Qeveria franceze po shqyrton një sërë planesh për të reduktuar deficitin publik, duke përfshirë një taksë të përkohshme për kompanitë që fitojnë më shumë se 1 miliard euro në vit dhe taksën mbi blerjen e aksioneve.
Aktualisht taksimi i kompanive është në masën 25% të fitimeve dhe synohet që bizneset me një qarkullim vjetor prej të paktën 1 miliard eurosh të paguajnë një mbitaksë shtesë prej 8.5%, që arrin taksën totale prej 33.5%.
Në praktikë kjo do të thotë rikthim në normën e taksës së korporatave që ishte në fuqi deri në vitin 2017, përpara se Presidenti Emmanuel Macron të sillte një reduktim gradual për të rritur konkurrencën e Francës. Ky kontribut i jashtëzakonshëm i korporatave mund të sjellë 8 miliardë euro deri në vitin 2025.
Ndërkohë Ministria e Ekonomisë dhe Financave po shqyrton mundësitë e shmangies së rritjes së tatimit të të ardhurave për të mos rënduar shtresën e mesme. Tatimi në Francë aktualisht është progresiv nga 0% deri në 45%, në varësi të pagës dhe rregullohet në përputhje me inflacionin.
Ndër masat e tjera që parashikohen është dhe taksa e gjelbër për makinat. Qëllimi i kësaj takse është gjithashtu të inkurajojë blerësit drejt makinave që ndotin më pak. Plani vijon me taksimin e akomodimit të stilit Airbnb, i cili deri tani ka qenë më i favorizuari. Të ardhurat nga kjo kategori do të ndikonin gjithashtu për të lehtësuar problemin me strehimin.
Arka e Francës paraqitet në gjendje të rëndë dhe deficiti publik pritet të kalojë 6% të PBB-së këtë vit, konfirmoi ministri i ri i buxhetit, Laurent Saint-Martin, gjatë një seance dëgjimore në Komitetin e e Financave të Asamblesë Kombëtare.
Në vitin 2023, deficiti publik francez arriti në 154 miliardë euro ose 5.5% të PBB-së, pas 4.8% në 2022 dhe 6.6% në 2021, sipas Institutit Kombëtar Francez të Statistikave dhe Studimeve Ekonomike.
Borxhi publik francez arriti në 110.6% të PBB-së në fund të vitit 2023, pas 111.9% në fund të vitit 2022.
Në korrik Bashkimi Evropian thirri në një takim Francën dhe gjashtë shtete të tjera anëtare për shkak të deficitit të lartë publik. Belgjika, Italia, Hungaria, Malta, Polonia dhe Sllovakia gjithashtu tejkaluan kufirin prej 3% të deficitit publik të vendosur nga Pakti i Stabilitetit dhe Rritjes së BE-së në vitin 2023. /Përgatiti: Ekofin.al
