Banka e Shqipërisë ka blerë 139.6 milionë euro në tregun e brendshëm gjatë tremujorit të parë të vitit, me qëllim rritjen e rezervës valutore dhe stabilizimin e kursit të këmbimit.
Por a kanë dhënë këto ndërhyrje rezultat në zbutjen e kursit të këmbimit?
Pavarësisht ndërhyrjeve të Bankës së Shqipërisë, kursi i këmbimit ka marrë tatëpjetën për poshtë. Zhvlerësimi i euros nuk është ndalur asnjë moment, duke rënë në 93 lekë në fillim të muajit korrik.
Sikurse parashikohej edhe në kalendarin e ndërhyrjeve, Banka Qendrore ka zhvilluar dy ankande me opsionin FORËARD me afat 3 muaj, pra përmes një marrëveshjeje paraprake për blerjen e euros në një datë të ardhshme dhe me një kurs këmbimi të përcaktuar që në momentin e arritjes së kësaj marrëveshjeje, ndërsa ka vijuar me zhvillimin e një ankandi tjetër me afat 1 muaj.
Në tre ankandet e zhvilluara gjatë periudhës me opsionin FORWARD janë blerë 44.10 milionë euro, ose mesatarisht 14.3 milionë euro për ankand, një nivel më i lartë se ai i së njëjtës periudhë të një viti më parë.
Gjatë tremujorit të parë, Banka e Shqipërisë ka realizuar blerje në tregun valutor edhe për përmbushjen e objektivave të politikës monetare dhe stabilitetit financiar. Në total janë blerë 95.50 milionë euro në katër ndërhyrje.
Deri në fund të këtij viti, Banka e Shqipërisë synon që të blejë nga bankat tregtare 330-450 mln euro, rreth 100 milionë euro më shumë se në ndërhyrjet e planifikuara në 2025. Si rezultat i të ardhurave nga turistët, flukset e euros janë më të larta në tremujorin e dytë dhe të tretë. Për këtë arsye, numri më i madh i ankandeve zhvillohet në këtë periudhë.
Banka Qendrore mban një rezervë valutore për të përmbushur nevojat e qeverisë për valutë për shlyerjen e borxhit të jashtëm, për të mbështetur tregtinë ndërkombëtare, duke përmbushur kërkesën për valutë që buron nga importuesit, si dhe mundësuar ndërhyrjen e Bankës së Shqipërisë në treg, me qëllim parandalimin dhe zbutjen e lëvizjeve të forta të kursit të këmbimit./Scantv

