Shtimi i ndjeshëm i prodhimit të energjisë elektrike nga fotovoltaikët bëri që rritja e çmimit të naftës të mos përkthehej në një spirale të fortë inflacioni tek ushqimet
Nuk patëm krizë të dyfishtë naftë-energji elektrike
Nga Fatos Çoçoli
Kriza e shkaktuar nga përshkallëzimi i luftës në Iran në periudhën 28 shkurt-8 prill 2026 solli një rritje të menjëhershme të çmimeve të naftës në tregjet ndërkombëtare dhe edhe tek ne. Për një ekonomi si e vendit tonë, e varur thuajse plotësisht nga importi i karburanteve dhe ku shpenzimi për karburante merr një të katërmbëdhjetën e parave që harxhojmë çdo ditë, kjo përbënte një test të rëndësishëm rezistence. Skenarët ogurzinj ishin tek pragu i derës.
Megjithatë, në periudhën 28 shkurt –8 prill 2026, duke përfshirë edhe dy javët më pas të armëpushimit të shpallur nga Presidenti Trump 9-22 prill, ekonomia jonë arriti ta përballojë relativisht mirë këtë goditje, për disa arsye kyçe.
Inflacioni mbeti nën kontroll
Si rezultat i masave të marra nga Banka e Shqipërisë dhe nga shtimi i ndjeshëm i prodhimit të energjisë elektrike nga fotovoltaikët, rritja e çmimit të naftës nuk u përkthye në një spirale të fortë inflacioni, siç ka ndodhur në kriza të mëparshme energjetike.
Kjo u arrit për disa arsye. Për vitin e kaluar dhe këtë vit, Shqipëria po prodhon një të dhjetën e energjisë elektrike nga panelet diellore. Nga ana tjetër, leku mbeti shumë i fortë ndaj euros në tregun tonë, duke zbutur ndjeshëm efektin e importeve të shtrenjta. Arsyeja e tretë ka të bëjë me faktin që familjet shqiptare reaguan, duke kufizuar shpenzimet jo thelbësore. Ndërkohë, lufta në Iran zgjati rreth 5 javë e gjysëm dhe u pasua nga një armëpushim dyjavor.
Tabela 1. Ecuria e çmimeve të ushqimeve 28 shkurt-23 prill 2026:
| Treguesi | Para krizës | Gjatë krizës | Ndryshimi |
| Indeksi i çmimeve ushqimore | 100 | 102–103 | +2% deri +3% |
| Rritja e pritshme (skenar krize) | – | +5% deri +8% | — |
| Diferenca reale vs pritshmëri | – | -3% deri -5% | Ulje presioni |
Të gjitha këto arsye sollën që goditja edhe tek ushqimet të ishte e përkohshme dhe e menaxhueshme, edhe pse pritshmëritë për një rritje të fortë të çmimeve të ushqimeve ishin të larta, kryesisht për shkak të ndikimit të mundshëm të krizës në çmimet e energjisë dhe kostot e transportit. Tek ne, ky shtim çmimesh në ushqime rezultoi shumë i kufizuar.
Si i shpëtuam krizës së dyfishtë naftë-energji elektrike?
Një nga faktorët më pak të diskutuar, por me ndikim real, ishte shtimi i prodhimit të energjisë nga burimet fotovoltaike. Në katër vitet e fundit 2021-2025, energjia nga dielli është rritur pesë herë, nga 1.9 përqind në 9.8 përqind!
Tabela 2. Roli i energjisë fotovoltaike 2025-2026:
| Treguesi | Vlera 2025 | Vlera e pritshme 2026 | Ndryshimi |
| Pesha e energjisë nga fotovoltaikët | ~10% | ~12–15% | +50% |
| Prodhimi vendas i energjisë | 100% bazë | +10–15% | Rritje |
| Varësia nga importi i energjisë | ~35% | ~25–28% | -7% deri -10% |
Arsyet pse i shpëtuam lakut të dyfishtë çmim i rritur nafte dhe çmim i rritur energjie elektrike, që e kemi patur krizave të mëparshme, si ajo e shkurtit 2022 nga agresioni i Putin në Ukrainë, ishin:
Së pari, rritja e prodhimit të energjisë diellore uli varësinë nga energjia e importuar. Në një moment kur tregjet ndërkombëtare të energjisë përballeshin me pasiguri, kapacitetet vendase nga fotovoltaikët ndihmuan në stabilizimin e furnizimit me energji elektrike. Kjo ndikoi drejtpërdrejt në frenimin e rritjes së kostove për prodhuesit dhe përpunuesit e ushqimeve.
Së dyti, kostot më të qëndrueshme të energjisë reduktuan presionin mbi zinxhirin ushqimor. Prodhimi, magazinimi dhe transporti i produkteve ushqimore janë të lidhura ngushtë me çmimin e energjisë. Duke qenë se energjia elektrike nuk pësoi rritje, bizneset nuk patën arsye të forta për të reflektuar rritje të menjëhershme në çmime.
Një tjetër element është rritja e investimeve në energji të rinovueshme nga vetë bizneset. Shumë subjekte, sidomos në sektorin agro-përpunues dhe tregtar, kanë instaluar panele diellore në vitet e fundit dhe kanë futur makinat elektrike në transport. Kjo u ka dhënë atyre një lloj “mburoje” ndaj luhatjeve të çmimeve të naftës gjatë krizave ndërkombëtare.
Së katërti, ndikimi indirekt i fotovoltaikëve në inflacion ka qenë i rëndësishëm. Duke ulur presionin mbi kostot energjetike, ata kanë kontribuar në mbajtjen nën kontroll të inflacionit të përgjithshëm, përfshirë edhe çmimet e ushqimeve.
Së pesti, ky faktor është kombinuar me elementë të tjerë si mbiçmimi i lekut, diversifikimi i importeve dhe prodhimi vendas bujqësor, duke krijuar një efekt të përbashkët stabilizues.
Tabela 3. Ndikimi në kostot e biznesit ushqimor
| Treguesi | Pa fotovoltaikë | Me fotovoltaikë | Ndryshimi |
| Kosto energjie për prodhim | 100% | 85–90% | -10% deri -15% |
| Kosto magazinimi (ftohje, etj.) | 100% | 88–92% | -8% deri -12% |
| Kosto totale operimi | 100% | 90–95% | -5% deri -10% |
Tabela 4. Sikur të mos kishim energjinë nga fotovoltaikët
| Treguesi | Me fotovoltaikë | Pa fotovoltaikë |
| Rritja e çmimeve ushqimore | +2% deri +3% | +5% deri +8% |
| Rritja e kostos së energjisë | +3% deri +5% | +10% deri +15% |
| Presioni inflacionist | I moderuar | I lartë |
Ja përse shtimi i prodhimit të energjisë nga fotovoltaikët ka luajtur një rol të rëndësishëm në zbutjen e efekteve të krizës nga lufta në Iran dhe tensionet vijuese në Lindjen e Mesme mbi çmimet e ushqimeve në Shqipëri. Ai ka ndihmuar në stabilizimin e kostove, në mbështetjen e bizneseve dhe në ruajtjen e një niveli më të qëndrueshëm të çmimeve për konsumatorët, duke treguar rëndësinë strategjike të energjive të rinovueshme për ekonominë.


