Tregu i sigurimeve pritet të funksionojë me rregulla të reja për kapitalin, administrimin e rreziqeve, licencimin dhe marrëdhëniet me klientët. Projektligji “Për veprimtarinë e sigurimit dhe risigurimit”, i publikuar në kondultim publik, parashikon një riorganizim të gjerë të kuadrit rregullator, duke vendosur kërkesa më të detajuara për kompanitë e sigurimit dhe subjektet që shpërndajnë produktet e tyre.
Ndryshimet prekin të gjithë zinxhirin e aktivitetit, nga licencimi dhe administrimi i shoqërive, te shitja e policave, transparenca e komisioneve dhe mbikëqyrja financiare.
Kërkesa më të forta për kapitalin dhe aftësinë paguese
Kompanitë e sigurimit do t’i nënshtrohen një sistemi më të detajuar të kërkesave për kapital, përmes dy treguesve kryesorë: kërkesës për kapital të aftësisë paguese dhe kërkesës për kapital minimal.
Kapitali duhet të jetë në përputhje me nivelin e rreziqeve që shoqëria merr përsipër dhe të garantojë kapacitetin e saj për të përmbushur detyrimet ndaj policëmbajtësve.
Projektligji përcakton edhe klasifikimin e fondeve të veta sipas niveleve të pranueshmërisë, duke vendosur kufizime për mënyrën se si ato përdoren për mbulimin e kërkesave për kapital.
Vlerësim i vazhdueshëm i rreziqeve përmes ORSA
Shoqëritë duhet të zbatojnë sistemin e vetëvlerësimit të rrezikut dhe aftësisë paguese (ORSA).
Ky mekanizëm kërkon që kompanitë të analizojnë vazhdimisht rreziqet ndaj të cilave janë të ekspozuara, nevojat e tyre për kapital dhe aftësinë për të përballuar situata të pafavorshme financiare.
Vlerësimi duhet të marrë në konsideratë edhe zhvillimet afatgjata, përfshirë ndryshimet klimatike dhe ndikimin e tyre mbi aktivitetin e sigurimit.
Rregulla më të forta për administrimin dhe qeverisjen e kompanive
Projektligji zgjeron kërkesat për organizimin e brendshëm të shoqërive të sigurimit.
Ato duhet të kenë sisteme funksionale për administrimin e rrezikut, kontrollin e brendshëm, pajtueshmërinë ligjore, auditimin e brendshëm dhe vlerësimin aktuarial.
Përcaktohen gjithashtu kërkesa për përshtatshmërinë dhe integritetin e personave që drejtojnë kompanitë dhe mbajnë funksione kyçe.
Mbikëqyrje jo vetëm e kompanive, por edhe e grupeve të sigurimit
Një ndryshim i rëndësishëm është zgjerimi i mbikëqyrjes në nivel grupi.
Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare do të ketë instrumente për të vlerësuar jo vetëm situatën financiare të një kompanie individuale, por edhe marrëdhëniet financiare, ekspozimet dhe transaksionet ndërmjet shoqërive që bëjnë pjesë në të njëjtin grup.
Qëllimi është të identifikohen më herët rreziqet që mund të përhapen nga një subjekt te tjetri dhe të cenojnë stabilitetin e të gjithë grupit.
Më shumë informacion për konsumatorët përpara blerjes së policës
Klientët do të kenë të drejtë të marrin informacion më të plotë përpara lidhjes së kontratës së sigurimit.
Shoqëritë dhe ndërmjetësit duhet të informojnë për identitetin e ofruesit, karakteristikat e produktit, nëse ofrohet këshillim, mënyrën e paraqitjes së ankesave dhe procedurat për zgjidhjen e mosmarrëveshjeve.
Dokumentacioni duhet të përmbajë qartë rreziqet e mbuluara, përjashtimet, kohëzgjatjen e kontratës, primin, shumën e sigurimit, tarifat dhe pagesën totale.
Kjo synon të shmangë situatat kur konsumatori nënshkruan një policë pa kuptuar plotësisht mbulimin dhe kufizimet e saj.
Kufizime për komisionet dhe konfliktet e interesit të brokerëve
Projektligji vendos rregulla më të qarta për mënyrën se si shpërblehen agjentët dhe brokerët e sigurimeve.
Në veçanti, kur një broker merr pagesë nga klienti për një kontratë të caktuar, ai nuk mund të marrë njëkohësisht komision nga kompania e sigurimit për të njëjtën kontratë.
Komisionet dhe pagesat duhet të përcaktohen me shkrim, ndërsa shpërblimi nuk duhet të ndikojë në cilësinë e shërbimit apo në interesin më të mirë të klientit.
Për produktet e sigurimit me bazë investimi parashikohen gjithashtu kërkesa shtesë për vlerësimin e përshtatshmërisë së produktit dhe njohurive e përvojës së klientit.
Kërkesa të reja për ndërmjetësit dhe brokerët
Agjentët, brokerët dhe ndërmjetësit ndihmës do të funksionojnë sipas kërkesave më të detajuara për regjistrimin, aftësinë profesionale dhe përgjegjësinë ndaj klientëve.
Projektligji parashikon edhe sigurimin e përgjegjësisë profesionale ose garanci financiare për kategoritë përkatëse të ndërmjetësve.
Mbulimi minimal i parashikuar është 1,564,610 euro për çdo kërkesë për dëmshpërblim dhe 2,315,610 euro në vit për të gjitha kërkesat, sipas kushteve të përcaktuara në projektligj.
Rregulla për aktivitetin ndërkufitar të sigurimit
Projektligji përcakton kushtet në të cilat kompanitë e sigurimit dhe risigurimit nga vendet e Bashkimit Europian mund të ofrojnë shërbime në Shqipëri, përmes vendosjes së degëve ose lirisë për të ofruar shërbime.
Në të njëjtën kohë, parashikohen mekanizma që u mundësojnë shoqërive shqiptare të ushtrojnë aktivitet në tregjet e vendeve anëtare, në përputhje me procedurat dhe kërkesat ligjore.
Kjo krijon një kuadër më të integruar për aktivitetin ndërkufitar dhe bashkëpunimin ndërmjet autoriteteve mbikëqyrëse.
Rregulla të veçanta për shoqëritë e vogla dhe jo komplekse
Projektligji parashikon trajtim proporcional për shoqëritë e sigurimit që plotësojnë kriteret për t’u klasifikuar si të vogla dhe jo komplekse.
Për këto subjekte mund të zbatohen përjashtime ose kërkesa të thjeshtuara për disa detyrime raportimi dhe mbikëqyrjeje, sipas kushteve të përcaktuara në ligj.
Megjithatë, ky trajtim nuk i përjashton nga detyrimi për të ruajtur kapitalin e nevojshëm dhe për të përmbushur kërkesat bazë të aftësisë paguese.
Më shumë kompetenca për Autoritetin e Mbikëqyrjes Financiare
AMF do të ketë një kuadër më të zgjeruar për mbikëqyrjen e kompanive, grupeve të sigurimit dhe ndërmjetësve.
Kontrollet do të mbështeten në informacionin financiar, raportimet periodike, vlerësimin e rreziqeve dhe respektimin e kërkesave për kapital e qeverisje.
Parashikohen gjithashtu mekanizma për bashkëpunimin dhe shkëmbimin e informacionit me autoritetet mbikëqyrëse europiane. /ekofin.al
