Seanca dëgjimore e datës 21 nëntor 2024, për Marjola Belulin, gjyqtaren e Gjykatës së Shkallës së Parë Administrative Durrës, shënon edhe fundin e rivlerësimit (vettingut) të gjyqtarëve dhe prokurorëve nga Komisioni i Pavarur i Kualifikimit.
Shqipëria nisi në vitin 2016 zbatimin e reformës në drejtësi me rivlerësimin e gjyqtarëve dhe prokurorëve, me qëllim garantimin e funksionimit të shtetit të së drejtës, pavarësisë së sistemit të drejtësisë dhe kthimin e besimit të publikut te institutcionet e këtij sistemi. Komisioni i Venecias e konsideroi rivlerësimin si masë të jashtëzakonshme, tranzitore dhe të nevojshme në kushtet e Shqipërisë.
Kuvendi i Republikës së Shqipërisë në vitin 2022 vendoi t’i zgjaste edhe për 2 vjet mandatin Komisionit të Pavarur të Kualifikimit për të përfunduar rivlerësimin e të gjithë subjekteve. Në këtë mënyrë, KPK, përmbyll misionin 7-vjeçar të rivlerësimit të 805 gjyqtarëve, prokurorëve dhe këshilltarëve ligjorë.
Sipas statistikave, KPK, për periudhën 8 shkurt 2018 deri më 21 nëntor 2024, raporton 805 vendime gjithsej, nga të cilat:
* 373 vendime për konfirmimin në detyrë të 165 gjyqtarë, 167 prokurorë, 2 ish- inspektorë në KLD, 2 inspektor në KLGJ dhe 37 ndihmës/ këshilltarë ligjorë;
* 268 vendime për shkarkimin nga detyra të 146 gjyqtarë, 1 ish-gjyqtare në GJL; 116 prokurorë, 1 inspektor në KLGJ dhe 4 ndihmës ligjorë;
* 105 vendime për ndërprerje të procesit për 61 gjyqtarë, 27 prokurorë, 1 ish-prokuror; 1 ish-gjyqtar, 1 ish- inspektor në KLD dhe 14 ndihmës ligjorë. (Neni G i Aneksit të Kushtetutës);
* 49 vendime për përfundimin e procesit pa një vendim përfundimtar të 26 gjyqtarë, 17 prokurorë; 1 ish- kryeinspektor në KLD-së; 2 ish-inspektorë në KLD dhe 3 ndihmës ligjorë. (neni 95 i Kodit të Procedurave Administrative dhe neni 64 i ligjit nr. 96/2016);
* 8 vendime për pushimin e procesit të 3 gjyqtarë, 1 prokuror dhe 4 ndihmës ligjorë. (neni 56 i ligjit nr. 84/2016);
* 2 vendime për pezullimin nga detyra për 2 prokurorë.
Mandati i KPK-së dhe i Komisionerëve Publikë përfundon më 31 dhjetor 2024, ndërkohë që apelimet e subjekteve të shkarkuar do të vijojnë të shqyrtohen nga Kolegji i Posaçëm i Apelimit.
Vlerësimi periodik i veprimtarisë së gjyqtarëve dhe prokurorëve që janë konfirmuar në detyrë dhe i magjistratëve të rinj vijohet nga Këshilli i Lartë Gjyqësor dhe Këshilli i Lartë Prokurorisë, si dhe Inspektori i Lartë i Drejtësisë për ankesat ndaj tyre./ekofin.al
