Bizneset shqiptare janë më optimiste se pjesa tjetër e rajonit për përfitimet që mund të sjellë tranzicioni i gjelbër, por investimet për produkte dhe procese më të qëndrueshme vazhdojnë të mbështeten kryesisht te paratë dhe kapacitetet e vetë kompanive.
Sipas raportit të OECD -së “Indeksi i Politikave për NVM-të në Ballkanin Perëndimor dhe Turqi 2026 – Profili Ekonomik i Shqipërisë”, rreth 58% e bizneseve shqiptare mendojnë se tranzicioni i gjelbër do të ketë ndikim pozitiv në aktivitetin e tyre. Ky është niveli më i lartë i optimizmit në Ballkanin Perëndimor.
Interesi i sektorit privat lidhet edhe me ndryshimet që po ndodhin në tregjet evropiane. Zgjerimi i kërkesës për produkte me ndikim më të ulët mjedisor, rritja e standardeve për furnitorët dhe integrimi i kritereve të qëndrueshmërisë në zinxhirët e prodhimit krijojnë mundësi të reja për kompanitë shqiptare, sidomos për ato që eksportojnë ose synojnë të bëhen furnizuese të bizneseve të Bashkimit Evropian.
Megjithatë, optimizmi nuk është shfaqur ende në një përhapje të gjerë të produkteve dhe shërbimeve të gjelbra. Vetëm rreth 22% e ndërmarrjeve të vogla dhe të mesme në Shqipëri deklarojnë se ofrojnë produkte ose shërbime të tilla.
OECD vlerëson se krijimi i vlerës nga NVM-të në ekonominë e gjelbër mbetet relativisht i ulët, pavarësisht përfshirjes së tranzicionit të qëndrueshëm në një numër në rritje dokumentesh strategjike.
Tri në katër biznese përdorin fondet e veta
Kufizimi kryesor për kompanitë shqiptare duket se mbetet financimi. Nga NVM-të e anketuara që prodhojnë mallra ose ofrojnë shërbime të gjelbra, 73% deklarojnë se mbështeten te burimet e veta financiare.
Përqindja është më e lartë se mesatarja prej 66% në Ballkanin Perëndimor dhe Turqi dhe niveli prej 60% në Bashkimin Evropian.
Vetëm 24% e bizneseve shqiptare përdorin mbështetje të jashtme. Në këtë tregues Shqipëria është pranë mesatares rajonale prej 23% dhe asaj të BE-së prej 25%.
Diferenca më e madhe shfaqet te kapacitetet teknike. Vetëm 16% e bizneseve shqiptare mbështeten te burimet e tyre teknike për zhvillimin e produkteve dhe shërbimeve të gjelbra, kundrejt 32% në Ballkanin Perëndimor dhe Turqi dhe 57% në Bashkimin Evropian.
Sipas OECD-së, përdorimi i ulët i asistencës së jashtme financiare dhe teknike mund të tregojë se shërbimet ekzistuese janë të pamjaftueshme, të vështira për t’u aksesuar ose të papërshtatura me nevojat reale të ndërmarrjeve të vogla dhe të mesme.
Mbështetja publike ende në fazat e para
Shqipëria ka parashikuar mbështetje financiare dhe teknike për startup-et dhe bizneset e gjelbra, por OECD vlerëson se masat janë ende në fazat e para të zbatimit. Mungojnë të dhënat për skema konkrete që ndihmojnë NVM-të në tranzicionin e gjelbër, analizat mbi nevojat e tyre dhe informacioni se cilët sektorë përfitojnë më shumë. Po ashtu, vendi ka pak ofrues privatë të specializuar, ndërsa mekanizmat e bashkëfinancimit dhe ndërgjegjësimi i bizneseve mbeten të dobëta.
Skemat kanë arritur një numër të kufizuar kompanish
Një nga masat e ndërmarra ishte skema “Smart & Green Future”, e cila u dha mbështetje financiare 75 kompanive. Dymbëdhjetë biznese të tjera përfituan nga aktivitetet e gjelbra të Strategjisë së Zhvillimit të Biznesit dhe Investimeve.
OECD e konsideron këtë një përmirësim krahasuar me vlerësimin e mëparshëm, por thekson se të dhënat për mbështetjen e NVM-ve mbeten të kufizuara. Monitorimi nuk është ende në nivelin që të tregojë nëse grantet dhe instrumentet financiare kanë sjellë investime të qëndrueshme, ulje të konsumit të energjisë apo rritje të produkteve të gjelbra.
Megjithatë sipas të dhënave, Shqipëria e ka përmirësuar rezultatin për stimujt dhe instrumentet e qëndrueshmërisë së NVM-ve, nga 1.72 pikë në vlerësimin e vitit 2022 në 2.44 pikë në raportin e ri. Megjithatë, mbështetja mbetet e moderuar dhe tranzicioni vazhdon të financohet në pjesën më të madhe nga vetë bizneset.
Pa zgjerimin e kredive të gjelbra, garancive, granteve dhe asistencës teknike, hendeku ndërmjet optimizmit të sektorit privat dhe investimeve konkrete rrezikon të mbetet i madh. Kjo mund të kufizojë edhe aftësinë e kompanive shqiptare për t’u integruar në zinxhirët evropianë të furnizimit, ku kërkesat për qëndrueshmëri po bëhen gjithnjë e më të rëndësishme./ ekofin.al


