Varfëria në Shqipëri pritet të vijojë rënien gjatë vitit 2026, por me një ritëm më të ngadaltë krahasuar me vitet e mëparshme. Banka Botërore parashikon që 21.6% e popullsisë të jetojë nën kufirin ndërkombëtar të varfërisë prej 8.30 dollarësh në ditë, sipas paritetit të fuqisë blerëse të vitit 2021, nga 23.1% në vitin 2025.
Sipas raportit të fundit ekonomik për Ballkanin Perëndimor, treguesi ka shënuar një ulje të vazhdueshme gjatë viteve të fundit. Në vitin 2023, përqindja e popullsisë nën këtë prag vlerësohej në 27.2%, ndërsa në vitin 2024 zbriti në 25%. Për vitin 2026 parashikohet një nivel prej 21.6%, ose 5.6 pikë përqindjeje më pak se në vitin 2023.
Kufiri prej 8.30 dollarësh në ditë përdoret nga Banka Botërore për të vlerësuar varfërinë në ekonomitë me të ardhura të mesme të larta. Ai llogaritet sipas fuqisë blerëse dhe nuk përfaqëson një shumë monetare që mund të konvertohet drejtpërdrejt me kursin e këmbimit në lekë.
Banka Botërore vlerëson se rritja ekonomike, përmirësimi i pagave reale dhe transfertat sociale kanë ndihmuar në uljen e varfërisë në rajon. Megjithatë, institucioni paralajmëron se mundësitë për përmirësime të mëtejshme po kufizohen nga vështirësitë e grupeve më vulnerabël për t’u përfshirë në tregun e punës.
Në Shqipëri, parashikimet tregojnë një ngadalësim të uljes së varfërisë në kushtet kur rritja ekonomike për frymë pritet të jetë më e moderuar. Ndërkohë, rritja e çmimeve të ushqimeve, karburanteve dhe qirave do të kufizojë fuqinë blerëse të familjeve, pavarësisht shtimit të pagave dhe pensioneve.
Raporti thekson gjithashtu se emigracioni, plakja e popullsisë dhe mospërputhja mes aftësive të punonjësve dhe kërkesave të bizneseve vazhdojnë të jenë pengesa strukturore. Në të njëjtën kohë, papunësia e lartë e të rinjve tregon se përfitimet nga rritja ekonomike nuk po shoqërohen me mundësi të barabarta punësimi për të gjitha grupet.
Për vitet në vijim, Banka Botërore parashikon që varfëria në Shqipëri të zbresë në 20.1% në vitin 2027 dhe në 18.7% në vitin 2028. Nëse këto parashikime realizohen, pjesa e popullsisë nën pragun ndërkombëtar të varfërisë do të ulej me 8.5 pikë përqindjeje krahasuar me vitin 2023.
Megjithatë, këto vlerësime varen nga realizimi i skenarit të parashikuar të rritjes ekonomike dhe të të ardhurave. Sipas shënimeve metodologjike të raportit, treguesit e varfërisë për vitet e fundit bazohen në vlerësime të modeluara, ndërsa shifrat për periudhën 2026–2028 janë parashikime dhe jo rezultate të matjeve të reja drejtpërdrejt te familjet.
Banka Botërore thekson se ulja e mëtejshme e varfërisë do të kërkojë jo vetëm rritje të ekonomisë dhe të ardhurave, por edhe zgjerimin e mundësive të punësimit, përmirësimin e aftësive profesionale dhe mbështetje më të mirë sociale për grupet që kanë më shumë vështirësi të përfitojnë nga zhvillimi ekonomik. /ekofin.al

