Bashkimi Evropian do të vërë në dispozicion 30 milionë euro fonde shtesë për mbështetjen e startup-eve inovative dhe ndërmarrjeve të vogla e të mesme në Ballkanin Perëndimor. Financimi i ri u njoftua nga Komisioni Evropian gjatë Konferencës së Investimeve BE–Ballkani Perëndimor, në Tiranë.
Nisma synon të ndihmojë kompanitë e rajonit, përfshirë ato shqiptare, të transformojnë teknologjitë inovative në biznese të suksesshme, të përmirësojnë aksesin në financim dhe të krijojnë mundësi të reja për sipërmarrësit dhe kërkuesit shkencorë.
Mbështetja financiare do të ofrohet përmes dy programeve të dedikuara të Këshillit Evropian të Inovacionit (EIC), një prej instrumenteve kryesore të BE-së për financimin e teknologjive të avancuara dhe sipërmarrjeve me potencial të lartë zhvillimi.
Programi i parë, EIC Pre-Accelerator, do të ketë një fond prej 10 milionë eurosh dhe do të mbështesë startup-et dhe ndërmarrjet e vogla e të mesme që ndodhen në fazat e hershme të zhvillimit të teknologjive të avancuara.
Kompanitë do të mund të përfitojnë grante deri në 1 milion euro secila, për testimin dhe validimin e teknologjive, përgatitjen e modeleve të biznesit dhe krijimin e kushteve për të tërhequr investime të mëtejshme. Aplikimet pritet të hapen në maj të vitit 2027 dhe të përfundojnë në nëntor të po atij viti.
Programi i dytë, EIC Accelerator, do të ketë një fond prej 20 milionë eurosh dhe do të financojë kompanitë që kanë arritur një fazë më të avancuar të zhvillimit teknologjik dhe janë pranë hyrjes në treg.
Përmes këtij instrumenti, sipërmarrjet do të mund të përfitojnë grante deri në 2.5 milionë euro secila, për zhvillimin e mëtejshëm të teknologjive, komercializimin e produkteve dhe zgjerimin e aktivitetit të tyre. Aplikimet për këtë program janë të hapura që prej nëntorit 2026.
Startup-et dhe ndërmarrjet e vogla e të mesme nga Ballkani Perëndimor do të aplikojnë përmes thirrjeve të zakonshme të dy programeve. Projektet që përmbushin kriteret e cilësisë, por që nuk arrijnë të financohen për shkak të kufizimeve buxhetore, do të kenë mundësi të përfitojnë nga fondet shtesë të rezervuara posaçërisht për kompanitë e rajonit.
Financimi prej 30 milionë eurosh sigurohet përmes Instrumentit të Asistencës së Paraanëtarësimit (IPA III) dhe plotëson mundësitë ekzistuese të financimit në kuadër të programit Horizon Europe.
Pas dy dekadash bashkëpunimi ndërmjet BE-së dhe Ballkanit Perëndimor në fushën e kërkimit shkencor dhe inovacionit, të gjashtë vendet e rajonit janë tashmë plotësisht të asociuara në programin Horizon Europe. Që prej vitit 2021, ato kanë përfituar rreth 237 milionë euro financime për më shumë se 1,000 projekte.
Sipas Komisionit Evropian, financimi i ri synon jo vetëm të përmirësojë aksesin e kompanive inovative në kapital, ekspertizë dhe rrjete ndërkombëtare bashkëpunimi, por edhe të krijojë vende pune cilësore dhe më shumë mundësi për të rinjtë e talentuar që të ndërtojnë të ardhmen e tyre në rajon. /ekofin.al

