Nga Emirjon Senja
Ka herë pas here ankesa në rrjetet sociale mbi vonesat e avionëve që nisen nga Rinasi apo në drejtim të Rinasit, të cilat ndonjëherë janë vërtetë shqetësuese. Por, a ka vërtetë vend për kaq histeri se për shembull avioni i Wizz-it apo Ryanit u vonua një apo dy orë?
Shqiptarët janë duke fluturuar sot më lirë se KURRË ndonjëherë në historinë e këtij vendi dhe kjo duhet thënë dhe vlerësuar.
Futja e Wizz Air dhe Ryan Air në Rinas ishte gjëja e duhur. Tani presim dhe Easy Jet në Vlorë dhe mbyllim ciklin.
Personalisht mendoj se liberalizimi i fluturimeve është puna më e mirë e bërë këtë dekadën e fundit për vendin. Por, tani që liberalizuam fluturimet duhet të edukojmë udhëtarët.
Francezi e gjermani e ka farkëtuar durimin e vet nëpër luftëra në llogore, ku ushtarit i duhet të rrinte për muaj të tërë me pushkë në dorë, përballë armikut, me kokën ulur me këmbët në baltë, e ndonjëherë në jashtëqitje dhe me frikën se do të vdesë tani, apo pastaj. Shqiptari ka bërë përherë luftë kaçakësh.
Radha dhe respektimi i saj është kulturë në Perëndim. Sa herë me qëllon të pres në radhë nëpër këto shtete nuk kam frikë se dikush fut shpatullën si me stil, kurse shqipoja nuk ka durim të presë!! Ka një nxitim të paparë në këtë shoqëri!
Për ku? – Për askund.
Avioni nuk është autobusi i Unazës. Aviacioni civil është një ndër sektorët më mirë të rregulluar ku objektivi kryesor është siguria. Thonë që rregullat e aviacionit civil janë shkruar me gjak, duke marrë mësim prej pësimeve tragjike të dekadave të mëparshme.
Asnjë kompani në botë nuk do që avionët e saj të qëndrojnë në tokë. Një avion në tokë është kosto për kompaninë kurse një avion në fluturim nxjerr para.
Nëse kapiteni nuk niset apo kontrollori i trafikut ajror nuk jep leje për fluturim, do të thotë se vërtetë ka një problem. Mund të jetë një nevojë për të kontrolluar një sistem të avionit; moti mund të mos jetë i përshtatshëm; në aeroportin pritës kushtet mund të mos jenë të duhura për të zbritur, etj, etj.
Askush nuk ka qejf të mbajë për sport 150-200 pasagjerë brenda avionit duke pritur në pistë.
“Jo po kam vapë unë, nuk pres dot një orë brenda në avion….”
Kompanitë ‘low cost’ siç janë Wizz Air, Ryan Air, etj., nxjerrin fitimet e tyre jo duke bërë kompromise me sigurinë, siç mund të mendojnë disa, por duke ulur kostot operative dhe duke shfrytëzuar maksimalisht kapacitetet e avionëve të tyre.
Pra, duke i mbushur sa më shumë avionët në çdo fluturim.
Kjo sjell edhe bileta më të lira se kompanitë e tjera. Kur një avion pret në pistë deri sa të mbarojë imbarkimi, kompania ka dy mundësi: Ose kapiteni të ndezë motorët dhe të ndizen kondicionerët ose të marrë shërbim kondicionimi përmes një pajisjeje të posaçme nga jashtë.
Të dyja këto kushtojnë. Kompanitë ‘low cost’ nuk mund të ndezin motorët e avionit një orë para nisjes.
Kjo shkon kundër logjikës së funksionimit të tyre. Kondicionimi nga jashtë po ashtu duhet paguar.
