Shërbimet e kujdesit social pritet të hyjnë në një fazë të re organizimi dhe financimi. Projektligji i i hedhur për konsultim publik “Për shërbimet e kujdesit social në Republikën e Shqipërisë” synon të zëvendësojë kuadrin aktual të ligjit nr. 121/2016 dhe të vendosë në qendër të sistemit jo thjesht shërbimin, por individin, familjen dhe nevojat konkrete të komunitetit.
Projektligji riformaton mënyrën se si identifikohen nevojat, si përcaktohet shërbimi, kush përgjigjet për të, si financohet dhe si matet cilësia. Sipas relacionit, përvoja e zbatimit të ligjit aktual ka evidentuar nevojën për ndërhyrje në organizimin e sistemit, ndarjen e përgjegjësive, planifikimin, financimin, menaxhimin e rasteve, cilësinë, digjitalizimin dhe mekanizmat e llogaridhënies.
Nga shërbimi i izoluar te një plan individual mbështetjeje
Një nga ndryshimet themelore është mënyra se si do të trajtohet një person në nevojë. Projektligji parashikon që sistemi të funksionojë përmes identifikimit të nevojës, vlerësimit individual, referimit, planifikimit të mbështetjes, ofrimit të shërbimit, monitorimit dhe rivlerësimit.
Kjo do të thotë se përfituesi nuk shihet më vetëm si marrës i një shërbimi të përcaktuar paraprakisht. Nevoja e tij duhet të vlerësohet dhe mbështetja të përshtatet me situatën konkrete. Vlerësimi parashikohet të jetë i integruar, multidisiplinar dhe i përqendruar te personi, ndërsa menaxhimi i rastit bëhet mekanizmi për koordinimin e ndërhyrjeve dhe shërbimeve.
Në praktikë, kjo synon të shmangë situatat kur një familje apo individ përballet me institucione të ndryshme pa një koordinim të qartë mes tyre.
Bashkia merr një rol më të madh
Një tjetër ndryshim i rëndësishëm lidhet me qeverisjen vendore. Bashkitë do të kenë përgjegjësi të qarta për identifikimin dhe vlerësimin e nevojave, hartimin e Planit Social Vendor, organizimin dhe financimin e shërbimeve, monitorimin e cilësisë dhe garantimin e vazhdimësisë së tyre.
Në këtë strukturë parashikohet edhe Njësia e Vlerësimit të Nevojave dhe Referimit të Rastit, e cila do të funksionojë si “porta hyrëse” në sistemin e kujdesit social. Ajo do të kryejë vlerësimin fillestar dhe të thelluar, do të përcaktojë nivelin e riskut, do të koordinojë referimet dhe do të monitorojë rastet.
Pra, përgjegjësia nuk mbetet vetëm te niveli qendror. Sistemi synon të lidhet më drejtpërdrejt me territorin dhe me nevojat reale të popullsisë.
Në pjesën financiare, një nga risitë kryesore është krijimi i Fondit Social Vendor. Përveç Fondit Social në nivel qendror, bashkitë do të kenë një instrument financiar për orientimin e burimeve drejt nevojave dhe prioriteteve të identifikuara në territor.
Projektligji përcakton se financimi duhet të garantojë vazhdimësinë, qëndrueshmërinë dhe cilësinë e shërbimeve dhe të bazohet te nevojat e përfituesve, efikasiteti, transparenca dhe llogaridhënia. Burimet do të përfshijnë fondet e deleguara nga Buxheti i Shtetit, Fondin Social Vendor, buxhetet e bashkive, të ardhura të tjera të përcaktuara, kontributet dhe tarifat sipas legjislacionit, si dhe donacionet e grantet.
Fondi Social do të përdoret jo vetëm për ngritjen e shërbimeve të reja, por edhe për zgjerimin dhe përmirësimin e shërbimeve ekzistuese dhe garantimin e qëndrueshmërisë së tyre. Shpërndarja parashikohet të bëhet mbi bazën e nevojave objektive dhe prioriteteve të zhvillimit social të njësive vendore.
Një element tjetër është kalimi drejt një metodologjie të kostos për njësi shërbimi, ku financimi lidhet me llojin e shërbimit, standardet e ofrimit dhe nivelin e nevojave të përfituesve.
Më shumë shërbime në shtëpi dhe komunitet
Projektligji zgjeron edhe mënyrat e ofrimit të kujdesit social. Përveç shërbimeve rezidenciale, parashikohen shërbime komunitare dhe në familje, shërbime ditore, lëvizëse, në shtëpi dhe shërbime në distancë përmes telefonit apo platformave digjitale.
Në themel qëndron parimi i deinstitucionalizimit: sa herë që është e mundur dhe në interesin më të mirë të përfituesit, mbështetja duhet të ofrohet në familje dhe komunitet, duke shmangur institucionalizimin e panevojshëm.
Kjo qasje synon të krijojë alternativa ndaj kujdesit rezidencial dhe t’u japë individëve mundësi për të marrë shërbime në mjedisin ku jetojnë.
Kujdesi afatgjatë futet në qendër të sistemit
Një tjetër zhvillim i rëndësishëm është trajtimi i kujdesit afatgjatë si pjesë e sistemit të kujdesit social. Ai lidhet me personat që kanë humbur pjesërisht ose plotësisht autonominë funksionale për shkak të moshës, aftësisë së kufizuar, sëmundjes apo kushteve të tjera.
Projektligji synon të krijojë një sistem që ruan sa më gjatë autonominë dhe dinjitetin e individit, ndërsa mbështet edhe familjarët që kanë barrën e kujdesit. Relacioni e lidh këtë qasje me zhvillimin e shërbimeve në familje dhe komunitet dhe me forma të ndryshme mbështetjeje për kujdestarët.
Në vetë projektligj janë përfshirë koncepte si asistenca personale dhe kujdesi zëvendësues i përkohshëm (respite care), ky i fundit si shërbim që synon të lehtësojë barrën fizike, emocionale ose psikologjike të kujdestarit.
Rregulla më të forta për ofruesit
Sistemi i ri vendos standarde më të qarta edhe për ofruesit publikë dhe jopublikë. Ata duhet të respektojnë standardet e cilësisë, të drejtat e përfituesve, konfidencialitetin dhe mbrojtjen e të dhënave, ndërsa aktiviteti i tyre do t’i nënshtrohet monitorimit, vlerësimit dhe inspektimit.
Standardet përfshijnë kërkesa për burimet njerëzore dhe kualifikimet profesionale, infrastrukturën dhe sigurinë, menaxhimin e rasteve, mbrojtjen e të dhënave, gatishmërinë për emergjenca, indikatorët e performancës dhe mekanizmat e monitorimit e vlerësimit. Mosrespektimi i standardeve bazë mund të sjellë masa administrative.
Në të njëjtën kohë, ofruesit duhet të marrin mendimin e përfituesve dhe të vlerësojnë kënaqësinë e tyre, duke përdorur rezultatet për përmirësimin e cilësisë.
Sistemi social kalon në regjistër elektronik
Projektligji parashikon gjithashtu forcimin e menaxhimit të informacionit përmes Regjistrit Elektronik Kombëtar të Shërbimeve Sociale. Regjistri do të shërbejë për regjistrimin, administrimin dhe menaxhimin e rasteve, përpunimin dhe shkëmbimin e të dhënave dhe raportimin e sistemit. Ai do të përdoret nga institucionet qendrore, njësitë vendore, strukturat e inspektimit dhe ofruesit e licencuar, sipas niveleve të autorizimit.
Krahas administrimit të rasteve, projektligji synon të rrisë edhe transparencën. Informacioni publik do të përfshijë tipologjitë e shërbimeve, rezultatet e monitorimit, standardet e cilësisë, statusin e licencimit dhe akreditimit dhe informacion të përmbledhur mbi ankesat. /ekofin.al
