Nga Jonida Këllezi *
Kur më ftuan të mbaj një workshop në Business Reset 2026, eventin e parë të kësaj natyre në Shqipëri, m’u kujtua “People Have the Power” e Patti Smith-it. Profesori i Menaxhimit e la të luante në orën tonë të parë në universitet, si mësimin e tij të parë: menaxhimi nis te njerëzit. Njëzet vjet më vonë, me AI që merr detyrat tona dhe me studentët që protestojnë në rrugët e Tiranës, e kuptoj sa i saktë ishte.
Në njëzet vjet eksperiencë në fushën e marketingut, nga koha kur u shpjegonim klientëve ç’është një brand, te rrjetet sociale, automatizimi e tani AI, aftësitë e mia janë riformatuar disa herë nga e para. Gjatë rrugës kalova në anën tjetër të tryezës: nga ai që i bën detyrat, te ai që i ndan, i drejton dhe përgjigjet për to. Prej këtu lindi edhe tema e workshopit: si t’i shohësh detyrat e marketingut kur një pjesë e tyre i bëjnë makinat, dhe si t’i drejtosh njerëzit që mbeten.
Për ta përgatitur, vëzhgova, jo statistikisht, por me sy e me vesh, ekipin tim prej 50–60 të rinjsh të gjeneratës Z, studentët e mi dhe menaxherë, pronarë biznesesh e pedagogë. Mendoja se do të mësoja diçka për AI. Mësova shumë më tepër për ne! Gjithçka më çonte te e njëjta fjalë: drejtimi.
Shkolla nuk po u jep të rinjve drejtim. Shumë menaxherë nuk po u japin drejtim ekipeve. AI po merr detyrat dhe po na lë në dorë vetëm drejtimin. Dhe studentët, këto ditë, po i kërkojnë vendit pikërisht këtë!
Studentët në rrugë: nuk kanë faj që ankohen
Studentët kanë të drejtë të ngrenë zërin. Kërkesat e tyre (kushtet në universitete, kostoja e studimeve, mungesa e mbështetjes financiare dhe e perspektivës së punësimit) janë pothuajse si ato të “Dhjetorit Studentor” të 2018-s, jo teka të një brezi “të llastuar”. Zjarri dhe gurët nuk i shërbejnë kauzës, por gabimi i disave nuk e fshin drejtësinë e kërkesës së shumëkujt.
Albert Hirschman shkruante se kur një sistem dështon, njerëzit kanë dy rrugë: exit (largimin) ose voice (zërin). Për tridhjetë vjet, të rinjtë tanë zgjodhën largimin: vetëm në 2024, sipas Eurostat, rreth 44 mijë shqiptarë emigruan në BE, 62% prej tyre nën 35 vjeç, ndërsa në vend kanë mbetur rreth 405 mijë të rinj 15–29 vjeç, 45% më pak se në 2011 (INSTAT). Sot një pjesë po zgjedh zërin, dhe për një vend që po zbrazet kjo është shpresë, jo kërcënim! Ata nuk kërkojnë vetëm tarifa më të ulëta, por drejtim, sepse kanë kuptuar atë që ne, brezi më i rritur, e kemi pranuar heshtur: se janë produkti i një eksperimenti.
Tridhjetë vite eksperiment në arsim
Për tre dekada arsimi ynë ka qenë laborator. Nuk e them për të fajësuar një qeveri, por sepse si menaxher i shoh pasojat çdo ditë. Brenda një brezi kaluam nga 8-vjeçarja te 9-vjeçarja, nëpër disa modele Mature, një Bolonjë me nxitim, tekste të liberalizuara, kurrikula me kompetenca dhe një shpërthim universitetesh private, dhjetëra prej të cilave u mbyllën në 2014. Asnjë reformë nuk pati kohë të piqej. Të dhënat e konfirmojnë:
- Në PISA 2022 për mendimin krijues, nxënësit tanë morën 13 pikë nga 60, kundër 33 në mesataren e OECD, dhe vetëm 16% arritën nivelin bazë (OECD).
- Papunësia e të rinjve 15–24 vjeç ishte 22.8% në 2024 (INSTAT), ndërsa ETF flet për një mospërputhje të qartë mes aftësive dhe tregut (ETF).
Shkolla jonë ka prodhuar diploma, jo domosdoshmërisht aftësi. Për Michael Spence-in, diploma është sinjal që vlen aq sa i beson punëdhënësi; kur universitetet shumohen dhe standardet bien, sinjali zhvlerësohet. I riu e ndjen këtë pa e lexuar Spence-in: ka paguar, ka studiuar, dhe tregu i thotë “nuk mjafton”. Shkolla i dha një letër, mirëpo jo një busull!
Gen Z në zyrë: jo dembelë, por të padrejtuar
Shpesh dëgjojmë ose edhe e themi vetë se Gen Z nuk do të punojë, ikën me ofertën e parë dhe nuk duron kritikë. Pas vitesh pune me ta, mendoj se kjo është gjysma e së vërtetës. Janë të shpejtë me teknologjinë, të ndjeshëm ndaj padrejtësisë dhe të gatshëm të mësojnë, mirëpo u mungon ajo që duhej t’ua jepte shkolla: të shkruajnë qartë, të mendojnë analitikisht, të mbajnë përgjegjësi për një rezultat (veçanërisht kur ai nuk është pozitiv). Përgjigjen shpejt në chat-et online, por e kanë të vështirë të qetësojnë ballë për ballë një klient të zemëruar; njohin çdo mjet AI, por rrallë dinë të shkruajnë një brief komunikimi apo të mbrojnë një strategji të paracaktuar nga eprorët.
Megjithatë, faji nuk është vetëm i tyre. Denise Rousseau flet për kontratën psikologjike: pritshmëritë e pashkruara që punonjësi sjell bashkë me kontratën e firmosur. Gen Z pret rritje, respekt dhe mentorim, e punëdhënësi as nuk e di. Sipas studimeve të kryera ng Deloitte, gjysma e Gen Z duan që menaxheri t’i mentorojë, por vetëm 36% thonë se kjo ndodh. Kur kontrata e pashkruar shkelet, i riu nuk ankohet, thjesht ikën. Dhe menaxheri, I cili duhet t’i thotë çfarë i mungon, shpesh zgjedh të hesht.
Menaxheri millennial “shumë soft”
Mes dy brezave qëndron menaxheri millennial: i sjellshëm, empatik, i hapur, por shpesh i paaftë të vendosë kufij dhe të japë feedback të vështirë. E kam parë në biznese të vogla, në kompani, në universitete, tek vetja… U rritëm me autoritetin e ashpër të prindërve e të eprorëve dhe u betuam të mos bëhemi si ata. Por kundërshtimi i autoritetit nuk është udhëheqje. Kim Scott e quan “empati shkatërruese”: kujdesesh për njeriun, por nuk e sfidon. Rezultati: një ekip i qetë në sipërfaqe, ku standardet bien në heshtje dhe të mirët ikin të zhgënjyer.
Mirëpo, ky nuk është vetëm “problem shqiptar”: sipas Chartered Management Institute, në Britani 82% e menaxherëve janë “rastësorë”, pa trajnim formal, dhe ndërkohë një në tre punonjës ka ikur për shkak të menaxhimit të dobët. Te ne e rëndon edhe kultura. Hofstede e rendit Shqipërinë mes vendeve me distancë të lartë ndaj pushtetit dhe lidhje të forta kolektive, hierarki që Gen Z, e rritur me internet dhe modele perëndimore, e sfidon. Sipas Karl Mannheim, brezat i formojnë ngjarjet e përbashkëta të rinisë: millennials tranzicioni, Gen Z rrjetet sociale dhe emigrimi i të afërmve. Menaxheri millennial, i promovuar shpejt nga bumi I sektorëve të turizmit, IT-së dhe shërbimeve, qëndron mes dy botëve pa pasur kurrë vetë një model të mirë drejtimi. Një staf i ri ka nevojë për më shumë drejtim, jo për më pak; ne shpesh i japim liri, por pa strukturë.
AI: teknologjia bën detyrën, njeriu jep drejtimin
AI nuk e krijoi këtë hendek, por po e zgjeroi shpejt atë. AI merr detyrat, njeriut i mbetet drejtimi: çfarë duhet bërë, pse, për kë dhe me çfarë standardi. Por detyrat që merr AI (draftet e para, përmbledhjet, përgjigjet standarde, raportet bazë, contentin masiv) janë ato me të cilat një i ri mësonte zanatin. Shkalla e parë e karrierës po zhduket: i riu pritet të ushtrojë gjykim që ditën e parë, pa kaluar fazën ku gjykimi formohej. Sipas World Economic Forum, mendimi analitik mbetet aftësia më e kërkuar, ndërsa 39% e aftësive kryesore do të ndryshojnë deri në 2030.
Këtu lidhet gjithçka. Mendimi analitik dhe krijues që kërkon AI është pikërisht aty ku nxënësit tanë dolën më dobët në PISA, dhe menaxheri që duhet ta zhvillojë shpesh shmang bisedën e vështirë. AI e thellon edhe paradoksin e sinjalit: kur CV-në, letrën e motivimit apo portofolin mund t’i shkruajë një program kompjuterik, i vetmi sinjal i besueshëm mbetet gjykimi i njeriut. Pa drejtim njerëzor, AI në duart e një stafi të papërgatitur prodhon thjesht mediokritet më të shpejtë.
Dikush do të thotë se e gjithë Europa ankohet njësoj: tre të katërtat e punëdhënësve në botë nuk gjejnë njerëz me aftësitë e duhura, në Gjermani e Greqi 82%. Por atje është krizë tregu, te ne krizë drejtimi. I riu gjerman i pakënaqur ndërron punë, sepse ka arsim profesional dual dhe institucione që e dëgjojnë. I riu shqiptar ndërron vend, dhe shkon të mbushë pikërisht mungesën e talenteve në Gjermani apo Itali. Simptomat janë të njëjta, sëmundja jo.
Drejtimi nuk delegohet! Nisa ta përgatis workshopin duke menduar për detyrat që AI na merr dhe përfundova te pyetja e vërtetë: kush do të japë drejtimin? Shteti duhet të ndalë eksperimentet dhe të ndërtojë një arsim që zgjat më shumë se një mandat. Por ne që drejtojmë biznese dhe ekipe nuk mund të presim: duhet të japim feedback të ndershëm, të mentorojmë dhe ta përdorim AI për të liruar kohë për njerëzit, jo për t’i zëvendësuar.
Studentët në rrugë po na thonë pikërisht këtë. Nëse ne, brezi që sot drejton, nuk i dëgjojmë, ata do të kthehen te rruga që kanë njohur gjithmonë: largimi.
*Jonida Këllezi është Drejtuese Marketingu në EasyPay
