Kërkesa e ndërmarrjeve për kredi ka shënuar një rritje graduale gjatë gjithë vitit 2024, por bankat i shtrënguan kushtet për kreditim ndaj bizneseve.
Të dhënat e Vrojtimit të Ndërmarrjeve nga Banka e Shqipërisë, tregojnë se rreth 10% e ndërmarrjeve (krahasuar me 9% me 6-mujorin e parë 2024 dhe krahasuar me 8% në vitin 2023) deklarojnë se kanë aplikuar për financim në gjashtëmujorin e fundit të 2024.
Kjo prirje rritëse evidentohet në të tri grupet e ndërmarrjeve si në terma gjashtëmujorë ashtu edhe në terma vjetorë, por më e theksuar në rastin e ndërmarrjeve të mëdha. Këto të fundit kanë gjithashtu dhe peshën më të lartë të ndërmarrjeve që kanë aplikuar për një formë financimi së fundmi (rreth 12% e ndërmarrjeve të mëdha) krahasuar me ndërmarrjet e mesme (rreth 9%) dhe ato të vogla (rreth 7%).
Ndërmarrjet që nuk kanë aplikuar për hua, në shumicën e rasteve, pohojnë kryesisht se nuk e kanë të nevojshme për veprimtarinë që kryejnë (përkatësisht 71% të ndërmarrjeve të vogla, 66% të ndërmarrjeve të mesme dhe 73% të atyre të mëdha) dhe kjo peshë është rritur me 2 pp gjatë periudhës dhe me 3 pp krahasuar me një vit më parë; 17% e totalit të ndërmarrjeve kanë vendosur të mos aplikojnë për shkak se procesi iu duket i vështirë, dhe kjo peshë ka rënë me 2 pp krahasuar me periudhën e kaluar, e ardhur nga grupi i ndërmarrjeve të mesme dhe të mëdha; 3% mendojnë se kërkesa e tyre nuk do të miratohet dhe 9% e vlerësojnë më të lehtë huamarrjen nga burime alternative.
Të pyetur se si do të vepronin nëse nuk do të financoheshin nga bankat, pjesa më e madhe e ndërmarrjeve (rreth 38% e totalit) do ta siguronin këtë financim nga një burim alternativ dhe kjo prirje duket më e theksuar tek ndërmarrjet e vogla (41% e ndërmarrjeve) dhe ato të mesme (41% e ndërmarrjeve), e më pak tek ato të mëdha (36% e ndërmarrjeve).
Krahasuar me gjashtëmujorin e parë të 2024, këto pesha kanë qenë në rënie për ndërmarrjet e vogla dhe kanë mbetur pothuaj të pandryshuara tek ato të mesme dhe të mëdha. Gjithashtu, rreth 36% e totalit të ndërmarrjeve pohojnë se do t’i drejtohen sërish një banke apo institucioni tjetër, ndërsa rreth 26% pohojnë se do të shtyjnë në kohë planet e tyre, dhe të dyja këto pesha kanë mbetur pothuaj të pandryshuara gjatë periudhës.
Indeksi i vështirësisë së procesit të huamarrjes nga bankat, për periudhën, ka rezultuar 0.36 për totalin e ndërmarrjeve, duke shënuar rënie krahasuar me periudhën paraardhëse si dhe krahasuar me një vit më parë. Ky indeks vijon të mbetet midis nivelit “normal” dhe “i vështirë”, për të tri grupet e ndërmarrjeve.
Krahasuar me një vit më parë, niveli i vështirësisë ka qenë në rënie për të tria kategoritë e ndërmarrjeve. Marrëdhënia me bankat, e matur nga indeksi përkatës, vijon të vlerësohet midis nivelit “e rëndësishme” dhe “e domosdoshme”, me një vlerë prej 0.71 për totalin e familjeve. Krahasur me gjashtëmujorin e kaluar, ky indeks ka shënuar rënie, e ardhur kryesisht nga grupet e ndërmarrjeve të vogla dhe ato të mëdha.
Gjithashtu, kostoja e kredisë vijon të konsiderohet si elementi kryesor që vështirëson përfitimin e një huaje bankare, më të theksuar për ndërmarrjet e vogla dhe ato të mesme. Gjithsesi, vlerësimi për këtë element gjatë periudhës ka shënuar rënie për të tri grupet e ndërmarrjeve, krahasuar me gjashtëmujorin e parë të 2024 dhe krahasuar me vitin 2023.
Ky rezultat shkon në linjë me përgjigjet e mëparshme lidhur me zbutjen e kostove të huas gjatë periudhës, në kushtet e lehtësimit të politikës monetare nga Banka e Shqipërisë. Nga ana tjetër, si elemente të vështirësisë së përfitimit të huasë listohen dhe “paqartësia e kërkesave të bankës dhe procedurat burokratike”, “kushtet e garantimit të kredisë”, “mungesa e fleksibilitetit nga ana e bankave për ristrukturimin dhe shlyerjen e kredisë” etj, rëndësia e të cilave është vlerësuar në rritje nga të tri grupet e ndërmarrjeve, gjë që dëshmon për shtrëngim të standardeve të kreditimit dhe kujdes të shtuar nga ana e bankave./ekofin.al

