Sipas të dhënave të publikuara nga INSTAT, në tremujorin e dytë të vitit 2025, Indeksi i Çmimeve të Importit arriti 107,6 pikë, duke marrë si periudhë bazë vitin 2021. Krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2024, ky indeks shënoi një ulje prej 0,7 %, ndërsa një vit më parë ky ndryshim ishte -1,0 %. Në raport me tremujorin e parë të vitit 2025, ndryshimi tremujor shënoi një rënie të lehtë prej 0,1 %.
Ndryshimi vjetor i çmimeve të importit tregon se sektori “Energjia elektrike, gazi, avulli dhe ajri i kondicionuar” regjistroi uljen më të madhe me -5,3 %, pasuar nga “Furnizimi me ujë, trajtimi dhe menaxhimi i mbeturinave” me -2,2 % dhe “Industria përpunuese” me peshën më të madhe prej 94,0 %, që shënoi një ulje me 0,4 %. Brenda industrisë përpunuese, ulja më e lartë e çmimeve u vu re në “Prodhimin e drurit dhe produkteve prej druri e dushku (përveç mobilieve)” me -1,2 %, ndjekur nga “Përpunimi i produkteve ushqimore” dhe “Prodhimi i letrës e produkteve prej letre” me -0,9 % secili. Nga ana tjetër, sektori “Industri nxjerrëse” shënoi një rritje të lehtë prej 0,1 %.
Ndryshimi tremujor i çmimeve të importit, krahasuar me tremujorin e parë 2025, pasqyron një ulje në “Furnizimin me ujë dhe menaxhimin e mbetjeve” me -0,6 %, “Energjia elektrike, gaz, avull dhe ajër të kondicionuar” me -0,5 % dhe “Industrinë përpunuese” me -0,04 %. Brenda industrisë përpunuese, rënia më e madhe u shënua në “Prodhimin e letrës dhe produkteve prej letre” me -0,5 %, ndjekur nga “Përpunimi i produkteve dhe preparateve farmaceutikë”. Në të kundërt, sektori i “Industrisë nxjerrëse” regjistroi një rritje prej 0,1 %.
Në lidhje me Indeksin e Çmimeve të Prodhimit (IÇP), INSTAT raportoi se në tremujorin e dytë të vitit 2025 ky tregues arriti 129,7 pikë, duke marrë si periudhë bazë vitin 2021. Krahasuar me tremujorin e dytë të vitit 2024, IÇP shënoi një rritje vjetore prej 0,3 %.
Rritja më e lartë vjetore u regjistrua në sektorët “Furnizimi me ujë, trajtimi dhe menaxhimi i mbeturinave” dhe “Industria përpunuese” me 0,4 % secili, pasuar nga “Industria nxjerrëse” me 0,2 %. Brenda industrisë përpunuese, rritja më e madhe e çmimeve u vu re në “Prodhimin e mobiljeve” me 2,5 %, ndërsa ulja më e madhe në “Prodhimin e kimikateve dhe produkteve kimike” me -1,6 %.
IÇP për tregun vendas shënoi një rritje vjetore prej 0,5 %. Rritja më e lartë u vu re në “Industrinë përpunuese” me 1,1 %, ndërsa “Industria nxjerrëse” shënoi një ulje prej -2,1 %.
IÇP për eksport gjithashtu shënoi rritje vjetore prej 0,5 %, me rritjen më të madhe në “Industrinë nxjerrëse” me 2,7 %, pasuar nga “Furnizimi me ujë, trajtimi i mbetjeve” dhe “Energjia elektrike, gaz, avull dhe ajër të kondicionuar” me 0,4 % secili.
Në krahasim me tremujorin e parë 2025, IÇP shënoi një rritje tremujore prej 0,1 %. Rritja më e lartë u vu re në “Industrinë nxjerrëse” dhe “Industrinë përpunuese” me 0,2 % secila.
Për tregun vendas, IÇP shënoi një rritje prej 0,1 %, ku “Industria përpunuese” dha ndikimin kryesor (+0,2 %), ndërsa “Industria nxjerrëse” shënoi ulje me -0,2 %.
Për eksportin, IÇP shënoi një rritje të lehtë, kryesisht nga “Industria nxjerrëse” me +0,4 %, ndërsa u regjistrua ulje në “Industrinë përpunuese” dhe “Energjinë elektrike, gaz, avull dhe ajër të kondicionuar” me -0,1 % secila.


