publike apo private, të cilët për shkak të interesave të ngushta, apo edhe qoftë e thjesht zilisë i godasin njerëzit që nuk janë në pozita të forta dhe që nuk kanë mundësi të mbrohen.
Por kjo rrjedhje informacionesh shumë të ndjeshme bart edhe rreziqe të tjera të sigurisë kombëtare. Kështu, tani ka shumë të dhëna sensitive edhe mbi jetën private të shumë pjesëtarëve të shërbimeve sekrete. E gjitha kjo prodhon një konflikt dhe trazim të madh social, i cili është aktualisht vetëm në fazat e tij të para.
Në gjendjen aktuale, shoqëria shqiptare mund të përshkruhet më së miri nga citati profetik: “Kur nuk turpërohesh, atëherë bëj ç’të duash!”. Skandali me dekonspirimin e të dhënave konfidenciale personale të qindra mijëra qytetarëve shqiptarëve, është sigurisht përgjegjësi e asaj pjese të ekzekutivit, që duhej të garantonte në çdo moment mbrojtjen e tyre. Në 3 dekadat e demokracisë pluraliste, Shqipëria është tronditur nga jo pak skandale.
Por kjo që ka ndodhur ditët e fundit dhe që mund të rezervojë edhe zbulime të tjera të paligjshme, përbën një ngjarje të paprecedent, e cila do të shkaktojë konflikte afatgjata në shoqërinë tonë. Zbulimi i listës së pagave mujore ka bërë që shumëkush të nisë ta shohë me inat fqinjin e tij dhe ky çrregullim social do të molepsë edhe raportet sociale brenda kompanive, komuniteteve dhe shoqërisë në tërësi.
Ky do të jetë në konflikt që do të gjenerojë pakënaqësi të përhershme. Dhe kjo shkon përkundër asaj që pretendohet si vendosje e drejtësisë sociale, nëpërmjet respektimit të sundimit të ligjit apo përmes një reforme në drejtësi, e cila ka ndodhur falë një imponimi politik nga lart-poshtë. Në fakt, me sa po shohim, shoqëria shqiptare është duke u angazhuar për të kundërtën, diçka që nuk po arrihet të kuptohet nga aktorët e politikëbërjes në Shqipëri.
