Pas rritjes me 2.7 % në tremujorin e parë, të dhënat indirekte të disponuara sugjerojnë se ekonomia shqiptare ka vijuar të rritet edhe gjatë tremujorit të dytë të vitit, madje me norma më të larta se ato të tremujorit paraardhës.
Banka e Shqipërisë vëren se, trendi në rritje i ekonomisë, gjatë dy viteve të fundit, është udhëhequr nga zgjerimi i konsumit dhe investimeve private, si dhe nga rritja e eksportit të shërbimeve, e në veçanti të ardhurave nga turizmi. Por nga ana tjetër, rritja e importeve, rënia e eksportit të mallrave dhe konsolidimi fiskal kanë dhënë një ndikim frenues në rritje.
Sipas BSH-së, rritja e vazhdueshme e kërkesës për mallra e shërbime e ka shtyrë ekonominë në një fazë pozitive të ciklit të biznesit. Ajo është pasqyruar në përmirësimin e gjendjes financiare të biznesit e të konsumatorit, në rritjen e punësimit, si dhe përballë mungesave në tregun e punës, në rritjen e shpejtë të pagave e të kostove të prodhimit.
“Në veçanti, pagat në sektorin privat vijojnë të kenë një rritje relativisht të shpejtë, mesatarisht me 9.5 % gjatë tremujorit të parë, ndërsa norma e papunësisë është pranë niveleve më të ulëta historike. Nga këndvështrimi makroekonomik, rritja ekonomike është mbështetur nga përmirësimi i besimit të biznesit dhe konsumatorit, rritja e mëtejshme e të ardhurave të disponueshme, rritja e vëmendjes ndaj Shqipërisë si destinacion turizmi dhe kushtet ende të favorshme të financimit”, bëri të ditur BSH-ja.
Banka Qendrore thekson se ekonomia shqiptare pritet të vijojë të rritet gjatë tremujorëve e viteve në vazhdim dhe rritja ekonomike pritet të kthehet pranë niveleve të saj historike në horizontin afatmesëm.
