Ministri i Financave, Petrit Malaj iu përgjigj sot në Kuvend interpelancës së kërkuar nga kreu i Partisë Mundësia, Agron Shehaj, lidhur me ekzekutimin e detyrimeve financiare dhe mbledhjen e gjobës prej rreth 120 milionë eurosh ndaj kompanisë Bankers Petroleum.
Gjatë fjalës së tij, Malaj paraqiti historikun e çështjes, duke theksuar se duhet bërë dallimi mes pretendimeve politike dhe procesit juridik e institucional që ka ndjekur administrata shqiptare.
Sipas ministrit, në qershor të vitit 2004 u nënshkrua marrëveshja hidrokarbure për shfrytëzimin e vendburimit Patos-Marinzë nga kompania që sot operon si Bankers Petroleum Albania.
Ai sqaroi se marrëveshja parashikonte një sërë lehtësish fiskale, përfshirë përjashtimin nga akciza për produktet energjetike të përdorura në procesin e nxjerrjes së naftës bruto.
Malaj tha se këto përjashtime kanë qenë në fuqi deri më 1 prill 2014, kur ndryshimet në paketën fiskale hoqën përjashtimin nga akciza për këto produkte.
“Administrata doganore në shtator të vitit 2014 njoftoi kompaninë për një detyrim akcize të papaguar në lidhje me holluesin e përdorur gjatë proceseve hidrokarbure. Detyrimi fillestar ishte 589 milionë lekë”, u shpreh ministri.
Ai sqaroi se kompania e kundërshtoi këtë akt në gjykatë, duke nisur një proces gjyqësor që zgjati afro 10 vjet dhe që përfundoi në mars 2022 me një vendim të Gjykatës së Lartë në favor të administratës doganore.
Ministri bëri të ditur se në maj 2019 administrata doganore kreu një tjetër kontroll, nga i cili rezultoi një detyrim shtesë prej 3,09 miliardë lekësh. Sipas tij, së bashku me gjobat, detyrimi total arriti në 12,48 miliardë lekë.
Malaj tha se edhe kjo çështje kaloi në procese të gjata gjyqësore dhe në dhjetor 2025 gjykata vendosi sërish në favor të administratës doganore.
Ai shtoi se në momentin kur nisi procedura e mbledhjes së detyrimit, rezultoi se kompania nuk dispononte në llogaritë e saj shumën prej rreth 120 milionë eurosh që mund të bllokohej menjëherë nga administrata.
Sipas ministrit, aktualisht është arritur një dakordësi për shlyerjen me këste të detyrimit prej rreth 3 miliardë lekësh, ndërsa procesi i pagesave ka nisur.
“Ky detyrim është duke u shlyer me këste. Deri më sot janë mbledhur 1,5 milionë dollarë”, deklaroi Malaj.

