Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, premtoi sulme të reja kundër Iranit të enjten, duke shtuar se forcat amerikane së shpejti do të marrin nën kontroll infrastrukturën kryesore të naftës së vendit.
Ushtria amerikane do ta godasë Iranin “SHUMË FORT SONTE”, shkroi Trump në një postim në Truth Social.
“Në një moment jo shumë të largët, ne do të marrim nën kontroll Ishullin Kharg dhe pika të tjera të infrastrukturës së naftës, duke marrë kontroll të plotë mbi tregjet e tyre të naftës dhe gazit, ashtu siç kemi bërë me Venezuelën”, shtoi ai.
Ishulli Kharg është qendra kryesore e eksporteve iraniane të naftës dhe çdo sulm ndaj infrastrukturës së tij energjetike mund të ketë pasoja serioze edhe për tregjet globale të naftës, të cilat tashmë janë vënë nën presion.
Rreth 90% e eksporteve të naftës bruto të Iranit largohen nga vendi përmes këtij ishulli, me pjesën më të madhe që shkon drejt Kinës dhe tregjeve të tjera aziatike.
I vendosur në pjesën veriore të Gjirit Persik, Ishulli Kharg është relativisht i vogël – rreth 8 kilometra i gjatë dhe 4–5 kilometra i gjerë – por ai strehon infrastrukturë të gjerë, përfshirë depozita magazinimi, tubacione dhe terminale detare ngarkimi.
Tubacionet nga disa prej fushave më të mëdha të naftës së Iranit përfundojnë këtu, përpara se nafta të ngarkohet në cisterna detare.
Eksportet e naftës mbeten një nga burimet kryesore të të ardhurave për qeverinë iraniane, duke e bërë Ishullin Kharg një aset ekonomik me rëndësi jetike.
Rreziku i një lufte në shkallë të plotë
Postimi i Trump vjen pasi SHBA-ja dhe Irani kanë shkëmbyer sulme për të tretën ditë me radhë, duke e afruar Lindjen e Mesme drejt rifillimit të një konflikti të madh ushtarak.
Sulmi amerikan, i cili vazhdoi deri në orët e mëngjesit të së enjtes në Iran, dukej më intensiv dhe më i gjerë se ai i ditës së mëparshme.
Irani publikoi pak informacion mbi shkallën e dëmeve dhe tha se kishte kundërpërgjigjur me sulme ndaj Kuvajtit, Bahreinit dhe Jordaniaë, ashtu siç kishte bërë një ditë më parë.
Ministria e Jashtme e Iranit deklaroi të enjten se sulmet amerikane kishin “e bërë armëpushimin praktikisht të pavlefshëm”, pa thënë nëse po e braktiste zyrtarisht atë.
Në qendër të negociatave është kontrolli i Iranit mbi Ngushticën e Hormuzit, i cili ka ndikuar në furnizimet globale me energji, ka rritur çmimet e karburanteve dhe ka shtrenjtuar ushqimet dhe mallrat bazë edhe jashtë rajonit.
Irani njoftoi të enjten se ngushtica ishte mbyllur, por nuk ishte e qartë çfarë nënkuptonte kjo, pasi trafiku detar në këtë korridor ishte kufizuar ndjeshëm që në fillim të luftës dhe vetëm pak anije kanë kaluar përmes saj.
Komanda Qendrore e Ushtrisë Amerikane kundërshtoi këtë pretendim, ndërsa Trump deklaroi të mërkurën se SHBA-ja kishte zhvilluar një mision sekret javët e fundit për të kaluar anije përmes kësaj rruge detare.
Të dyja palët vazhdojnë të kenë mosmarrëveshje lidhur me programin bërthamor të Iranit, për të cilin Teherani këmbëngul se është paqësor, ndërsa SHBA-ja dhe Israel frikësohen se ai mund të përdoret për ndërtimin e armëve bërthamore për shkak të rezervave të uraniumit të pasuruar në nivele të larta.
SHBA-ja dhe Izraeli kanë deklaruar se një nga arsyet kryesore të nisjes së luftës më 28 shkurt ishte sigurimi që Irani të mos arrinte kurrë të ndërtonte një armë atomike. /Përshtati nga Euronews, ekofin.al

