Portofoli i kredisë ka ruajtur trendin pozitiv rritës të dy viteve të fundit, duke u zgjeruar edhe më tej në tremujorin e dytë të 2024-ës.
Bankat kanë vijuar me financimin e një numri më të lartë aplikimesh për kredi, si nga bizneset ashtu edhe nga individët.
Kushtet e financimit ndikuan pozitivisht kërkesën për kredi të bizneseve, ndërsa shtimi i kërkesës për kredi nga individët buroi prej nevojave të shtuara për hua në financimin e konsumit dhe të blerjes së banesave.
Portofoli i kredisë për individët ka pësuar një rritje vjetore prej 14.8%, rreth 1.2 pikë përqindje më e lartë se në tremujorin e parë. Në Raportin e Politikës Monetare të Bankës së Shqipërisë, thuhet se kreditë për blerje banese kanë pasur një ritëm më të shpejtë rritjeje se kreditë konsumatore. Konkretisht, kreditë për blerje banese u rritën me 16.4% nga 14.8% në tremujorin e parë, ndërsa kreditë konsumatore patën një zgjerim më të moderuar, duke u rritur me 15.2%, vetëm 0.4 pikë përqindje më shumë.
Nga ana tjetër, kreditë për bizneset kanë pasur një rritje vjetore prej 14%, rreth 4 pikë përqindje më të lartë se ajo e shënuar mesatarisht në tremujorin e parë. Rritja e kredisë për biznes u ndikua nga rritja e fortë e kredisë për investime.
