Nga 1 gushti 2027, fermat blegtorale në Shqipëri do të duhet të respektojnë kërkesat e përditësuara për mbrojtjen dhe mirëqenien e viçave, që lidhen me kushtet e strehimit, ndriçimin, furnizimin me ujë, higjienën dhe kufizimin e përdorimit të mjeteve lidhëse.
Urdhri i ri i ministrit të Bujqësisë, botuar në Fletoren Zyrtare, ndryshon normat minimale për mbrojtjen e viçave, të përcaktuara fillimisht në vitin 2014.
Sipas ndryshimeve, bokset individuale ku mbahen viçat nuk duhet të kenë mure të plota, por ndarje që mundësojnë kontaktin e drejtpërdrejtë vizual dhe fizik ndërmjet kafshëve. Përjashtim bëjnë ambientet që përdoren për izolimin e kafshëve të sëmura.
Fermerët duhet të garantojnë gjithashtu ndriçim të përshtatshëm natyror ose artificial, pasi viçat nuk duhet të mbahen vazhdimisht në errësirë. Në rastin e ndriçimit artificial, kohëzgjatja e tij duhet të jetë të paktën e barabartë me periudhën e dritës natyrore që disponohet normalisht ndërmjet orës 09:00 dhe 17:00.
Ambientet duhet të kenë edhe ndriçim të mjaftueshëm për të mundësuar inspektimin e kafshëve në çdo kohë.
Urdhri përcakton se viçat nuk duhet të mbahen të lidhur, me përjashtim të atyre që mbahen në grup dhe që mund të lidhen për një periudhë jo më të gjatë se një orë gjatë ushqyerjes me qumësht ose zëvendësues të tij.
Mjetet lidhëse duhet të kontrollohen rregullisht dhe të mos shkaktojnë dëmtime, rrezik mbytjeje apo kufizime të papërshtatshme të lëvizjes së kafshëve.
Kërkesa të posaçme përcaktohen edhe për higjienën në fermat blegtorale. Strehimet, bokset, pajisjet dhe mjetet e përdorura duhet të pastrohen dhe dezinfektohen për të parandaluar përhapjen e infeksioneve dhe grumbullimin e organizmave që mbartin sëmundje.
Të gjithë viçat mbi dy javë duhet të kenë akses në sasi të mjaftueshme uji të freskët ose të plotësojnë nevojat për lëngje nëpërmjet burimeve të tjera. Në periudhat me temperatura të larta dhe për kafshët e sëmura, uji i pijshëm duhet të jetë i disponueshëm në çdo kohë.
Ndryshimet prekin edhe importin e viçave. Kafshët që importohen në Shqipëri duhet të shoqërohen me një certifikatë të lëshuar nga autoriteti kompetent i vendit të origjinës, e cila vërteton se ato janë trajtuar sipas standardeve të paktën ekuivalente me ato që zbatohen për kafshët me origjinë nga vendet e Bashkimit Evropian.
Autoritetet kompetente do të duhet të paraqesin deri më 31 gusht të çdo viti një raport mbi inspektimet e kryera gjatë vitit paraardhës. Raporti duhet të përmbajë një analizë të shkeljeve më serioze të konstatuara, si dhe një plan kombëtar veprimi për parandalimin ose reduktimin e tyre. /ekofin.al

