Grupi hungarez i 4iG i telekomunikacionit dhe teknologjisë, i pranishëm edhe në Shqipëri përmes kompanisë One Albania, ka patur një performancë shumë të mirë financiare referuar të dhënave të publikuara nga kompania në raportin paraprak për gjysmën e parë të vitit 2025. Të ardhurat dhe fitimi para taksave i Grupit janë rritur ndjeshëm, ndërsa çmimi i aksioneve është pothuajse dyfishuar në gjashtë muajt e parë të vitit.
Rritja u udhëhoq nga përmirësimi i efikasitetit operacional në divizionet e telekomunikacionit dhe IT-së. 4iG Plc. ka njoftuar se të ardhurat e konsoliduara neto sipas IFRS në gjysmën e parë të vitit 2025 ishin 350.83 miliardë HUF (+8.8%) ose rreth 887 milionë euro, ndërsa fitimi para taksave arriti 122.55 miliardë HUF (+11.1%) ose rreth 309.8 milionë euro.
Fitimi i konsoliduar pas tatimit, i rregulluar për efektet jo-monetare të alokimit të çmimit të blerjes, fitimet e parealizuara nga kursi i këmbimit dhe kostot e programit të transformimit, ishte 10.8 miliardë HUF ose rreth 27 milionë euro. Deri në fund të qershorit 2025, çmimi i aksioneve të 4iG kishte arritur në 1,834 HUF ose 4.6 euro, duke shënuar një rritje të konsiderueshme prej 98.5% krahasuar me fundin e vitit 2024.
Kapitalizimi i tregut të kompanisë ishte 548.5 miliardë HUF ose rreth 1.38 miliardë euro në përfundim të gjysmës së parë të vitit. Kompania ka njoftuar gjithashtu se do të ketë blerje strategjike të rëndësishme të kompanisë mbajtëse të grupit për industrinë hapësinore dhe të mbrojtjes, 4iG SDT Plc., dhe filialet që aktualisht janë në portofolin e saj kanë një portofol kontratash dhe porosish me vlerë neto 1.37 miliardë euro.
Të tre divizionet kontribuan në performancën pozitive, me shitjet e telekomunikacionit që u rritën me 7%, IT me 16% dhe industria hapësinore dhe e mbrojtjes me 12% krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar. Shpërndarja e të ardhurave neto sipas segmenteve të biznesit ishte: 87% telekomunikacion, 12% IT, 1% industri hapësinore dhe mbrojtëse. Gjeografikisht, 87% e të ardhurave neto u gjeneruan në Hungari, 9% në Shqipëri dhe 4% në Mal të Zi.
Ekipi menaxhues i 4iG ka identifikuar sektorin e hapësirës dhe të mbrojtjes si një fushë me potencial të konsiderueshëm rritjeje, që ofron mundësi të shkëlqyera strategjike dhe biznesi. Rritja e planifikuar e kapitalit dhe blerjet synojnë të konsolidojnë pozicionin e kompanisë në treg dhe të përmirësojnë kapacitetet e saj teknologjike, duke siguruar kështu rritje të qëndrueshme. 4iG Space and Defence Technologies Plc. (4iG SDT Plc.) dhe filialet e saj në portofol aktualisht kanë një portofol kontratash dhe porosish me vlerë neto 1.37 miliardë euro. Për rrjedhojë, pritet që të ardhurat nga segmenti i ri të kenë një ndikim të konsiderueshëm në performancën financiare të Grupit dhe të kontribuojnë më tej në rritjen e vlerës për aksionarët.
Grupi 4iG po zhvillon portofolin e tij në industrinë e hapësirës dhe të mbrojtjes rreth 4iG SDT Plc., e cila synon të luajë një rol kyç si në tregun vendas ashtu edhe në atë ndërkombëtar në të ardhmen. Objektivi strategjik i kompanisë është të vendoset si ofrues global shërbimesh dhe si lojtar i madh ndërkombëtar në fushat e prodhimit dhe operimit të satelitëve, prodhimit të dronëve, mbrojtjes kundër dronëve dhe zgjidhjeve klasike e digjitale të industrisë së mbrojtjes. Për ta arritur këtë, 4iG SDT është duke kaluar një rritje kapitali në dy faza me vlerë afërsisht 96 miliardë HUF.
Fondet e mbledhura do të përdoren për të zbatuar programin satelitor HUSAT, për të zgjeruar fabrikën REMTECH në Martonvásár, për të ndërtuar stacione tokësore dhe për të financuar investime dhe projekte strategjike të synuara. Krijimi i N7 Defence Plc., i planifikuar në bashkëpunim me shtetin hungarez, përfaqëson një hap të rëndësishëm në trajektoren e rritjes së kompanisë, pasi do të jetë kompania e parë publike-private mbajtëse e industrisë së mbrojtjes në Hungari.
Portofoli i N7 Defence mund të përfshijë nëntë kompani vendase të mbrojtjes, në varësi të miratimit të aksionarëve, duke mbuluar segmente që variojnë nga aviacioni deri tek prodhimi i armëve dhe municioneve. 4iG SDT Plc. është duke ndërtuar aktivisht partneritete ndërkombëtare në segmentin industrial të hapësirës dhe mbrojtjes. Përveç EDGE Group, që operon në Emiratet e Bashkuara Arabe, divizioni ka nisur gjithashtu bashkëpunim me Axiom Space, Azercosmos dhe disa kompani evropiane. Objektivi strategjik i Grupit është të përmirësojë kapacitetet e tij në industrinë ushtarake vendase duke ofruar zgjidhje inovative dhe të eksportueshme në sektorin e mbrojtjes dhe të vendoset si një lojtar i rëndësishëm në skenën ndërkombëtare.
Grupi 4iG do të vazhdojë të ndjekë strategjinë e tij të bazuar në operacione transparente, menaxhim të disiplinuar të borxhit dhe një model biznesi që krijon vlerë afatgjatë. Në tremujorin e tretë, bashkimi i kompanive tregtare vendase, si dhe i firmave të infrastrukturës të divizionit të telekomit, do të ofrojë mundësi për të shfrytëzuar sinergji shtesë të konsiderueshme. Në përputhje me sezonalitetin e industrisë, një pjesë e rëndësishme e shitjeve të projekteve që u rritën në gjysmën e parë të vitit në divizionin e IT-së pritet të gjenerojnë të ardhura më të larta në gjysmën e dytë të vitit. /ekofin.al
