Operatorët e thertoreve në Shqipëri do të duhet të zbatojnë standardet e përditësuara për mbrojtjen e kafshëve gjatë therjes, të caktojnë përgjegjës për mirëqenien e kafshëve dhe të respektojnë kërkesat teknike për pajisjet dhe proceset e trullosjes. Ndërkohë, autoritetet kompetente do të mund të kërkojnë ngadalësimin apo edhe ndalimin e prodhimit në rast të mospërputhjes me kërkesat ligjore.
Ministri i Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Andis Salla, ka miratuar udhëzimin nr. 26, datë 11 nëntor 2026, që ndryshon kuadrin rregullator për mbrojtjen e kafshëve gjatë therjes. Akti është botuar në Fletoren Zyrtare dhe i shtrin efektet nga 1 gushti 2027.
Sipas udhëzimit, kafshëve duhet t’u shmanget çdo dhimbje, shqetësim apo vuajtje e panevojshme gjatë therjes dhe veprimtarive të lidhura me të. Strukturat ku kryhen këto procese duhet të projektohen, ndërtohen, mirëmbahen dhe përdoren në mënyrë që të garantojnë respektimin e standardeve të mirëqenies së kafshëve gjatë gjithë vitit.
Operatorët ekonomikë duhet të caktojnë për secilën thertore një përgjegjës të mirëqenies së kafshëve, i cili do të ndihmojë në garantimin e respektimit të kërkesave të përcaktuara në udhëzim. Gjithashtu, bizneset duhet të dorëzojnë pranë Autoritetit Kombëtar të Ushqimit të dhënat e kërkuara për secilën thertore.
Ndryshimet prekin edhe certifikimin profesional të personave që kryejnë proceset e therjes. Certifikata e kompetencës, përfshirë atë të përkohshme, do të lëshohet vetëm nëse aplikanti deklaron me shkrim se nuk ka kryer shkelje serioze të legjislacionit për mbrojtjen e kafshëve gjatë tre viteve të fundit.
Autoritetet kompetente mund të njohin edhe kualifikime të tjera profesionale si ekuivalente me certifikatën e kompetencës, nëse ato plotësojnë kushtet e përcaktuara. Lista e këtyre kualifikimeve do të publikohet dhe përditësohet në faqen zyrtare të autoritetit.
Ndryshimi tjetër lidhet me metodat e trullosjes së shpendëve. Udhëzimi përfshin metodën e trullosjes me presion të ulët atmosferik për pulat e destinuara për prodhim mishi, me peshë të gjallë deri në 4 kilogramë.
Pajisjet duhet të mundësojnë matjen dhe regjistrimin e vazhdueshëm të presionit, kohës së ekspozimit, temperaturës dhe lagështisë, si dhe të sinjalizojnë stafin në rast devijimi nga parametrat e kërkuar. Të dhënat e regjistruara duhet të ruhen për të paktën një vit.
Në rast të konstatimit të mospërputhjeve, autoritetet kompetente mund të kërkojnë ndryshimin e procedurave operative, shtimin e shpeshtësisë së kontrolleve, ngadalësimin ose ndalimin e prodhimit, si dhe pezullimin apo tërheqjen e certifikatave të kompetencës. /ekofin.al

