Kompania më e madhe ajrore në Evropë, Ryanair, pritet t’i japë fund pranisë së saj në bazën e Berlinit, me plane për të ndalur operimin e shtatë avionëve në kryeqytetin gjerman më 24 tetor. Transportuesi e cilësoi Berlinin si “aeroportin më dështak në Evropë”, duke theksuar rënien e trafikut ajror me 27% – nga 36 milionë pasagjerë në vitin 2019 në 26 milionë vitin e kaluar.
“Në këtë rast, të shtatë avionët e bazuar në Berlin do të zhvendosen në aeroporte me kosto më të ulët në shtete të tjera të BE-së që kanë hequr taksat e aviacionit, si Suedia, Sllovakia, Shqipëria dhe Italia,” thuhet në deklaratën e kompanisë low-cost.
Në programin dimëror, Ryanair do të përgjysmojë numrin e fluturimeve nga dhe drejt Berlinit. Pakënaqësitë e kompanisë lidhen edhe me atë që CEO i Ryanair DAC, Eddie Wilson, e quajti “regjim absurd të taksave të aviacionit”, duke argumentuar se modeli gjerman i aviacionit komercial, i mbështetur fort në taksa të larta, ka dështuar për qytetarët.
Wilson e cilësoi gjithashtu aviacionin gjerman si “të thyer”, pa asnjë plan daljeje për uljen e taksave apo tarifave të larta aeroportuale. “Që nga viti 2019, Ryanair është detyruar të mbyllë bazat në Frankfurt, Düsseldorf dhe Stuttgart (duke humbur 13 avionë të bazuar), si dhe të ndërpresë të gjitha fluturimet për në Dresden, Leipzig dhe Dortmund,” shtoi ai.
Sipas kompanisë, taksa e aviacionit është dyfishuar që nga viti 2019, nga 7.30 euro në 15.50 euro për pasagjer; tarifat e sigurisë pritet të dyfishohen nga 10 euro në 2024 në 20 euro për pasagjer deri në janar 2028; tarifat e kontrollit të trafikut ajror janë trefishuar në 3.30 euro për pasagjer; ndërsa përveç rritjes me 50% të tarifave aeroportuale që nga periudha e COVID-19, një tjetër rritje prej 10% pritet të hyjë në fuqi deri në vitin 2029.
Ky reagim duket se ka ardhur si surprizë për Aeroporti Berlin Brandenburg. “Jemi të surprizuar nga njoftimi i Ryanair në këtë moment,” tha aeroporti në një deklaratë në X. “Jemi në negociata të vazhdueshme me kompanitë ajrore. Nuk është planifikuar rritje e tarifave aeroportuale.”
Njoftimi i kompanisë low-cost vjen gjithashtu pasi Ministria Federale e Financave në Gjermani miratoi planet për të rikthyer taksën e fluturimeve (Luftverkehrsteuer) në nivelet e vitit 2024. “Ministria Federale e Financave e konsideron të rëndësishme që uljet të reflektohen te udhëtarët,” thuhet në deklaratë./Përshtati nga Euronews, ekofin.al
