Instituti i Statistikave (INSTAT) ka publikuar për herë të parë të dhënat mbi Kërkimin Shkencor dhe Zhvillimin (K&ZH) për vitet 2021-2022, duke ofruar informacion për performancën e sektorëve të ndryshëm që kontribuojnë në këtë fushë: Sektori Shtetëror, Institucionet e Arsimit të Lartë (IAL), Ndërmarrjet Private dhe Organizatat Jofitimprurëse (OJF).

Në vitin 2022, 3.748 persona ishin angazhuar në aktivitetet e K&ZH në Shqipëri, përfshirë persona me kohë të plotë dhe të pjesshme. Pjesa më e madhe e tyre ishin në Institucionet e Arsimit të Lartë (IAL), me 81,6% të totalit, ndërsa Ndërmarrjet Private dhe OJF-të përbënin 9,6% dhe Sektori Shtetëror 8,8%. Gjatë vitit 2022, femrat përbënin 54,4% të personelit të angazhuar, ndërsa në vitin 2021, meshkujt kishin përqindjen më të lartë me 50,6%.

Kërkuesit Shkencorë përbënin 55,2% të personelit të angazhuar në K&ZH gjatë vitit 2022, me një ndryshim të vogël nga viti 2021, kur kjo kategori përbënte 55,3%. Personeli Profesional përbënte 21,6%, Personeli Teknik 10,6%, dhe Personeli Mbështetës 12,6%.

Sektori i Institucioneve të Arsimit të Lartë (IAL) ka mbajtur peshën më të madhe të fondeve dhe shpenzimeve për K&ZH. Në vitin 2022, ky sektor kontribuoi me 52,5% të fondeve dhe 53,1% të shpenzimeve totale të K&ZH, me një ulje të lehtë krahasuar me vitin 2021, ku përqindja ishte 53,6% për fondet dhe 57,9% për shpenzimet.

Ky raport nënvizon rëndësinë e zhvillimit të kërkimit shkencor dhe inovacionit për ekonominë dhe për trajtimin e sfidave të mëdha shoqërore dhe teknologjike, duke theksuar nevojën për më shumë investime në këtë sektor strategjik. /ekofin.al
