Qytetarët që pësojnë dëme fizike, humbje financiare apo dëmtime të pasurisë për shkak të gabimeve profesionale të ofruesve të shërbimeve mund të përfitojnë nga një mbulim sigurimi që shtrihet edhe pas përfundimit të veprimtarisë.
Ministria e Ekonomisë dhe Inovacionit ka përcaktuar kriteret minimale që duhet të përmbushin sigurimet e përgjegjësisë profesionale dhe garancitë financiare për veprimtaritë e shërbimit me rrezik të posaçëm.
Rregullat synojnë që sigurimet, në rastet kur kërkohen nga autoritetet, të ofrojnë mbrojtje efektive për klientët dhe personat e tjerë që mund të dëmtohen nga veprimtaria e një biznesi.
Mbulim edhe për gabimet e punonjësve dhe nënkontraktorëve
Sipas udhëzimit, sigurimi duhet të përcaktojë jo vetëm përgjegjësinë e ofruesit të shërbimit, por edhe atë të personelit dhe, sipas rastit, të nënkontraktorëve të angazhuar në ushtrimin e aktivitetit.
Në kriteret minimale përfshihen kategoritë e personave që mbrohen, llojet e dëmeve që mbulohen, shuma minimale për një ngjarje, territori dhe periudha e vlefshmërisë së sigurimit.
Mbrojtja nuk kufizohet vetëm te klienti që ka marrë drejtpërdrejt shërbimin, por mund të shtrihet edhe te palët e treta që pësojnë dëme si pasojë e veprimtarisë profesionale.
Çfarë ndodh nëse dëmi shfaqet me vonesë?
Udhëzimi përcakton një aspekt të rëndësishëm për konsumatorët që lidhet me kohëzgjatjen e mbulimit.
Sigurimi duhet të përfshijë të gjithë periudhën e ushtrimit të veprimtarisë. Por në rastet kur, për shkak të natyrës së shërbimit, dëmi mund të shfaqet ose kërkesa për kompensim mund të paraqitet pas përfundimit të aktivitetit, duhet të përcaktohet një periudhë shtesë mbulimi.
Kohëzgjatja e kësaj periudhe do të mbështetet në të dhënat për natyrën e rrezikut dhe kohën kur mund të shfaqen pasojat e tij.
Në këtë mënyrë, mbrojtja financiare nuk do të kufizohet domosdoshmërisht në periudhën kur biznesi ka ushtruar aktivitetin.
Sigurimet nuk mund të përjashtojnë rrezikun kryesor
Udhëzimi vendos kufizime edhe për kushtet e policave të sigurimit. Përjashtimet, kufizimet dhe pjesa e dëmit që mbetet për t’u përballuar nga i siguruari nuk duhet ta bëjnë mbulimin formal ose të paefektshëm.
Nuk lejohet përjashtimi nga mbulimi i rrezikut thelbësor për të cilin është vendosur detyrimi për sigurim. Çdo përjashtim tjetër duhet të përcaktohet qartë dhe të argumentohet në raport me natyrën e rrezikut dhe legjislacionin sektorial.
Kompensimi nuk duhet të varet vetëm nga gjendja financiare e biznesit
Përveç sigurimit tradicional të përgjegjësisë profesionale, bizneset mund të përdorin edhe garanci apo mekanizma të tjerë financiarë, nëse këta ofrojnë mbrojtje të barasvlershme.
Këto garanci duhet të mbulojnë të njëjtat rreziqe dhe kategori personash, të kenë vlerë dhe kohëzgjatje të mjaftueshme dhe të sigurojnë që fondet të vihen në dispozicion brenda një afati që mundëson kompensimin efektiv.
Një kusht i rëndësishëm është që garancia të mos varet vetëm nga gjendja financiare e ofruesit të shërbimit dhe të mos mund të tërhiqet në mënyrë të njëanshme pa njoftim të arsyeshëm.
Megjithatë, udhëzimi nuk përcakton shuma fikse kompensimi apo afate të njëjta mbulimi për të gjitha veprimtaritë. Këto do të përcaktohen në varësi të natyrës dhe përmasës së rrezikut të secilës veprimtari./ekofin.al

