Sipas propozimeve të raportuara publikisht, ndryshimet përfshijnë rritjen e tatimit mbi fitimin, tatimit mbi dividendin, TVSH-së standarde dhe TVSH-së për turizmin, si dhe uljen e pragut të regjistrimit në TVSH për bizneset e vogla.
DHTI-Tirana citon vlerësime të Ministrisë së Financave, të raportuara në media, sipas të cilave efekti neto i masave mund të sjellë mbi 10 miliardë lekë të ardhura shtesë në vit për buxhetin e shtetit.
Sipas Dhomës, pjesa më e madhe e kësaj barre do të përballohej nga bizneset, duke rrezikuar që përfitimi nga ulja e TVSH-së për ushqimet të kompensohet pothuajse plotësisht nga shtrenjtimi i pjesës tjetër të konsumit.
Tatimi mbi fitimin dhe dividendin, shqetësim për investimet
DHTI-Tirana paralajmëron se, nëse propozimet konfirmohen, Shqipëria mund të përballet me një barrë tatimore më të lartë në raport me vendet e Ballkanit Perëndimor.
Sipas deklaratës, skenari i propozuar parashikon tatimin mbi fitimin në 17%, ndërsa TVSH-në standarde në 21%. Dhoma argumenton se këto nivele do ta bënin Shqipërinë më pak konkurruese përballë vendeve fqinje, duke rritur kostot e sipërmarrjes.
Një tjetër shqetësim lidhet me tatimin mbi dividendin, për të cilin propozohet rritja nga 8% në 15%.
Sipas DHTI-Tiranës, rritja e tatimit mbi dividendin, e kombinuar me rritjen e tatimit mbi fitimin, do të shtonte barrën mbi fitimet që kompanitë shpërndajnë te ortakët dhe aksionarët. Dhoma paralajmëron se kjo mund të dekurajojë investimet dhe riinvestimin e kapitalit në ekonomi.
Për këtë arsye, ajo kërkon ruajtjen e normave aktuale të tatimit mbi fitimin dhe të TVSH-së standarde, si dhe rishikimin e propozimeve për dividendin, në raport me praktikat e vendeve të rajonit.
Turizmi dhe biznesi i vogël në fokus të kundërshtimeve
Një tjetër propozim që ngre shqetësime është rritja e TVSH-së për sektorin e turizmit nga 6% në 10%.
Sipas DHTI-Tiranës, kjo ndërhyrje vjen në një moment të vështirë për sektorin, i cili po përballet me zhvlerësimin e euros dhe me kontrata për sezonin turistik 2027 që po nënshkruhen me çmime fikse.
Dhoma argumenton se rritja e TVSH-së mund të shtojë kostot për operatorët turistikë dhe të dobësojë konkurrueshmërinë e destinacioneve shqiptare. Ajo sugjeron që, nëse lehtësimi fiskal i vendosur në vitin 2017 nuk do të ruhet për turizmin, mbështetja të orientohet drejt sektorëve të tjerë që kanë nevojë për nxitje, si prodhimi dhe agroindustria, duke ruajtur edhe trajtimin e agroturizmit.
Shqetësime ngrihen edhe për biznesin e vogël. Propozimi për uljen e pragut të regjistrimit në TVSH në 5 milionë lekë, sipas Dhomës, mund të prekë dyqanet e lagjeve, zejtarët dhe ofruesit e shërbimeve të vogla.
DHTI-Tirana kujton se pragu është ulur edhe në vitin 2018, përpara se të rikthehej në 10 milionë lekë në vitin 2021. Sipas saj, zgjerimi i detyrimit për TVSH te bizneset me të ardhura të kufizuara mund të rrisë kostot administrative dhe të ushtrojë presion mbi çmimet për konsumatorët.
Dhoma paralajmëron gjithashtu se një barrë më e lartë fiskale për bizneset e vogla mund të shtojë rrezikun e informalitetit.
Biznesi kërkon dialog përpara vendimmarrjes
DHTI-Tirana e konsideron konsultimin publik një element të domosdoshëm të hartimit të politikave fiskale. Sipas saj, biznesi duhet të përfshihet përpara se ndryshimet të marrin formë përfundimtare, dhe jo të informohet pasi propozimet janë hartuar.
Dhoma kërkon që procesi i konsultimit të përfshijë publikimin zyrtar të paketës, analizën e ndikimit ekonomik të secilës masë, krahasimin me vendet e rajonit dhe Bashkimin Evropian, dëgjimin e organizatave përfaqësuese dhe shpjegimin transparent të mënyrës se si janë trajtuar rekomandimet e tyre.
Ajo thekson se mbështet konsolidimin fiskal, formalizimin e ekonomisë dhe rritjen e të ardhurave publike, por argumenton se këto objektiva duhet të arrihen përmes zgjerimit të bazës tatimore, luftës kundër evazionit dhe informalitetit, përmirësimit të administrimit tatimor dhe nxitjes së rritjes ekonomike.
Sipas Dhomës, rritja e vazhdueshme e barrës mbi bizneset që janë tashmë të formalizuara dhe përmbushin detyrimet e tyre nuk duhet të jetë instrumenti kryesor për rritjen e të ardhurave buxhetore.
Shtatë kërkesat e DHTI-Tiranës për Paketën Fiskale 2027
Në deklaratën e saj, Dhoma i drejton qeverisë dhe institucioneve përgjegjëse një sërë kërkesash konkrete:
Pezullimin e ndryshimeve që rrisin normat tatimore, deri në përfundimin e një konsultimi real me biznesin.
Hapjen e menjëhershme të dialogut institucional me DHTI-Tiranën, dhomat e tjera të tregtisë, shoqatat e biznesit dhe grupet sektoriale.
Publikimin zyrtar të Paketës Fiskale 2027, të shoqëruar me analizën e ndikimit mbi investimet, punësimin, çmimet, konsumin, informalitetin dhe konkurrueshmërinë.
Ruajtjen e normave aktuale të tatimit mbi fitimin, TVSH-së standarde dhe pragut të TVSH-së, si dhe rishikimin e propozimeve për dividendin dhe turizmin në raport me vendet e Ballkanit Perëndimor.
Garantimin e stabilitetit dhe parashikueshmërisë fiskale, përmes rregullave të qëndrueshme dhe shmangies së ndryshimeve të shpeshta të normave tatimore.
Vendosjen e konkurrueshmërisë së ekonomisë shqiptare si kriter kryesor në hartimin e paketës së re fiskale, veçanërisht në kuadër të përgatitjeve për integrimin në tregun e përbashkët evropian.
Shqyrtimin e rekomandimeve të dërguara më 9 tetor 2026 dhe kthimin e një përgjigjeje zyrtare nga Ministria e Financave dhe Ministria e Ekonomisë dhe Inovacionit.
