Nga Genti Kuburi
Për një dekadë, Shqipëria iu shit botës si “perla e fundit e paprekur e Mesdheut” – e lirë, e egër, ende e pazbuluar. Sot, ajo histori po ndryshon kapitull. Nga bulevardet e Tiranës te gjiret e Dhërmiut, vendi po ndërton, guxim pas guximi, një identitet të ri: Atë të një destinacioni që nuk kërkon më vetëm sasi turistësh, por cilësi dhe para.
Në verën e 2026-s, kur një dhomë hoteli në Jalë mund të kushtojë aq sa një javë pushimesh, dikur kushtonte tërësisht, kur zhvillues nga Miami deri në Tel Aviv negociojnë miliarda euro për brigjet jugore, dhe kur emra si Kushner apo Fosun Tourism (Club Med) shfaqen në të njëjtën fjali me Vlorën apo Sarandën, bëhet e qartë se diçka strukturore po ndodh. Ky artikull përpiqet ta shpjegojë atë – me shifra, me kontekst rajonal dhe pa iluzione.
Nga “destinacioni i lirë” te eksperimenti i luksit
Deri para pak vitesh, avantazhi konkurrues i Shqipërisë ishte i thjeshtë: I njëjti diell, i njëjti det Jon, çmim shumë më i ulët se Kroacia, Greqia apo Italia. Kjo formulë funksionoi, numrat e flukseve turistike u rritën në mënyrë spektakolare, me vendin që kaloi nga disa qindra mijëra vizitorë të huaj në fillim të viteve 2010 në shifra që sot llogariten në miliona hyrje çdo muaj gjatë sezonit të lartë.
Duket se gjërat po lëvizin nën sipërfaqe. Sipas të dhënave zyrtare, të ardhurat nga turizmi arritën një nivel rekord prej 5,72 miliardë eurosh në vitin 2025, me një rritje vjetore prej 14,7% krahasuar me 2024-n – dhe një zgjerim që, në terma afatgjatë, e ka rritur këtë tregues 4.9 herë që nga viti 2008. Sektori përbën sot rreth 20% të Prodhimit të Brendshëm Bruto.
“Sfida nuk është më sa turistë vijnë, por sa kjo shifër përkthehet në të ardhura reale për vendin.”
Megjithatë ndryshimi thelbësor nuk matet vetëm me anën e sasisë, por edhe sa përkthehet në vlerë monetare dhe rritje ekonomike për vendin. Deri vonë, rritja e të ardhurave ndiqte thjesht rritjen e numrit të vizitorëve, sot kjo filozofi ka nxitur një kthesë strategjike drejt segmentit premium: Nga Strategjia e Turizmit 2026–2030, e cila vendos në qendër modelin “Mixed Use”, zona që bashkojnë hotelerinë, portet e jahteve, rezidencat turistike dhe hapësirat kulturore në një ekosistem që funksionon gjatë gjithë vitit, deri te hapja e parë e hoteleve me pesë yje të zinxhirëve ndërkombëtarë në bregdetin jugor.
Për ta bërë më të kuptueshme po e ilustrojmë me një shembull konkret këtë zhvendosjen: në qershor 2025 u hap pranë plazhit të Palasës hoteli i parë i koleksionit MGallery (Accor) në Shqipëri, një resort pesë-yjesh me plazh privat, spa dhe pishina panoramike që imitojnë arkitekturën e gurit mesdhetar. Në të njëjtën kohë, në Tiranë po hapen hotele butik të nivelit të lartë si “Adorn Tirana”, ndërsa përgjatë bregut jugor rriten emra si “Green Coast Hotel” dhe zgjerimi i zinxhirit Crowne Plaza në Durrës.
Pse po vërshojnë investimet në segmentin luksoz?
Ka të paktën katër arsye strukturore që shpjegojnë këtë kthesë:
- Zgjerimi i infrastrukturës. Aeroporti Ndërkombëtar i Vlorës, me një pistë prej 3.200 metrash dhe hapje të parashikuar në fund të 2026-s, do të hapë Rivierën drejtpërdrejt për turistë ndërkombëtarë. Zonat pranë projekteve të mëdha infrastrukturore në Shqipëri kanë shënuar historikisht rritje çmimesh nga 15% deri në 30% brenda pak viteve pas përfundimit të investimit.
- Ligji i investimeve strategjike. Prej një dekade, turizmi ka qenë sektori më i preferuar për statusin e “investitorit strategjik”, kryesisht përgjatë vijës bregdetare. Vetëm gjatë 2025-s u trajtuan shtatë projekte të tilla.
- Emrat e mëdhenj po vijnë. Rasti më i diskutuar është ai i Zvërnecit në Vlorë – një projekt prej rreth 4 miliardë eurosh, i lidhur me investitorë të afërt me familjen Kushner, që synon të krijojë rreth 1.000 vende pune. Është një projekt kontrovers: nga njëra anë promovohet si katalizator rajonal, nga ana tjetër ka ngjallur protesta lokale për pronësi, mjedis dhe transparencë, me përplasje të dokumentuara në maj 2026. Paralelisht, Club Med – pjesë e grupit Fosun Tourism, me 90 fshatra turistikë në botë, kërkon prej vitesh të zhvillojë një resort në Kakome, projekt i penguar historikisht nga mosmarrëveshje mbi pronësinë e tokës.
- Ndryshimi i kërkesës globale. Sipas analizave të fundit të Booking.com për 2026-n, turisti modern nuk kërkon më “ku të shkoj”, por “çfarë do të përjetoj atje”, një prirje që, e kombinuar me mbi-turizmin në Itali, Greqi e Spanjë, po e vendos Shqipërinë në hartën e “alternativave të reja mesdhetare”, siç e kanë vënë re edhe media të huaja si Euronews dhe Quotidiano.net.
Ku po ndodh, harta e re e luksit shqiptar
Nëse do të vizatonim një hartë të zonave premium sot, do të dallonim disa qendra kryesore:
- Riviera Jugore (Vlorë–Sarandë): boshti kryesor, që përfshin Palasën (me MGallery), Dhërmiun dhe Jalën. Zonat më ekskluzive Himara, Ksamili (“Maldivet e Evropës”) dhe Saranda.
- Zvërnec–Pishë Poro–Nartë (Vlorë): projekti gjigant i ri, ende në fazë vlerësimi dhe kontestimi publik, që synon një qendër të re gravitacioni për turizmin e nivelit të lartë në Adriatik, sipas modelit të Porto Montenegro-s.
- Tirana: jo më thjesht pikë tranziti, por destinacion më vete, një “city break” gjithnjë e më i kërkuar, me hotele butik të reja, skenë gastronomike në rritje dhe jetë nate që tërheq vizitorë gjatë gjithë vitit.
- Kakome: e destinuar prej dekadash për projekte të mëdha si ai i Club Med, ende në pritje të zbatimit.
- Alpet Shqiptare (Veri): Një segment tjetër i “luksit”, atë të eksperiencës dhe izolimit, që po tërheq turistë premium të orientuar nga natyra dhe eko-turizmi (shtegu Valbonë–Theth).
Çmimet,brenda dhe jashtë sezonit, krahasuar me rajonin
Kjo është pjesa ku realiteti bëhet konkret. Të dhënat nga strukturat akomoduese për sezonin veror 2026 tregojnë një hartë çmimesh mjaft të diferencuar sipas zonave:
Zona Kategoria Çmimi mesatar / natë (korrik–gusht)
Himarë, Sarandë Hotel 3–4 yje 80 € – 150 €
Dhërmi, Jalë Hotel / vilë, kërkesë e lartë 120 € – 250 €
Dhërmi, Jalë Resorte dhe vila premium 300 € – 400 €+
Riviera (të gjitha zonat) Set shezlong + çadër (plazh privat) 15 € – 30 €, deri 40–50 € në zonat ekskluzive
Jashtë sezonit (nëntor–prill), çmimet bien ndjeshëm shpesh me 40–60%, pasi shumica e strukturave në Rivierë ende funksionojnë vetëm gjatë muajve të verës, një nga arsyet pse strategjia zyrtare po nxit modele “gjithëvjetore” (Mixed Use).
Krahasimi rajonal
Për vite me radhë, avantazhi i Shqipërisë ishte thjesht çmimi më i ulët se Greqia, Kroacia dhe Italia. Kjo diferencë tani po ngushtohet dukshëm, pushues shqiptarë po krahasojnë gjithnjë e më shumë ofertat vendase me paketa “all inclusive” në Turqi apo destinacione greke si Korfuzi dhe Halkidiki, dhe në disa raste një javë e organizuar jashtë vendit del me kosto të ngjashme ose më të ulët se një pushim i pavarur në bregdetin jugor. Sipas Eurostat, indeksi i çmimeve të hoteleve dhe restoranteve në Greqi dhe Kroaci qëndron rreth 81–84% të mesatares evropiane – një referencë e dobishme, pasi tregon se edhe këto dy vende po i afrohen mesatares kontinentale, ndërsa Shqipëria po ngjitet drejt tyre nga poshtë.
Megjithatë, në segmentin e pronave dhe investimeve afatgjata, Shqipëria mbetet ende dukshëm më e lirë. Ndërsa kompleksi turistik më i lirë në Tivar (Mali i Zi) fillon me çmime rreth 3.700 €/m², dhe zona të ngjashme në Greqi (Lefkada, Selanik) lëvizin në nivele të krahasueshme, apartamentet e reja premium në Rivierën shqiptare ende variojnë kryesisht nga 1.500 deri në rreth 4.500 €/m², me disa prona VIP në Sarandë që arrijnë 3.000–3.500 €/m². Kjo diferencë e madhe në çmime dhe aspekti Shqipëria “e nënvlerësuar” krahasuar me fqinjët, është argumenti që përdoret rënomtë nga brokerat imobiliarë për të tërhequr kapital të huaj.
Kush janë klientët, të huaj, vendas apo diaspora?
Vizitorët më të shpeshtë janë nga Europa. Evropianët zënë rreth 95% e turistëve të huaj që vijnë për pushime. Burimin më të madhë të vizitorëve historikisht e kemi nga Kosova, më pas vjen pjesa e Italisë, Polonisë, Gjermanisë dhe Francës. Rreth 85% e turistëve udhëtojnë në mënyrë individuale, prirje e përforcuar nga zgjerimi i linjave “low-cost” në Aeroportin “Nënë Tereza”.
Por brenda kësaj mase të madhe po formohet një shtresë e re dhe e dallueshme, ‘klientela premium dhe diaspora me fuqi të lartë blerëse’. Tregu i pronave e tregon këtë më qartë se çdo tjetër tregues, të huajt përbëjnë rreth 24% të transaksioneve totale të pronave në vend, ndërsa në disa zona bregdetare kjo shifër ngjitet në 20–30%, duke përfshirë shqiptarë të diasporës me kapital të grumbulluar në Zvicër, Gjermani dhe vendet nordike. Në Durrës, brokerat raportojnë se deri në 70% e blerësve janë shtetas të huaj si çekë, polakë, hungarezë, ukrainas, si dhe shqiptarë të Kosovës që jetojnë në Zvicër.
Ndërkohë, vetë turisti shqiptar po bëhet gjithnjë e më i vëmendshëm ndaj raportit çmim-cilësi. Rritja e çmimeve në bregdetin jugor këtë verë po e detyron pushuesin vendas të krahasojë çdo rezervim me alternativat greke apo turke, sjellje konsumatore që nuk ekzistonte në të njëjtën shkallë dhjetë vjet më parë.
Çfarë kërkon turisti premium?
Nga intervista me operatorë të sektorit dhe analizat e fundit të tregut, portreti i turistit “luksoz” që synon sot Shqipërinë dallon qartë nga turisti masiv tradicional:
- Eksperiencë e plotë, jo thjesht akomodim, gastronomi autentike, lidhje me komunitetin lokal, histori dhe natyrë të paprekur.
- Privatësi dhe ekskluzivitet, plazhe private, pishina me pamje panoramike, shërbime spa dhe mirëqenie.
- Infrastrukturë vjetore, jo thjesht një hotel i shkretë jashtë gushtit, por një destinacion me shërbime, portë jahtesh dhe jetë reale, siç synon modeli Mixed Use.
- Aksesueshmëri direkte, hapja e Aeroportit të Vlorës pritet të jetë faktor vendimtar për këtë segment.
- Investim, jo vetëm pushim, pjesë e këtyre klientëve që blejnë vila si shtëpi të dyta ose për qiradhënie afatshkurtër, duke kombinuar pushimin me strategjinë financiare personale.
Ndikimi ekonomik, punësim, prona dhe multiplikatorë
Punësimi
Vetëm sektori i turizmit sot punëson rreth 1/5 e fuqisë punëtore në Shqipëri, ndërsa parashikimet afatgjata të WTTC flasin për rreth 314 mijë vende pune deri në 2034. Vetëm projekti i Zvërnecit pritet të krijojë rreth 1.000 vende pune të reja, përtej mijëra pozicioneve të përkohshme gjatë ndërtimit.
Vlera e pronës
Ky është ndoshta treguesi më dramatik. Në zona si Lungomare dhe Uji i Ftohtë në Vlorë, çmimet e pronave pritet të rriten 10–15% në vit, kryesisht falë aeroportit të ri, në Orikum dhe Radhimë 8–12% në vit. Në Himarë 7–11%. Në terma pesë-vjeçarë, analistët parashikojnë me besim një rritje kumulative prej 70–100% në bregdetin shqiptar, në mungesë krizash globale. Vilat elitare me pamje nga deti, që kushtonin rreth 1 milion euro në 2021, sot shiten mesatarisht për 1,2 milionë euro.
Kontributi fiskal dhe valutor
Bilanci neto i turizmit u ngjit në 2,68 miliardë euro në 2025, nga 2,29 miliardë euro një vit më parë,burim kyç i hyrjes së valutës dhe stabilitetit të rezervave.
Përvoja e Porto Montenegro-s tregon se madhësia e investimit nuk garanton automatikisht kontribut proporcional ndaj PBB-së kombëtare.
Vlen një notë e ekuilibruar, përvoja e Malit të Zi me Porto Montenegro që është projekti më i suksesshëm turistik i Ballkanit Perëndimor, tregon se ndikimi kryesor i investimeve të mëdha shpesh vjen jo nga rritja e menjëhershme statistikore, por nga krijimi gradual i një ekosistemi të ri ekonomik. Marina, shërbime financiare, mirëmbajtje jahtesh, turizëm rezidencial afatgjatë. Zvërneci, sipas analistëve, përfaqëson pikërisht një test të ngjashëm për Shqipërinë.
Sfida dhe pikëpyetje që nuk duhen fshehur
Çdo histori suksesi ka faqen e saj tjetër, dhe do të ishte e papërgjegjshme ta linim jashtë:
- Kontestimi social dhe mjedisor. Projekti i Zvërnecit ka ngjallur protesta të dokumentuara, me akuza për shkelje të pronësisë private dhe rrezik mjedisor mbi një nga zonat më të pacenuara natyrore të Mesdheut.
- Rreziku i “shitjes copë-copë”. Nëse pjesa më e madhe e njësive shndërrohet thjesht në prona private të shitura, pa funksion turistik real gjatë gjithë vitit, ndikimi afatgjatë rrezikon të mbetet larg premtimeve fillestare.
- Erozioni i avantazhit të çmimit. Shqipëria po humbet gradualisht statusin e “destinacionit të lirë” pa e zëvendësuar ende plotësisht me një ofertë të konsoliduar premium.
- Presioni mbi komunitetet lokale. Rritja e shpejtë e çmimeve të pronës në zona si Himara dhe Vlora po e bën gjithnjë e më të vështirë aksesin e banorëve vendas në tregun e vet të banesave.
Përfundim, një kthesë e vërtetë, por ende e papërfunduar
Shqipëria po kalon nga logjika e “sa më shumë turistë, aq më mirë” drejt një modeli më kompleks, ku fjala kyçe është vlera, jo vëllimi. Hapja e aeroportit të Vlorës, projektet gjigante si Zvërneci, hyrja e zinxhirëve ndërkombëtarë si Accor/MGallery, dhe rritja e vazhdueshme e interesit të huaj dhe të diasporës për prona bregdetare, të gjitha tregojnë një trajektore të qartë drejt pozicionimit si destinacion “luxury” në Adriatik dhe Jon.
Por siç e tregon vetë përvoja e Porto Montenegro-s, madhësia e investimit nuk garanton automatikisht sukses ekonomik të balancuar. Testi i vërtetë do të vijë në vitet e ardhshme: a do të arrijë Shqipëria të ndërtojë një ekosistem turistik gjithëvjetor, që gjeneron vende pune të qëndrueshme dhe ruan identitetin e saj natyror – apo do të mbetet, në disa zona, thjesht një hartë e re pronash private të shitura shtrenjtë, me pak lidhje reale me ekonominë dhe komunitetet vendase?
Përgjigjja do ta përcaktojë nëse Shqipëria bëhet vërtet “Monaco e Ballkanit”, apo thjesht një kapitull tjetër, i shtrenjtë, i një historie që ende po shkruhet.

