Jet Bank shënon një tjetër hap të rëndësishëm në modernizimin e shërbimeve bankare në Shqipëri, duke aktivizuar transfertat ndërbankare të menjëhershme në lekë dhe euro, të cilat realizohen brenda 10 sekondash, në çdo orë të ditës dhe në çdo ditë të vitit.
Banka ka njoftuar zyrtarisht përfshirjen në sistemin e ri kombëtar të pagesave të menjëhershme, duke u mundësuar klientëve të transferojnë para ndërmjet bankave pjesëmarrëse në Shqipëri pa qenë të detyruar të presin oraret tradicionale të përpunimit të transfertave ndërbankare.
Ky zhvillim vjen pas një tjetër risie të rëndësishme të Jet Bank, e cila ishte gjithashtu banka e parë në Shqipëri që solli pagesat SEPA Instant, duke mundësuar dërgimin e parave jashtë vendit brenda pak sekondash, 24 orë në ditë, 7 ditë në javë dhe 365 ditë në vit.
Me aktivizimin e transfertave të menjëhershme brenda vendit, Jet Bank zgjeron më tej shërbimet e saj të pagesave në kohë reale, duke kombinuar mundësitë për transferta të shpejta ndërkombëtare përmes SEPA Instant me transfertat ndërbankare në tregun vendas.
Sipas njoftimit të bankës, sistemi i ri mundëson transferimin e fondeve ndërmjet llogarive të bankave pjesëmarrëse brenda një kohe deri në 10 sekonda. Ndryshe nga transfertat tradicionale, të cilat mund të kërkojnë disa orë apo të varen nga ditët e punës, pagesat e menjëhershme mund të kryhen edhe gjatë natës, në fundjavë dhe në ditët e festave zyrtare, siç është edhe dita e sotme.
Një tjetër element i rëndësishëm është mundësia e realizimit të këtyre transfertave në të dyja monedhat, lek dhe euro.
Sistemi i ri mbështetet në infrastrukturën kombëtare të pagesave, të zhvilluar në kuadër të bashkëpunimit ndërmjet Bankës së Shqipërisë dhe Bankës së Italisë, një projekt që synon modernizimin e tregut financiar shqiptar dhe përafrimin e tij me standardet evropiane të pagesave, i cili u prezantua këtë të hënë.
Në njoftimin e saj, Jet Bank e cilëson këtë zhvillim si një tjetër moment të rëndësishëm në misionin për të ripërcaktuar mënyrën e ofrimit të shërbimeve bankare në Shqipëri.
“Për klientët tanë, bëhet fjalë për sekonda. Për ne, bëhet fjalë për kapërcimin e një tjetër pengese bankare”, thekson banka.
Aktivizimi i transfertave të menjëhershme përfaqëson një zhvillim të rëndësishëm edhe për tregun bankar shqiptar, ku digjitalizimi i shërbimeve financiare dhe përshpejtimi i pagesave po kthehen në faktorë gjithnjë e më të rëndësishëm të konkurrencës.
Për Jet Bank, ky është një tjetër hap në strategjinë e saj të inovacionit, pas prezantimit të SEPA Instant, duke e pozicionuar bankën ndër institucionet që po investojnë në ofrimin e shërbimeve bankare të shpejta, të aksesueshme në çdo kohë dhe të orientuara drejt nevojave të ekonomisë digjitale.
