Pas Hong Kongut në korrik të këtij viti, Grupi OTP ka zgjeruar programin e tij ndërkombëtar të obligacioneve me vlerë 7 miliardë euro, në Bursën e Singaporit. CEO i Grupit, z. Péter Csányi, hapi sesionin e tregtimit gjatë eventit ceremonial të rёnies sё gongut.
Grupi OTP ka shënuar një tjetër moment të rëndësishëm në tregjet ndërkombëtare të kapitalit: pas debutimit në Hong Kong në korrik, Grupi ka listuar programin e tij prej 7 miliardë eurosh të obligacioneve Euro Medium Term Note (EMTN), në Bursën e Singaporit (SGX). Ngjarja u shënua me një ceremoni simbolike të rёnies sё gongut, ku z. Péter Csányi, CEO i Grupit OTP, hapi zyrtarisht tregtimin në bursën e Singaporit.
Listimi në Singapor forcon më tej praninë e Grupit në tregjet aziatike të kapitalit dhe zgjeron aksesin e saj te investitorët institucionalë në rajon. Ai krijon një platformë të përhershme për tregtimin e disa prej obligacioneve të OTP dhe i mundëson Grupit të sigurojë financim në mënyrë fleksibile, në valuta, maturitete dhe struktura të ndryshme.
Emetimi i parë në kuadër të këtij programi, një obligacion i nivelit Tier 2 me vlerë 1 miliard euro, është obligacioni më i madh i emetuar ndonjëherë nga një institucion financiar në Evropën Qёndrore dhe Lindore. Oferta tërhoqi kërkesa që arritën kulmin prej 4.1 miliardë eurosh, duke shënuar librin më të madh të porosive në historinë e Grupit OTP.
“Evropa dhe Singapori janë investitorë të rëndësishëm për njëri-tjetrin, megjithatë tregjet e tyre të kapitalit janë shumë më pak të ndërlidhura sesa ekonomitë e tyre. Besoj se ngushtimi i këtij hendeku përfaqëson një nga mundësitë më të nënvlerësuara në financën ndërkombëtare, si për Evropën ashtu edhe për Singaporin. OTP po vepron në këtë drejtim: kemi sjellë programin tonë prej 7 miliardë eurosh në Singapor dhe synojmë të jemi një emetues i rregullt në Azi,” – u shpreh z. Péter Csányi.
Ky listim mbështetet mbi praninë gjithnjë e më të madhe të Grupit OTP në tregjet aziatike të kapitalit. Në korrik 2026, OTP u bë banka e parë nga Bashkimi Evropian që listoi një program obligacionesh në Bursën e Hong Kongut.
Aktualisht, Grupi OTP u shërben rreth 17.5 milionë klientëve në 11 vende. Grupi u rendit në vendin e 398-të në listën Forbes Global 2000 për vitin 2026. Gjithashtu, OTP ishte banka Evropiane me renditjen mё tё mirё në kategorinë “Large Banks “ në klasifikimin vlerёsues Forbes World’s Top Performing Banks 2026, duke u pozicionuar në vendin e 10-të në nivel global mes bankave të së njëjtës kategori.

