Një grup investitorësh që përfshin BlackRock, Microsoft dhe Nvidia po blen një nga operatorët më të mëdhenj të qendrave të të dhënave në botë — me gati 80 impiante — në një marrëveshje me vlerë 40 miliardë dollarë, me qëllim sigurimin e kapaciteteve të kërkuara të kompjuterizimit për inteligjencën artificiale.
Blerja e Aligned Data Centers, me bazë në SHBA, nga Macquarie Asset Management (Australi), shënon marrëveshjen e parë për AI Infrastructure Partnership, e krijuar vitin e kaluar dhe e mbështetur nga fondi MGX me bazë në Abu Dhabi dhe startup-i i Elon Musk, xAI.
“Me këtë investim në Aligned Data Centers, ne forcojmë objektivin tonë për të ofruar infrastrukturën e nevojshme për të fuqizuar të ardhmen e inteligjencës artificiale,” deklaroi CEO i BlackRock, Larry Fink, i cili shërben gjithashtu si kryetar i bordit të AI Infrastructure Partnership.
Marrëveshje për çipe dhe infrastrukturë
Kjo blerje është më e fundit në një sërë marrëveshjesh të mëdha që përfshijnë kompanitë më të mëdha teknologjike dhe startup-et e Silicon Valley-t, të nxitura nga bum-i i inteligjencës artificiale.
Sipas vlerësimeve të Morgan Stanley, gjigantët e teknologjisë si Alphabet, Amazon, Meta, Microsoft dhe CoreWeave pritet të shpenzojnë 400 miliardë dollarë këtë vit vetëm për infrastrukturën e AI-së.
Startup-i OpenAI, në qendër të këtij bum-i, ka arritur marrëveshje së fundmi me prodhuesit e çipeve Nvidia, AMD dhe Broadcom, që mund të kushtojnë mbi 1 trilion dollarë për të siguruar rreth 26 gigavat kapacitet kompjuterik — mjaftueshëm për të furnizuar afro 20 milionë shtëpi amerikane.
Meta Platforms po ndërton disa qendra të dhënash gjigante për AI, përfshirë një të quajtur Prometheus që pritet të hyjë në funksion në vitin 2026, dhe një tjetër, Hyperion, që mund të zgjerohet deri në 5 gigavat.
Aligned Data Centers, kompani private, aktualisht zotëron mbi 5 gigavat kapacitet operativ dhe të planifikuar në 50 kampuse në SHBA dhe Amerikën Latine.
Sipas Joe Tigay, menaxher portofoli në Equity Armor Investments, aksioner i Nvidia-s, “kjo blerje thekson rritjen e vlerës së aseteve të qendrave të të dhënave për investitorët. Ata po synojnë zgjerim të shpejtë për të përmbushur kërkesën e AI-së dhe për ta optimizuar atë.”
Shpenzime rekord dhe interes në rritje
E themeluar në vitin 2013, Aligned është bërë një përfituese e madhe nga vala e investimeve në infrastrukturën e AI-së, duke siguruar 12 miliardë dollarë në kapital dhe borxhe më herët këtë vit — një nga injektimet më të mëdha të kapitalit privat në një kompani qendrash të dhënash.
Sipas faqes së saj zyrtare, klientët e Aligned përfshijnë platformën e cloud computing Nutanix dhe ofruesin e shërbimeve IT Datto. Kompania zotëron gjithashtu një portofol të rëndësishëm toke me akses në kapacitete të konsiderueshme energjie në tregje kyçe, deklaroi Macquarie, e cila investoi për herë të parë në kompani në vitin 2018.
Aksionet e rivalëve të saj të listuar publikisht, si Applied Digital janë katërfishuar gjatë këtij viti — me një rritje shtesë prej 5% të mërkurën.
Grupi i investitorëve që po blen Aligned, që përfshin gjithashtu Kuwait Investment Authority dhe fondin shtetëror të Singaporit, Temasek, ka një objektiv fillestar për të disbursuar 30 miliardë dollarë kapital, me potencial për të arritur deri në 100 miliardë dollarë përfshirë borxhin. Nuk është bërë publike kontributi i secilit partner dhe as vlera e saktë e kapitalit në marrëveshjen e së mërkurës.
Nvidia dhe Aligned nuk pranuan të komentojnë, ndërsa investitorët nuk iu përgjigjën menjëherë kërkesave për më shumë detaje mbi marrëveshjen.
“Të gjitha palët kryesore në atë konsorcium po tregojnë forcën e ekosistemit të AI-së,” tha Hendi Susanto, menaxher portofoli në Gabelli Funds, një prej investitorëve të Nvidia-s.
Sipas deklaratës së grupit, Aligned do të mbetet me seli në Dallas, Teksas, nën drejtimin e CEO-s Andrew Schaap, kur marrëveshja të përfundojë në gjysmën e parë të vitit 2026./Përshtati nga Reuters, ekofin.al

