Pandemia COVID-19, po mban peng rritjen e prodhimit dhe rimëkëmbjen e plotë të ekonomisë. Guvernatori i Bankës së Shqipërisë Gent Sejko në ëorkshop-in e 15 të Kërkimeve Ekonomike për Evropën Juglindore, u shpreh se pandemia po sjell një rritje të shpejtë të çmimeve për shkak të kufizimeve në prodhim.
“Ashtu siç parashikuam në workshop-in e vitit të kaluar, pasiguria e lartë për prodhimin dhe shpërndarjen janë faktorë që mbajnë peng rimëkëmbjen. Pandemia duket se ka ngritur barriera për globalizimin dhe kjo pritet të ketë efekte të rëndësishme në ekonomi. Kombinimi i këtyre dy efekteve e ka dhënë ndikimin e vet të menjëhershëm te çmimet, duke nxitur rritjen e inflacionit si pasojë e këtyre efekteve të ofertës. Megjithatë, ky nuk është një konkluzion i qartë. Jo pak zëra nga bota akademike dhe ajo e bankingut qendror mendojnë se inflacioni mund të jetë efekt edhe i politikave ekspansioniste të bankave qendrore. Natyrisht qëndrimet e kundërta vijnë si rezultat edhe i paqartësive mbi efektet, gjeografinë dhe masën me të cilën pandemia ka prekur ekonomitë”, pohoi Guvernatori Sejko.
Guvernatori ka theksuar se ende duhen studiuar pasojat e pandemisë pasi ka ekspertë botëror që mendojnë se rritja e inflacionit është e rrezikshme, ndërkohë që ekspertë të tjerë thonë se rritja e çmimeve është e përkohshme.